Prokurorët në Bergamo, Itali, po planifikojnë të marrin në pyetje të premten kryeministrin e vendit, Giuseppe Conte, si pjesë e një hetimi se si koronavirusi ishte në gjendje të shkatërrojë provincën veriore.
Conte, theksoi për gazetarët të mërkurën se ai po thirret vetëm si dëshmitar dhe tha se ai “nuk shqetësohet aspak”. Por shqyrtimi në vendimmarrjen e tij vjen si pjesë e një debati më të gjerë në Itali nëse gabimet politike zmadhuan shkallën e katastrofës dhe kush e ka fajin. Sipas raporteve të mediave italiane, një pjesë e hetimit shtrihet në pyetjen se pse dy qytete të zonave të nxehta në Bergamo – Nembro dhe Alzano – nuk u mbyllën në javën para se Conte të njoftonte një bllokim rajonal dhe më pas mbarëkombëtar.
Kur virusi u shfaq në Itali, qeveria fillimisht mbylli 11 qytete të vogla, por ato ishin të gjitha në provincat e tjera dhe ishte menjëherë e qartë se shumica e rasteve të koronavirusit ishin jashtë atyre qyteteve. Me vonimin e masave parandaluese, virusi u rrit në Bergamo. Zona pësoi një goditje të fortë duke i shkaktuar më shumë vdekje se çdo zonë tjetër e Evropës.
Conte në përgjithësi ka rritur qëndrimin e tij politik në Itali në mes të pandemisë, por ai është kritikuar shumë nga liderët rajonalë në veri, të cilët i përkasin Lidhjes së ekstremit të djathtë. Në një intervistë me BBC në prill, Conte tha se nuk pendohet për mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë. “Nuk jam aq arrogant sa të mendoj se qeveria italiane ishte perfekte. Por, nëse do të kthehesha pas në kohë, do të bëja përsëri të njëjtën gjë, “tha Conte. “Që ne të kufizonim rëndë liritë kushtetuese ishte një vendim kritik që duhej ta konsideronim me shumë kujdes. Nëse do të kisha sugjeruar bllokim ose kufizim të të drejtave kushtetuese në fillim, kur të ishin grupimet e para, njerëzit do të më kishin marrë për një të çmendur. ” Washington Post / bota.al