Nga Bernard Guetta
Më 3 maj, Komisioni Evropian paraqiti projekt-buxhetin e tij për vitet 2021-2027. Propozimi ende nuk është diskutuar mes 27 shteteve anëtare dhe miratuar nga Parlamenti. Asgjë nuk është vendosur ende, por reagimet janë shumë të rëndësishme.
Pavarësisht daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga skena, Komisioni propozon rritjen e shpenzimeve në 1.279 miliardë euro, kundrejt 1.087 miliardë të alokuara për periudhën aktuale.
Kjo rritje shpjegohet me vullnetin e Brukselit për të nxjerrë një fitim nga Brexit – dmth nga zhdukja e menjëhershme e pengimit britanik, për forcimin e unitetit evropian – për të investuar në mbrojtje dhe në kohezionin e eurozonës.
Ambicie më politike
Aktualisht, çështjet ushtarake mbeten ruajtja e shteteve të veçanta dhe Bashkimi kushton shumë pak euro për të, por Komisioni do të donte të shpërndante mbi 27 miliardë dollarë, për krijimin e një mbrojtjeje të përbashkët. Sa i përket Eurozonës, edhe pse nuk ka pranuar idenë franceze për të siguruar buxhetin e vet, Komisioni propozon të ndajë 55 miliardë dollarë, për t’u përballur me krizat e mundshme ekonomike.
Projekti gjithashtu planifikon të trefishojë shifrën e dedikuar për mbikëqyrjen e kufijve të Bashkimit dhe të dyfishojë buxhetin e programit Erasmus. Kjo rritje e shpenzimeve do të kompensohet nga një reduktim i shumave dedikuar dy programeve që sot përbëjnë 70% të buxhetit evropian: politika e përbashkët bujqësore (me një ulje prej 5%) dhe politika e kohezionit për rajonet më pak të zhvilluara, ose fondet strukturore (-7 për qind).
Nuk përmendet anulimi i këtyre dy programeve, por prioritetet e së kaluarës nuk janë më prioritetet e sotme. Janë shfaqur ambicie të reja, më politike dhe më pak të bazuara në subvencione. Në këtë kuptim është me rëndësi që Komisioni të propozojë zvogëlimin e fondeve strukturore të alokuara për një shtet anëtar, kur ai nuk respekton sundimin e ligjit.
Nëse ky projekt-buxhet duket plotësisht i ri, reagimet janë të njëjta si gjithmonë. Franca menjëherë deklaroi se do të ishte e nevojshme të kalohej mbi trupin e saj, para reduktimit të shpenzimeve bujqësore. Vendet e Lindjes, zakonisht jo të prirura për solidaritet midis shteteve anëtare, janë indinjuar për zvogëlimin e fondeve strukturore, nga të cilat kanë përfituar për një kohë të gjatë. Vendet nordike, nga ana e tyre, po pyesin se si është e mundur të rritet kostoja, pas largimit nga grupi i Mbretërisë së Bashkuar.
Së shpejti, Parisi dhe Berlini do të marrin një qëndrim të përbashkët, por negociatat midis 27shes do të jenë shumë të vështira. / France Inter – Bota.al