Në fillim ishte një zyrë e largët, praktikisht në shkretëtirë, një antenë satelitore e vendosur në ms të askundit dhe vetëm një linjë telefonike, për telefonata me jashtë vendit. Ata, të cilët në atë kohë viheshin në kërkim të televizionit të ri arab, i cili kish bërë të flitej për të në të gjithë rajonin, pa mëdyshje kishin të njëjtin reagim: “Vetëm kaq?”. Ishte viti 1996 dhe Al Jazeera sapo kishte filluar transmetimet.
Megjithatë, që nga fillimi, kanali vetëm me lajme, i lindur nga një ide e Sheikut Hamad bin Kalifa Al Thani, njeriu që në pak vite do të ri-bënte një komb, Katarin, ishte një revolucion. Në një botë arabe të mësuar me mediat shtetërore, me titujt e gazetave dhe lajmeve, të ndarë në mënyrë të barabartë, mes hapjes së një spitali apo përurimit të një rruge nga ana e udhëheqësit të radhës, në shtëpitë e miliona njerëzve papritmas erdhi një lajm i vërtetë. Përtej emisioneve të debateve, ku ata që flisnin ishin jo vetëm qeveritë, por edhe opozita. Kishte transmetime konfidenciale për temat më të diskutueshme, nga mënyra si e shohin gratë seksin, deri tek homoseksualiteti. Dhe predikimet e Sheikut Al Kardavi, fytyra e Vëllazërisë Myslimane.
“Mendimi dhe mendimi i kundërt”, ishte që në krye të herës, sllogani i Al Jazeeras, kujton Donatella Della Ratta, autore në 2005-ën e largët, e librit “Al Jazeera. Media dhe shoqëria arabe në mijëvjeçarin e ri”, libër që ende sot mbetet shumë i rëndësishëm.
Përzierja ishte krejtësisht e re për një rajon të mësuar deri tani vetëm me një opinion: atë të qeverisësit të radhës. Dhe ku faktet nuk ekzistonin. Risia solli menjëherë probleme tek emetuesit dhe sponsorët në Katar: që nga akuzat për sionizëm, sepse i kish dhënë fjalën “armikut” izraelit, deri tek thirrjet zyrtare për ambasadorët e Dohas në rajon, Al Jazeera nuk pati kurrë një jetë të qetë.
Pastaj erdhi 11 shtatori dhe nga lumë që ishin, polemikat u shndërruan në oqean. Fytyra e Osama bin Ladenit shoqëruar nga logoja e artë e televizionit u kthye në një makth për civilët dhe qeveritë në botën perëndimore: tek Al Jazeera, lideri i Al Kaedës ishte dërgonte mesazhe nga strofulla e tij në Afganistan, për Al Jazeera dha intervistën e vetme pas 11 shtatorit. Për këdo që kërkonte lajme ndërkombëtare në atë kohë, kanali ishte një detyrim.
Nga ato ditë të lavdisë dhe polemikave mund të thuhet se emetuesi televiziv nuk është çliruar më kurrë: televizioni në gjuhën arabe nuk ka qenë në gjendje të shkundë etiketën “i afërt me terrorizmin.” Atij në gjuhën angleze, i krijuar në vitin 2006, iu desh të mbrojë veten kundër akuzave të tilla që nga dita e tij e parë, pavarësisht se kishte, në krahasim me vëllanë e madh, standarde gazetareske shumë më të lartë.
Momentet e lavdisë, për të dy rrjetet, nuk kanë munguar: në vitin 2001 kur filloi sulmi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Afganistan, gazetarët e Al Jazeera arabe ishin të vetmit në Kabul. E njëjta gjë ndodhi në Gaza në vitin 2008, ku ata që shkëlqyen ishin gazetarët Al Jazeera në anglisht. Por maja e suksesit dhe polemikave erdhi në vitin 2011 kur televizioni, dhe bashkë me të edhe Katari u bë pjesë përbërëse e revolucioneve arabe, duke i dhënë hapësirë agjendave të opozitave në Tunizi, Egjipt, Jemen dhe Libi (shumë më pak në Siri). Kjo ishte koha kur establishmenti egjiptian (sot në pushtet me ish gjeneralin Abdel Fattah al Sisi) dhe ai saudit, që me Katarin dhe televizionin e tij kishin një llogari të hapur prej vitesh, vendosi një herë e mirë që, zëri i Al Jazeeras do të duhej të shuhej. Shumë ambicioz, shumë i pavarur, shumë i zhurmshëm: tamam si Katari i Sheikut Hamad.
Katër vjet më parë, kur mbreti u detyrua të japë dorëheqjen nga presioni saudit, Al Jazeera u ridimensionua. Paratë, që deri atëherë nuk kishte qenë një problem, filluan të reduktohen. Disa nga emrat më të mëdhenj u larguan nga rrjeti. Përpjekja për të nisur një kanal amerikan përfundoi para kohe. Por Al Jazeera, sidomos në versionin e vet arab, vazhdoi të flasë dhe të sikletosë.
Në mbrojtje të kanalit nga sulmi i nisur nga Kajro dhe Riadi në ditët e fundit kanë zbritur nga pak të gjithë: një gazetë progresiste si britanikja The Guardian (“veprim qesharak”), një e përjavshme si The Economist (“përpjekje që ngjall zemërim”), Kombet e Bashkuara (“sulm i papranueshëm mbi lirinë e informimit”), por fjalët më të mira i kanë zgjedhur gazetarët e versionit anglisht në faqen e tyre të internetit: “përpjekja për të heshtur Al Jazeeran është një përpjekje për të heshtur gjithë gazetarinë e pavarur në rajon”. / La Repubblica – Bota.al