Tendenca për të rrëfyer çdo moment të jetës sonë sikur të ishte pjesë e një romani epik apo një episod që synon të bëhet viral ka marrë epërsi, duke e reduktuar shpesh ekzistencën tonë në një thjeshtësi ngjarjesh që “shiten” apo “konsumohen”.
Nga një art, rrëfimi është kthyer në një imperativ social, duke konsumuar të vërtetën tonë dhe duke na bërë gjithnjë e më shumë protagonistë të një historie që nuk na përket më, por që është rezultat i pritshmërive sociale, i trendeve dhe i nevojës për dukje.
Kur zgjedhim “rrëfimin”, në fakt, shkëputemi nga realiteti, duke e reduktuar përvojën e jetuar në diçka abstrakte, që humbet intensitetin dhe pasurinë e momentit të tanishëm. Dhe, duke kërkuar me ngulm të jemi gjithmonë në qendër të vëmendjes, përfundojmë duke u konformuar, duke harruar që jemi unikë, duke harruar origjinalitetin tonë, i cili përbëhet nga emocione, frikëra dhe kontradikta, të cilat nuk mund të përmblidhen në një rrëfim të thjeshtë e linear. Por, a ka ardhur koha që të shohim jetën jo vetëm si një histori për t’u treguar?
Të ekzistosh është shumë më komplekse sesa fabula e një filmi. Humanizmi ynë qëndron në faktin se nuk jemi gjithmonë në qendër të vëmendjes, si dhe në aftësinë për të jetuar së bashku, për të dëgjuar dhe për të mos pasur frikë të qëndrojmë jashtë dritave të projektorëve.
Jeta e vërtetë, ajo që na ndërton dhe na formon, përbëhet nga takime, përvoja dhe momente që nuk mund të rrëfehen, dhe vetëm kur ndalojmë së përpjekuri për t’i rrëfyer ato, mund të jetojmë plotësisht.
Nëse do të ndalonim ta konceptonim jetën si një histori, ndoshta do të arrinim ta jetonim më thellë, të dëgjonim më shumë, të ishim më të pranishëm në marrëdhëniet tona, dhe të vlerësonim kompleksitetin e përvojave që nuk kanë nevojë të tregohen për të qenë të vërteta.
Ekzistenca jonë nuk është një performancë, por një takim, një vallëzim që nuk kërkon duartrokitje, por vetëm pjesëmarrje autentike. / bota.al