Bota

Pse Brukseli? Ishin planifikuar, apo ishte hakmarrje? A dështuan forcat e sigurisë? Dhe a do të godasin përsëri?

Screen Shot 2016-03-22 at 22.40.09

Këto janë ditët më të zeza që Belgjika ka njohur, qysh prej Luftës së Dytë Botërore, sipas një politikani belg.

Sulmet e marrë përsipër nga Shteti Islamik vranë njerëz në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në metronë në zemër të qytetit.

Dhe shënjestrat ishin ndër më të ndjeshmet në Europë. Brukseli është qyteti ku ndodhet BE, NATO, agjenci dhe kompani ndërkombëtare, si dhe qeveria e Belgjikës.

Përse është sulmuar Brukseli?

Jo vetëm që Brukseli është një objektiv i profilit të lartë për terroristët, por Belgjika ka patur probleme me grupet terroriste islamike për shumë vite dhe qindra nënshtetas belgë janë joshur të luftojnë për Shtetin Islamik në Siri dhe Irak.

Shumë qytete kanë patur celula islamike, por më aktivet kanë qenë në Bruksel dhe në periferinë jugperëndimore të Molenbeekut – një zonë me një përqindje të lartë të popullsisë etnike marokene. Shumë prej kamikazëve dhe atentatorëve që vunë në shënjestër Parisin nëntorin e vitit që kaloi, duke vrarë 130 vetë, kishin jetuar në Molenbeek. Idyshuari kryesor nuk vdiq në sulmet e Parisit. Salah Abdeslam u rikthye në Belrgjikë një ditë më vonë dhe ia doli t’i shpëtojë policisë deri në 18 mars. Ai dhe një bashkëpunëtor u kapën gjallë, sërish në Molenbeek.

Shumë belgë prisnin një reagim nga xhihadistët. “Sigurisht që kisha pritur që dicka tjetër do të ndodhte, por jo në këtë shkallë”, tha eksperti belg i xhihadizmit, Pieter Van Ostaeyen.

Sulme të para-planifikuar, apo hakmarrje?

Atëherë a ishin dy sulmet një reagim pas suksesit të policisë të premten, që u përmbyll me kapjen e dy islamikëve të gjallë? Arrestimet ishin padyshim një goditje ndaj xhihadistëve të ISIS dhe atyre belgë.

Abdeslami është përshkruar si eksperti i logjistikës në sulmet e Parisit. Ai merrte me qera shtëpi, transportonte militantë nëpër Europë dhe kish blerë pajisje për prodhim bombash. Disa ditë para arrestimit, një bashkëpunëtor që kish qenë fshehur me të, Mohamed Belkaid, u qëllua për vdekje nga policia. Ai ishte mbështjellë me një flamur të ISIS.

“Ka më shumë gjasa që sulmet të ishin planifikuar tashmë dhe për shkak të arrestimeve, ata u përshpejtuan, sepse terroristët e dinin që po gjurmoheshin”, thotë Prof Dave Sinardet, i Universitetit të Lirë Bruksel.

Në fakt Brukseli ishte përpjekur tashmë të merrte masa kundër sulmeve të shumëfishtë, pas një alarmi 10 ditë pas sulmeve të Parisit. Për shumë ditë qytet pothuaj u mbyll, ashtu si ndodhi edhe sot, teksa transporti publik u pezullua dhe njerëzve iu kërkua të shmangin udhëtimet.

A dështuan forcat belge të sigurisë?

Njerëz të armatosur rëndë mundën të hyjnë në aeroport në Zaventem, të hapnin zjarr dhe të hidheshin në erë. Një orë më vonë, një tjetër person mundi të hyjë në metro, pak metra larg zyrave të BE dhe të hidhet në erë.

Forcat e sigurisë u vunë në gatishmëri në nëntor, rreziku terrorist ishte në nivelin e dytë më të artë dhe tashmë shumë ushtarë ishin vendosur në rrugë në shumë qytete.

Sigurisht që një forcë policore e stërmunduar nuk ia ka dalë përballë një rreziku islamik të pandalshëm. Dhe ajo vuan edhe prej prpoblemeve institucionale.

Brukseli është një kryeqytet europian relativisht i vogël dhe ai megjithatë ka gjashtë zona policie. Sistemi i kamerave të sigurisë është shumë më pak i zhvilluar se sa në Londër dhe Paris. “Eshtë e qartë që ka mangësi në nivelin e forcave të sigurisë. Prej vitesh ne nuk kemi dedikuar energjinë e mjaftueshme për cështjet e sigurisë dhe rreziqeve terroriste”, thotë Prof Sinardet. Megjithatë ai argumenton se këta lloje sulmesh terroriste janë shumë të vështirë të parandalohen, gjë që e tregon edhe Madridi, Londra e Parisi.

A mund të ketë sulme të tjerë?

Për belgët kjo është pyetja më e sikletshme. Për momentin disa të kërkuar janë në ndjekje urgjente nga policia. Një prej të dyshuarve për sulmin në aeroport (personi me kapele) ishte në arrati sot dhe policia ishte në kërkim të të dyshuarve të tjerë, pas sulmeve të Parisit, që ishin bashkëpunëtorë të Salah Abdeslam.

Një prej të dyshuarve të munduar të Parisit është Najim Laachraoui, shenjat e gishtërinjve të të cilit u gjetën në shtëpinë në Bruksel ku ishin ndërtuar bombat, dhe tjetri është Mohamed Abrini, një tjetër islamik belg.

Pas sulmeve të Parisit, eksperti amerikan i kundër-terrorizmit Clint Uatts shkruajte për “teorinë e ajsbergut të planeve terroriste”: për cdo atentator, zakonisht janë shumë të tjerë që e ndihmojnë, por ajo që shihet është vetëm maja e ajsbergut.

Uatts beson se sulmet në Bruksel janë pasojë e atyre në Paris. Ajo që nuk është ende e qartë, është nëse kanë ndërmend që të vazhdojnë gjakderdhjen gjetkë./BBC – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button