Ndonjëherë një histori mund ta prekë shpirtin tonë, shumë më thellë se çdo formë tjetër reflektimi. Sot ju ofrojmë një rrëfenjë të lashtë afrikane që tregon për ato raste kur në jetë, veprimet duket se shkojnë në njërën anë dhe zemra duket se shkon në anën tjetër, e paaftë për t’u takuar.
Rrëfehet për një burrë që vendosi të hynte në territoret jomikpritëse të Afrikës, i shoqëruar vetëm nga dy udhërrëfyesit e tij. Secili prej tyre mbante një hanxhar me të cilin i prinin rrugën nëpër bimësinë e dendur. Qëllimi i tyre ishte të ecnin përpara me çdo kusht.
Një prej disavantazheve të mëdha të nxitimit, është se të merr shumë kohë.
Gilbert Keith Chesterton
Kur u dilte para një lumë, ata e përshkonin në kohën më të shkurtër të mundshme. Nëse shfaqej një kodër, ata shpejtonin hapin për të mos humbur asnjë minutë. Papritur, pas vetëm disa orësh ecje, udhërrëfyesit ndaluan, duke e lënë aventurierin të shtangur. Ai i pyeti: “Pse ndaluat? Që tani u lodhët? Keni ecur vetëm pak orë.”
Një prej tyre e vështroi në sy dhe iu përgjigj: “Jo zotëri, nuk jemi lodhur. Por kemi ecur aq shpejt sa e kemi lënë shpirtin pas. Tani duhet të presim derisa të vijë ai tek ne.”
Një rrëfim që na shtyn të rilidhemi me veten
Sigurisht që çdokujt i ka ndodhur të ndihet i shkëputur nga vetja. Sikur ai që ngrihet nga shtrati, që shkon në punë, që flet nuk është si gjithmonë, por i duket si i huaj. Është një ndjenjë që na kap shpesh kur jemi të zhytur në një rutinë kërkuese që na pengon të gjejmë rrugë shpëtimi.
Sekreti është të gjejmë sërish thelbin tonë. Siç e shpjegon historia, duke pritur që “shpirti ynë” të kthehet në vendin e tij. Ndonjëherë mjafton të ndalesh dhe të reflektosh për situatën, por ndonjëherë duhet më shumë.
Kur kemi humbur ndjenjën e lidhjes dhe kontrollit mbi jetën tonë, është e lehtë të shfaqet demotivimi. Kjo mund të kthehet lehtësisht në trishtim ose ankth. Në atë moment, gjithçka bëhet më e ndërlikuar. Megjithatë, ka një rrugëdalje të thjeshtë nga kjo fazë, dhe zgjat vetëm disa minuta në ditë. Ja për çfarë bëhet fjalë.
Uluni për një moment gjatë rrugës
Ashtu siç bëjnë udhërrëfyesit e rrëfenjës afrikane, kur ndihemi të shkëputur nga vetja, gjëja më e mirë është të bëjmë një pushim. Me shumë mundësi kemi ecur me nxitim të tepruar. Kjo na ka penguar të shijojmë peizazhin, por mbi të gjitha të ndërlidhim shpirtin tonë, me shtegun.
Gjëja më e mirë është të gjejmë një moment të qetë, mundësisht gjatë orëve të fundit të ditës. Do të jetë momenti ynë i intimitetit me veten dhe e meritojmë. Duhet të relaksohemi dhe thjesht të pyesim veten: si ishte dita jonë? Pas kësaj, gjithçka që duhet është të rishohim ngjarjet e përjetuara gjatë ditës.
Nuk duhet të mendojmë vetëm për veprimet që keni kryer, por të përqendrohemi në mendimet dhe ndjenjat që na kanë pushtuar mendjen. Cili ishte mendimi i parë që na erdhi në mendje kur u zgjuam? Si u ndjemë kur u përballëm me njerëz të tjerë, situata të tjera. Po me veten?
Reflektimi dhe pritja e shpirtit
Ndoshta në fillim do të shohim vetëm një sërë aktivitetesh dhe ndjenjash mekanike. Megjithatë, pak nga pak, ashtu siç tregon rrëfenja afrikane, shpirti ynë do të vijë tek ne. Ato pesë minuta përfaqësojnë një formulë bazë për t’u afruar me veten, por ato janë vetëm fillimi, udhëzuesi për hapat e parë.
Nuk ka nevojë të bëjmë një listë të detajuar të gjithçkaje që kemi bërë. Thjesht duhet të lëmë të rrjedhë çdo gjë që na vjen në mendje, edhe nëse është pak e çrregullt ose kaotike. Shpejt, do të shohim të shfaqen gjurmët e shumë përvojave që i kishim anashkaluar në mënyrë të pandërgjegjshme. Ashtu siç do të shfaqet jehona e atyre emocioneve që i kishim shpërfillur dhe frikës që kishim anashkaluar.
Duke vepruar kështu, shpirti ynë do të jetë në gjendje të na arrijë. Duke vepruar kështu, pak nga pak, do të jemi në gjendje të gjejmë përsëri pikën tonë të ekuilibrit. Shpërblimi për këtë përpjekje të vogël të përditshme është një ndjenjë qetësie dhe sigurie më të madhe. Do të mësojmë të marrim pasuri nga çdo përvojë që kemi jetuar dhe do të njohim më mirë veten. Më e rëndësishmja, do të zbulojmë nëse jemi duke jetuar vërtet jetën që dëshirojmë, apo nëse është koha për të ndryshuar diçka. / bota.al