Miti i Prometeut është i çmuar për të kuptuar marrëdhënien tonë me natyrën dhe përparimin. Por zbulojmë edhe rëndësinë simbolike që ka sot ky mit
Historia e Prometeut, është një nga tregimet më të rëndësishme në mitologjinë greke. I famshëm për vjedhjen e zjarrit nga Perënditë për t’ua dhënë njerëzve, Prometeu është perceptuar gjatë shekujve si Perëndia i përparimit. Aktualisht, ky mit mund të na ndihmojë që të reflektojmë mbi trans-humanizmin.
Historitë e lashta, kanë veçorinë e thjeshtësisë së trajtimit të disa temave që fshihen pas kompleksitetit historik të kohëve tona. Falë natyrës së tyre të thellë, mitet na vendosin përballë disa pyetjeve, duke na ofruar reflektime të vlefshme mbi çështjet bashkëkohore.
Prometeu, Perëndia e përparimit
Miti i Prometeut ndalet tek një element themelor i historisë së njerëzimit:zhvillimin e teknologjisë, të përfaqësuar nga dominimi i zjarrit. Zbulimi dhe menaxhimi i zjarrit, ishte momenti më i rëndësishëm në parahistori. Zjarri e ka shoqëruar në mënyrë aktive zhvillimin e teknologjisë dhe qytetërimit.
Sepse ai përdorej për të ngurtësuar enët prej qeramike, për të farkëtuar armët e luftës dhe veglat e punës, por shërbente gjithashtu si një lidhje midis Perëndive dhe njerëzve përmes ritualeve. Dhe Prometeu përfaqëson kornizën simbolike të gjithë krijimit kulturor.
Emri i saj përbëhet nga parashtesa “pro”, që në greqishten e lashtë i referohet asaj që është “para” dhe rrënjës së foljes “mantháno”, e përkthyer zakonisht si “të mësosh” ose “të dish”. Pra Prometeu është ai që njeh diçka para të tjerëve, një Perëndi parashikues, i cili është gjithmonë një hap përpara ngjarjeve. Binjaku i tij që e plotëson, Epimeteu, është ai që është gjithmonë vonë, që mendon pasi ka vepruar, dhe që ka si tipar përfaqësues ngathtësinë dhe mungesën e logjikës.
Në lidhje me mitin e Prometeut ka interpretime të ndryshme. Përgjatë historisë, disa e kanë parë atë si një korruptues të rendit natyror, ndërsa të tjerët si një Perëndi heroik që i fuqizon qeniet njerëzore, duke i çliruar ata nga rreziqet e natyrës.
Pikëpamja pesimiste e progresit
Hesiodi ishte një nga poetët e parë që shkroi historinë e Prometeut. Larg heroizimit të figurës së Prometeut, versioni i Hesiodit e vë theksin tek shkelja që ai kryen kundër Perëndive. Ndaj Zeusi e ndëshkon Prometeun dhe mbarë njerëzimin në tërësi me një shumëllojshmëri të pafundme të këqijash.
Për Hesiodin, Prometeu prishi rendin kozmik dhe shërben për të shpjeguar çekuilibrin dhe të këqijat e botës. Progresi shihet si sinonim i rënies së qenies njerëzore. Ky version i mitit është konservator, pasi kërkon të mbajë rendin e vendosur, dhe nuk e miraton çdo lloj sfide ndaj autoritetit.
Në përgjithësi, pikëpamjet që shfaqen kundër progresit bazohen në argumentin se në të kaluarën ekzistonte një rend kozmik, i cili gradualisht u përkeqësua me përparimin e qytetërimit. Megjithatë, ekziston edhe një interpretim që është më afër epokës sonë, dhe që ia vlen të mbahet parasysh:përparimi i shfrenuar i veprimtarisë industriale, po e prish ekuilibrin natyror të mjedisit, dhe po e zhyt njerëzimin në lloj-lloj fatkeqësish. Katastrofat ekologjike të krijuara gjatë shekullit të kaluar, tregojnë se besimi ynë naiv tek progresi ka uljet-ngritjet e veta, dhe ajo që është e re nuk është gjithnjë sinonimi i më të mirës.
Pikëpamja optimiste e progresit
Autorë të tjerë, si Eskili, e panë Prometeun si një dashamirës të njerëzimit. Qeniet njerëzore gëzojnë falë tij jo vetëm zjarrin, por edhe përfitime të tjera nga më të ndryshmet. Prometeu shfaqet si themeluesi i qytetërimit, si ai që u dha njerëzve teknikën e të gjitha arteve, përfshirë ndërtimin e shtëpive, njohuritë mbi bujqësinë, madje edhe shkrimin dhe matematikën.
E njëjta gjë ndodh me Platonin, ku Epimeteu u shpërndan të gjitha gjallesave cilësitë që do t’u shërbejnë atyre për mbijetesën e tyre në Tokë. Kur erdhi koha për njerëzit, ai paralajmëroi se i kishte ezauruar të gjitha aftësitë e tij, duke i lënë ata “të zhveshur, zbathur dhe pa mbulesa e armë”.
Në këto kushte, Prometeu vjedh zjarrin dhe mençurinë për t’ua dhënë krijesave të pafuqishme dhe të harruara, të cilat do të përdorin teknikën për t’u pajisur me këpucë, rroba dhe ushqim. Ky version i fundit ka një kthesë të ndryshme nga të tjerët:Prometeu nuk dënohet për shkeljen e tij.
Përkundrazi, Zeusi sheh që njerëzit e kishin teknologjinë, por u mungonte arti i politikës dhe e sulmonin vazhdimisht njëri-tjetrin. Për këtë arsye, ai dërgon Hermesin për të shpërndarë ndjenjën morale dhe drejtësinë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në këtë mënyrë, bëri të mundur jetën e qetë në qytete dhe lidhjet e miqësisë.
Prometeu dhe trans-humanizmi
Trans-humanizmi është një rrymë aktuale filozofike, e cila e sheh qenien njerëzore si diçka që duhet tejkaluar. Kjo mund të ndodhë nëpërmjet zbatimeve bioteknologjike, modifikimeve gjenetike, implanteve robotike ose çdo lloj teknologjie që i jep njeriut karakteristika, të cilat nuk i janë dhënë gjatë rrjedhës natyrore e jetës dhe evolucionit.
Për trans-humanizmin, synimi për të kapërcyer gjendjen njerëzore është paradoksalisht ajo që na karakterizon ne si specie. Biofizikani dhe trans-humanisti Gregori Stok, e përdor figurën e Prometeut për të deklaruar se akti i vjedhjes së zjarrit nga Perënditë është tipik i “qenies njerëzore”.
Për të, modifikimet bioteknologjike me synim përmirësimin e gjendjes tonë natyrore, janë të pashmangshme dhe të dëshirueshme. Në këtë kuptim, Prometeu e paraqet veten si një hero transgresiv, i cili na çliron nga kufijtë natyrorë. Gjithsesi, ia vlen të pyesim nëse përmirësimet teknike janë të mjaftueshme apo të nevojshme për suksesin dhe mbijetesën tonë.
A mjaftojnë përparimi teknologjik, çrrënjosja e sëmundjeve, zgjatja e jetëgjatësisë dhe tejkalimi i gjithçkaje që është një pengesë natyrore, që shoqëritë të jetojnë të lumtura? Trans-humanizmi propozon kapërcimin e jetës njerëzore përmes teknologjisë.
A mjafton vetëm përparimi?
Sigurisht, përmirësimet në cilësinë e jetës i maksimizojnë përfitimet. Por këto përmirësime duken të kota, të paqëndrueshme, nëse nuk ka një rend shoqëror që garanton zhvillimin dhe paqen midis qenieve njerëzore. Arritja e një sensi moral që legjitimon të drejtat e barabarta, siç mundi ta tregojë edhe Platoni me Mitin Prometean, nuk arrihet thjesht përmes përparimit teknologjik.
Besimi se përparimi, do të çojë domosdoshmërisht në përmirësimin e njerëzimit, mund të duket naiv. Mirëqenia bëhet e mundur nga një larmi e madhe faktorësh. Pozicionet trans-humaniste që i besojnë verbërisht zhvillimit bioteknologjik, e lënë mënjanë dimensionin social të qenies njerëzore. Siç e nënvizoi shumë saktë Platoni, ne kemi nevojë për një ndjenjë qytetare dhe morale që të drejtojë veprimet tona, të ruajë paqen dhe që të na pengojë të luftojmë ndaj njerëzve të tjerë. / big think – bota.al