Nga Sarah Al Amiri
Përpara nesh kemi një epokë e re të eksplorimeve hapësinore. Gara që e karakterizoi eksplorimin tonë të hershëm të hapësirës është shndërruar sot në një industri globale shumë dinamike. Modelet tona ekzistuese të qeverisjes dhe bashkëpunimit në këtë fushë nuk janë më efektive.
Ne kemi një nevojë urgjente për modele të reja që të adresojnë sfidat e reja gjeopolitike, ekonomike dhe të qëndrueshmërisë. Industria e hapësirës shihet me të drejtë si pioniere: ajo po zgjeron jo vetëm vazhdimisht kufijtë e eksplorimit, por po mundëson edhe rritjen ekonomike të shumë vendeve.
Nga komunikimet, tek meteorologjia dhe deri tek inxhinieria, ajo ka një ndikim të madh në ekonomitë tona, duke i shtuar asaj shërbime me vlerë të lartë, dhe duke krijuar vende pune që kërkojnë një kualifikim të lartë. Ndaj nuk është për t’u habitur që tregu i sistemeve dhe shërbimet hapësinore globale vlerësohet të arrijë në rreth 1 trilionë dollarë deri në vitin 2040.
Megjithatë, ky sektor rrezikon të bjerë viktimë e suksesit të tij. Ndërsa po rritet qasja në hapësirë, ajo po bëhet më e mbingarkuar se kurrë. Me më shumë se 70 vende të botës që kanë tashmë programet e tyre hapësinore, plus shumë ndërhyrje të sektorit privat, përdorimet komerciale të hapësirës janë shumëfishuar, dhe po ashtu edhe numri i objekteve që lëshohen në orbitën e ulët të Tokës.
Kjo situatë krijon dy sfida kryesore. E para është grumbullimi i mbeturinave në orbitë të krijuara nga njeriu, të cilat bashkë me mbipopullimin e satelitëve dhe fragmenteve të ndryshme në orbitën e ulët të Tokës, e kanë rritur probabilitetin e aksidenteve dhe përplasjeve, duke nxitur me të drejtë shumë pikëpyetje rreth ndikimit mjedisor.
Nëse kjo problematikë do të lihet e pa menaxhuar, do të rrezikohet aftësia jonë për të lundruar në hapësirë në mënyrë të sigurt, gjë që mund të çojë në kufizime në përdorimin dhe qasjen në hapësirës. Vendet që kanë programet hapësinore si dhe aktorët e sektorit privat duhet ta mendojnë orbitën e ulët të Tokës si një zgjatim të mjedisit tonë këtu poshtë dhe ta menaxhojnë atë në të njëjtën mënyrë.
Sfida e dytë është militarizimi në rritje i hapësirës, pasi vijat ndarëse midis aktivitetit tregtar dhe atij ushtarak po mjegullohen në mënyra të reja. Në rast se satelitët dhe anijet kozmike do të shndërrohen në objektiva sulmi, mbeturinat që do të shkaktojnë mund t’i bëjnë të papërdorshme orbita të tëra.
Kjo është shqetësuese, prandaj kërkohet një mbikëqyrje e kujdesshme. Nëse synohet që hapësira të mbetet një fushë e sigurt dhe e përdorur për qëllime të mira, duhet të hulumtohen përpjekje të reja shumëpalëshe, përfshirë marrëveshjet e mundshme të kontrollit të armëve.
Aktualisht jemi pranë një momenti shumë delikat. Traktatet themelore të Kombeve të Bashkuara, si dhe kornizat ndërkombëtare të përdorura për të qeverisur hapësirën – të krijuara kryesisht gjatë Luftës së Ftohtë, kur vetëm SHBA dhe Bashkimi Sovjetik patën një akses të konsiderueshëm në dërgimin e mjeteve në hapësirë – nuk janë më të përshtatshme për këtë qëllim.
Ndërsa ato ofrojnë një bazë të fortë, nevojiten përmirësime të mëdha për të rregulluar aktivitetet e lojtarëve të rinj në këtë fushë, sidomos në sektorë si përdorimi i satelitëve, menaxhimi i trafikut, turizmi dhe eksplorimi i hapësirës.
Ashtu siç kemi modifikuar politikat tona globale për klimën dhe energjinë, kemi rregulluar sektorin e teknologjisë dhe kemi riformuluar të drejtat e privatësisë dhe të dhënave, është koha që të nxisim një transformim të ngjashëm edhe në sektorin e hapësirës.
Përpjekjet diplomatike për të gjetur një rrugë në këtë drejtim kanë qenë të ngadalta dhe nuk kanë shënuar ndonjë përparim domethënës. Me zgjerimin e aktivitetit hapësinor, rregullat ekzistuese do të jenë nën një presion në rritje. Për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjet për qeverisjen e hapësirës, ne kemi nevojë për një ripërtëritje të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shumë organe qeveritare dhe joqeveritare po punojnë aktualisht për të përshpejtuar bashkëpunimin, përfshirë Agjencinë Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe ku punoj edhe vetë, e cila në dhjetor mblodhi në një takim shumë ekspertë në Debatin mbi Hapësirën që u zhvillua në Abu Dhabi.
Sot përballemi me dy skenarë të ndryshëm. Sfidat rregullatore dhe mundësinë e katastrofave hapësinore, të cilat mund ta kufizojnë inovacionin dhe të lënë të pashfrytëzuar perspektivat e këtij sektori. Në anën tjetër, bashkëpunimi global dhe strukturat e qarta të qeverisjes mund të lehtësojnë përdorimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të hapësirës. Arritja e kësaj gjëje nuk do të jetë një detyrë e vogël. Por një komunitet hapësinor liberal dhe i zhvilluar mund të ketë sukses vetëm nëse këtë e garantojmë të gjithë së bashku.
Shënim:Sarah Al Amiri, drejtore e agjencisë Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ministre e Shtetit për Arsimin Publik dhe Teknologjinë e Avancuar. / new scientist – bota.al