Ushtria polake i bëri rezistencë pushtimit gjerman në 1 shtator të vitit 1939, por ishte një betejë që s’mund ta fitonte. Numrat nuk ishin në favor, pajisjet, stërvitja, kërcënimet e një sulmi nga Bashkimi Sovjetik nga lindja dy javë më vonë, bëri që Varshava të kapitullonte dhe të pushtohej nga nazistët. Ajo që ndodhi më pas është tashmë histori, ndërtimi i kampeve të përqendrimit si Auschwitz-Birkenau, Treblinka dhe Belzec u ndërtuan në territorin polak, gjë që pjesërisht ka krijuar një lidhje mes këtij vendi dhe Holokaustit. Llogaritet më shumë se dy milionë persona janë zhdukur në këto tri vende, pjesa më e madhe hebrenj me kombësi të ndryshme, por edhe minoritete si shinti, romë, kundërshtarë politikë ndaj regjimit. Nga ana tjetër gjatë luftës në total vdiqën rreth 6 milionë polakë. Opozita polake nuk përfundoi së dorëzuari dhe lëvizja e rezistencës, më e madhja organizatë në vendet e pushtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, vazhdoi luftën nën udhëheqjen e Ushtrisë Kombëtare. E mbi të gjitha pati edhe bashkëpunues me regjimin nazist, një situatë që në shumicën e rasteve udhëhiqej nga antisemitizmi që ashtu si në të gjithë Europën ekzistonte edhe në Poloninë para lufte. Pati edhe bashkëpunime mes forcave policore polake dhe punëtorëve në sistemin hekurudhor me trupat e pushtuesve gjermanë. Në veçanti, masakrat e hebrenjve në Jedwabne dhe në Kielce në vitin 1941 dhe 1946 të realizuara nga polakët mbeten ende një kujtim i hidhur. Pozita gjeografike e infrastrukturës naziste dhe rastet e bashkëpunimit kontribuan në lindjen e terminologjisë “kampe shfarosëse polake” që nuk përfaqësojnë me besnikëri situatën në të cilën trupat pushtuese gjermane dhe aleatët e tyre të jenë përgjegjësit kryesorë.
Një ligj për të shpëtuar krenarinë kombëtare.
Duke cituar pikërisht këtë argument presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, firmosi këtë javë një ligj që kërkon të çrrënjosë këtë imazh të gabuar të vendit të tij përmes një mase: “Dënohet me gjobë dhe deri në tre vjet burg kushdo që “kundër fakteve” mbështet publikisht që vendi ka patur rol në Holokaust”: kështu shprehet qeveria polake. “Kjo është një zgjedhje që nga një anë ruan interesin e Polonisë, dinjitetin tonë dhe të vërtetën historike dhe hebrenjtë kudo në botë të jenë të ndershëm ndaj nesh dhe që të mos na përgojojnë”, – shpjegoi Duda që firmosi ligjin, pasi ishte miratuar nga senati. Ky ligj do të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese për të miratuar nëse do të prekë apo jo lirinë e shprehjes. Lukasz Lipinski, analist në “Polityka Insight” me qendër në Varshavë u shpreh se promovimi i krenarisë kombëtare është çështje e rëndësishme e propagandës së kësaj qeverie. Lideri i partisë “Ligj dhe Drejtësi” (PIS) u shpreh se Polonia duhet të mbrojë me respekt historinë e saj që qeverisjet e mëparshme dhe aleatët e huaj janë turpëruar dhe kanë fajësuar polakët për diçka që nuk kanë bërë. Ligji është hartuar qysh prej një viti nga ana e PIS-it, një forcë politike konservatore, nacionaliste dhe kristiane që qeveris nga 2015, por u miratua nga senati në fund të janarit dhe ka shkaktuar një valë shqetësimesh për lirinë e fjalës në vend dhe për prirjet autoritare që janë vendosur. Sekretari i Shtetit në Amerikë, Rex Tillerson, kritikoi njoftimin dhe sinjalizoi se debati i ideve të hapura, studimet dhe edukimi janë mënyrat më të mira për të hedhur poshtë diskurse false. “Kjo masë cënon lirinë e fjalës dhe debatin akademik,” – shpreh funksionari. Ndërkohë organizatat hebreje ndërkombëtare kanë frikë se ky ligj kërkon të mbyllë raste të pjesëmarrjes polake në Holokaust dhe t’ua mbyllë gojën të mbijetuarve që kanë vuajtur dhe në të njëjtën mënyrë të forcojë ata që mohojnë krimet e nazizmit. Nga ana e tij Benjamin Netanyahu tha se ky ligj nuk ka themel. “Nuk mund të ndryshojmë Historinë dhe Holokausti nuk mund të mohohet.” Ndërsa ministri francez i marrëdhënieve me jashtë, Jean-Yves Le Drian e konsideroi këtë ligj të dënueshëm dhe të gabuar. “Nuk duhet rishkruar Historia. Nuk është kurrë gjë e mirë!” / Bota.al