Kemi kaq shumë halle dhe probleme, saqë harrojmë t’u kushtojmë vëmendje gjërave në dukje të vogla, por që me indiferencën tonë fillojnë të marrin rëndësi të madhe. Sot dua të shkruaj për ata, fëmijët, e ardhmja e këtij vendi që po lëkundet kaq shumë nga indiferenca e gjithsecilit nga ne. Sot vëmendjen e tyre e ka fituar Facebook-u, Instagram-i, pub-et dhe fëmijët janë lënë të heshtur në një cep, shpesh me një smartphone në dorë vetëm për të mos u bërë një pengesë në përditshmërinë e fëmijëve të tyre.
Me siguri edhe ty të ka ndodhur të shohësh fëmijë duke luajtur nëpër tabletë, apo smartphone, ose ndoshta ti je prindi në këtë rast e që ndoshta, në përpjekje për ta ‘modernizuar’ fëmijën tënd, e vë atë në kontakt me teknologjinë. Është për të ardhur keq se si mësohen fëmijët me lojërat në tablet apo celularë, por njëkohësisht është e vështirë t’ia drejtosh gishtin dikujt, kur vjen puna tek gjetja e një shkaktari apo fajtori.
Nga njëra anë, jemi të gjithë dëshmitarë se hapësirat e lira për lojërat e fëmijëve po zihen dita-ditës me ndërtesa.
Nga ana tjetër, ndikimi kaq i mad hi teknologjisë në jetët tona, normalisht i bën edhe fëmijët kureshtarë për të luajtur nga ato, ‘lojërat e mençura’, sepse lojërat në natyrë janë jashtë mode. Ata nuk e kanë kuptuar ende magjinë e një loje në ajër të pastër, me bashkëmoshatarë të tjerë realë e me jetë.
Në fund vijnë ata, prindërit, që ndonjëherë nga dëshira për të kënaqur fëmijët, preferojnë t’u japin celularët e tyre që ata të luajnë. Më vjen keq që shoh të bëhen zgjedhje të tilla. Të gjithë e dimë se valët që lështojnë ekranet e celularëve, janë tepër të dëmshme për secilin nga ne. Imagjinoni sa shumë dëmtohen fëmijët, sytë e të cilit janë shumë më të ndjeshëm se tanët. Dhe prindërit e dinë këtë gjë. Ata e dinë dhe sërish zgjedhin t’u japin celularët që fëmijët e tyre të luajnë.
E keni pyetur ndonjëherë veten se pse gjithmonë e më shumë mësuesit e sotëm po shprehen se sa më shumë koha kalon, aq më shumë nuk po mësojnë brezat e rinj?
Kur ti prind i dashur të kuptosh përgjigjen e vërtetë të kësaj pyetje, vetëm atëherë do të kuptosh çfarë po i bën fëmijës tënd. Asnjëherë nuk është vonë që t’u mësosh atyre të dashurohen pas aromës së fletave të një libri, pas ajrit të pastër të natyrës dhe pas lojërave të sinqerta me bashkëmoshatarët e tyre. Hiqja fëmijës tënd smartphonin nga duart. Mos ia rrëno atij të ardhmen. Ndoshta sot fëmijës tënd do i duket vetja si më ‘i prapambeturi’ në shoqëri, por nesër ai fëmijë do të jetë me siguri krenaria jote.
Unë përherë kam menduar se fëmijët janë si një plastelinë që çdo prind u jep formën që dëshiron. Nëse fëmijën e edukon dhe e pasuron me kulturën e duhur sa është i vogël, ai ashtu ka për të qenë përherë. Përherë ka për të kërkuar më shumë dije, më shumë kulturë, sepse kështu është mësuar ai që në fëmijëri nga prindërit. Kërkoni të arrini këtë gjë. Progresi i një shoqërie varet nga të rinjtë e një vendi. Nxitini fëmijët tuaj t’i shërbejnë për mirë kësaj shoqërie, sepse për keq, kemi fatkeqësisht plot shembuj të rinjsh që drogohen, vriten dhe burgosen.
Prind i dashur, ti ke në dorë të ardhmen e fëmijës tënd. Lufto që ajo të jetë më e mira e mundshme… / Bota.al