Kathleen Burk*
Kur shqyrton temën e dominimit të perëndimit dhe përse zgjati kaq shumë, ia vlen të mendosh se çfarë kërkohet për të sunduar. Qeverisja e tokave të largëta kërkon shumë para dhe një vullnet të vazhdueshëm për pushtet.
Armët e kërkuara janë fuqia ushtarake dhe ekonomike dhe aftësia për t’i projektuar ato, të mbështetura nga kontrolli i mjeteve të komunikimit. Fuqia e ideve politike dhe ekonomike është shumë më pak e rëndësishme. “Sundimi” vjen në shumë forma. Pushtimi dhe imponimi i kontrollit politik kërkon fuqi ushtarake dhe, ndonjëherë, detare. Dominimi i jashtëzakonshëm ekonomik kërkon fuqi financiare dhe tregtare, plus mbështetjen ushtarake. Sidoqoftë, kontrolli ekonomik është më i fortë për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, nëse përdorimi i forcës është i kufizuar.
Për shekuj me radhë, fuqitë perëndimore kishin aftësinë mbizotëruese për të projektuar fuqinë e tyre nga toka, deti dhe, më vonë, nga ajri. Nga fillimi i shekullit të 18-të, Rusia pushtoi një perandori tokësore dhe mbajti kontrollin përmes fuqisë së madhe ushtarake dhe përdorimit të hekurudhave. Në shekullin e 17-të, Hollandezët, Portugezët, Britanikët, Francezët dhe Spanjollët zotëruan të gjithë përvojën dhe burimet e nevojshme për pushtimin oqeanik. Një forcë e tillë normalisht vë nën kontroll një popullsi të madhe: konsideroni britanikët në Indi, belgët në Kongo dhe disa fuqi perëndimore në Kinë.
Pasi ke arritur pushtetin politik, fuqia ushtarake dhe policore mund të përdoren për ta ruajtur atë, veçanërisht nëse kombinohen me taktikat përçaj dhe sundo – mbështetjen e elitave kundër pjesës tjetër, që ka qenë gjithmonë preferenca britanike, ose mbështetjen e njërës palë në konfliktet e brendshme. Armët e përdorura në ruajtjen e fuqisë ekonomike përfshijnë aftësinë për të mobilizuar dhe kontrolluar financat – blerjen e aleatëve dhe pagimin e ryshfeteve – dhe, me sistemin modern financiar ndërkombëtar, fuqinë për të ndalur qasjen në fonde. Jetike për të dyja është kontrolli i komunikimeve, një shembull është dominimi britanik i trafikut ndërkombëtar kabllor për shumë vite me radhë.
Japonia ishte i vetmi vend në Azi ose Afrikë që kishte, të paktën pjesërisht, pikat e forta të nevojshme për të ushtruar pushtetin: fuqinë ushtarake dhe detare, duke përfshirë forcat ushtarake plotësisht të stërvitura dhe të pajisura, në gjendje të mposhtnin një ushtri perëndimore (në rastin e Japonisë, atë të Rusisë); kontrolli mbi burimet e qëndrueshme të financave; zotërimi i komunikimeve të shpejta, të brendshme ose të jashtme; dhe kohezioni i brendshëm. Japonia mbeti e pavarur. Urrejtja ndaj të huajit nuk ishte e mjaftueshme për të shpëtuar vendet e tjera të Azisë dhe Afrikës nga dominimi perëndimor.
Kathleen Burk është profesore e historisë moderne dhe bashkëkohore në University College London, e specializuar në marrëdhëniet anglo-amerikane dhe historinë e shekullit 20
BBC – Bota.al