Bota

Pse NATO dhe BE s’mund të ecin dot së bashku?

Screen Shot 2015-09-29 at 09.28.40

Nga William Drozdiak

“Brookings Institute”

Për cilindo që kalon kohën në Bruksel, një nga misteret më enigmatike në të vetë-vetëquajturin “kryeqyteti i Evropës”, është mungesa e komunikimit ndërmjet Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian. Edhe pse këto institucione jetike perëndimore, janë të vendosura vetëm disa kilometra larg nga njëri-tjetri, ka një mungesë të çuditshme koordinimi politikash ndërmjet tyre. E gjitha kjo, në një kohë kur kontinenti evropian po përballet me kriza të shumta, zgjidhja e të cilave kërkon mençuri, një mënyrë të menduari novatore dhe përdorimin e zgjuar të burimeve.

Të lumtur së bashku

Nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë mes BE-së dhe NATO-s, ka kuptim për disa arsye. Aktualisht ekziston një mbivendosje e madhe në anëtarësimet në të dyja organizatatat se kurrë më parë:22 nga 28 vendet e NATO-s, janë ndërkohë edhe anëtare të BE-së. Aleatët evropianë janë të shqetësuar rreth tërheqjes amerikane, dhe duan të shohin një riangazhim të Uashingtonit për sigurinë e tyre.

Në përforcimin e lidhjeve midis dy organizatave, Evropa mund të risigurohet nga një përfshirje e qëndrueshme amerikane në kontinentin e tyre. Dhe lidhjet më të thella ndërmjet NATO-s dhe BE-së, mund të prodhojnë përfitime politike të prekshme, ndoshta edhe për të bindur Britaninë të qëndrojë në BE.

Për Shtetet e Bashkuara, kjo lloj iniciative mund të rigjallërojë aleancën transatlantike, si themeli e politikës, sigurisë dhe marrëdhënieve tona ekonomike me pjesën tjetër të botës. Ajo gjithashtu mund të dëshmojë se bashkësia e demokracive perëndimore, mbetet ende fronti ynë kryesor i betejës në mbrojtjen e vlerave dhe interesave të përbashkëta në shekullin e XXI-të.

Një qasje e re në bashkëpunimin mbi sigurinë e perëndimit – duke filluar me krijimin e një këshilli për  planifikimin e politikave të përbashkëta që lidh BE dhe NATO – duhet të shtrihet përtej doktrinave ushtarake, dhe të përgatisë përgjigje me më imagjinatë ndaj kërcënimeve aktuale. Ato përfshijnë luftën hibride të Rusisë, valën në rritje të refugjatëve nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, sëmundjet pandemike, ndryshimi i klimës dhe destabiliteti ekonomik në periferinë e Evropës.

Sfidat e ardhshme të sigurisë, do të kërkojnë përgjigje më pluraliste politikash, gjë që mund të arrihet më mirë, duke kombinuar asetet dhe aftësitë e NATO-s dhe BE-së. Në luftën kundër terrorizmit, NATO-ja mund të bashkëpunojë drejtpërdrejt me BE-në, për të ndërlidhur bazat e të dhënave kombëtare mbi kriminalitetin, dhe përdorimin e kompetencave të veçanta të unionit, për të konfiskuar pasuritë financiare të kriminelëve të dyshuar.

Ndërkaq, BE-ja dhe NATO-ja ndërkaq të bashkëpunojnë edhe për të shmangur konfliktin me Rusinë, mbi kontrollin e burimeve të energjisë dhe të linjave të anijeve përmes rajonin të Arktikut. Shkrirja e akullnajave polare, do të transformojë rrugët globale të anijeve, duke shkurtuar mijëra milje detare dhe deri në 7 ditë udhëtim, jashtë itinerareve aktuale nëpër kanalin e Suezit dhe Panamasë. Vetëm këto arsye janë të mjaftueshme, që Perëndimi të parandalojë me të gjitha mënyrat dominimin rus në Arktik.

Sfidat e tjera rajonale, do të kërkojnë sërish një bashkëpunim më të ngushtë mes NATO-s dhe BE-së. OKB-ja parashikon se bota do të ketë nevojë për 70 përqind më shumë ushqim, për të ushqyer një popullsi globale prej afro 9.6 miliardë banorësh deri në vitin 2050; disa ekspertë thonë se të paktën 30 vende do të kenë nevojë jetike për ujë të pijshëm, brenda 10 viteve të ardhshme.

Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimin e Klimës, parashikon që deri në vitin 2020, 75-250 milionë afrikanë mund të përballen me urinë apo thatësirën, gjë që mund të shkaktojë luftëra të reja, të cilat mund të kërkojnë ndërhyrjen e BE-së dhe NATO-s.

Mirë për ekonominë

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, aktualisht po negociojnë për krijimin e Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve (TTIP), duke shpresuar të arrijnë një marrëveshje vitin e ardhshëm. Ndërsa ka shumë pengesa për këtë, përkrahësit besojnë se TTIP mund të ndihmojë riafirmimin e udhëheqjes perëndimore në ekonominë globale, dhe do të shërbejë si një lloj “NATO-je ekonomike”, në të cilin Perëndimi mund të vendosë standardet e ardhshme për pjesën tjetër të botës.

Edhe sot, në dritën e rritjes së Kinës dhe Indisë, flukset tregtare dhe investimeve ndërmjet Evropës dhe Amerikës së Veriut, përbëjnë gati gjysmën e të gjithë aktivitetit ekonomik global. Një nxitje e vendosur për të rrezuar Murin e Brukselit që ndan NATO-n dhe BE-në, duhet të shoqërojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjes TTIP, deri në fund të administratës Obama.

Kjo nga ana e saj, mund të stimulojë një ndarje më racionale të punës midis dy organizatave. Sot, qeveritë anëtare u dërgojnë shpesh udhëzime të veçanta dhe nganjëherë kontradiktore delegacioneve të tyre në NATO dhe BE. Një konfuzion i tillë mund të shkaktojë përgjigje politike kaotike, siç shihet edhe në mënyrën sesi Gjermania, Hungaria, Serbia, Kroacia, dhe Austria po punojnë për të menaxhuar valën e refugjatëve që kalojnë kufijtë e tyre.

Dështimi për t’u marrë me këtë krizë, ka komplikuar ndarjet e mëhershme në mes veriut dhe jugut gjatë eurokrizës, dhe zbehu një pjesë të mirë të entuziazmit të opinionit publik për një Evropë më të bashkuar, duke nxitur nga ana tjetër një rritje të mbështetjes për demagogët populistë, që përbëjnë një kërcënim për stabilitetin politik.

Mirë për sigurinë

Sjellja agresive e Rusisë në lindje të Ukrainës, dhe kërcënimet për të destabilizuar pjesët e tjera të Evropës Lindore, i kanë dhënë një rëndësi të re rolit të NATO-s. Por si një institucion i edukuar me mentalitetin e Luftës së Ftohtë, Aleanca mbetet akoma shumë e izoluar dhe e dominuar nga këndvështrime të ngurta ushtarake, në një kohë që natyra e kërcënimeve të sotme, kërkon konsiderata ekonomike, kibernetike, të shëndetit dhe madje edhe mbi mediat sociale.

Në rastin e Ukrainës, vendet perëndimore vendosën më herët se nuk ishin të përgatitura të rrezikonin një konfrontim ushtarak, me Rusinë e pajisur me armë bërthamore. Në mungesë të një përgjigje ushtarake, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, kanë investuar shpresat e tyre tek një sërë sanksionesh ekonomike për të ushtruar presion ndaj Moskës, e për të kërkuar një zgjidhje të negociuar.

Suksesi i politikës perëndimore në Ukrainë, varet me shumë gjasa nga sa mbështetje financiare mund të japin Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ndaj Kievit, sesa nga roli i vetë NATO-s. Një qasje politike holistike nga BE dhe NATO, ndaj të gjitha kërcënimeve të reja të sigurisë, do të inkurajojë kontribute më të mëdha nga aleatët perëndimorë, duke tërhequr një gamë shumë të gjerë burimesh nga qeveritë anëtare, për të gjetur zgjidhje efektive. Nevojitet një revolucion Kopernikan, për të rishqyrtuar se si këto institucione perëndimore, mund të ndërtojnë misione më të unifikuara, që do t’i japin NATO-s dhe BE-së më shumë garanci për vazhdimësinë e ekzistencës.

Shënim: William Drozdiak është bashkëpunëtor i Brookings për Evropën. Për më shumë se 20 vjet, ai ka punuar si redaktor, korrespondent i huaj, dhe shefi i byrosë të gazetës ”The Washington Post”

Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button