Kur imagjinojmë të ardhmen tonë përpiqemi të minimizojmë ngjarjet e pakëndshme dhe mbivlerësojmë faktet pozitive, një gabim gjykimi që na bën jo të besueshëm. Si do të jetë jeta jonë pas 5 apo10 vitesh? Mendoni pak dhe më pas analizoni përgjigjet tuaja. A ka mundësi të jenë të bukura? Kur vjen fjala tek parashikimet nuk jemi të besueshëm. Mendojmë se nuk na prekin ngjarjet negative dhe mbivlerësojmë mundësinë për t’u ndeshur me ngjarje pozitive. Psikologët e quajnë optimizëm jo real dhe është një dukuri që ndikon mbi aftësinë për vendimmarrje. Megjithatë, në të njëjtën kohë pa këtë shtysë të vetëinkurajimit, rrezikojmë të humbim.
Pse duhet të mbarojë? Për temën flitet në një artikull tek “The Atlantic” që citon disa shembuj interesantë. Mes viteve 1956 dhe 1962 një psikolog i universitetit në Cape Town, në Afrikën e Jugut u kërkoi 436 studentëve të liceut dhe universitarëve të hynin në rolin e historianëve dhe të shkruanin parashikime mbi të ardhmen për vitet që mbeteshin nga shekulli i XX. Dy të tretat e studentëve afrikanë dhe 80% e studentëve indianë parashikuan drejt fundin e aparteidit. Vetëm 4% e afrikanëve me ngjyrë të bardhë e gjeti korrekt parashikimin. Ata që po përfitonin nga kjo situatë politike hezitonin të besonin se do të përfundonte. Për të njëjtin motiv, pas zgjedhjeve politike, përpiqemi të shtrembërojmë perceptimin tonë për votimin. Konsiderojmë si të favorizuar kandidatin tonë të preferuar. Ja edhe një parashikim tjetër i dështuar. Në fund të vitit 2007 pavarsisht shenjave të dukshme të një recesioni, shumë ekonomistë hezitonin të parashikonin katastrofën ekonomike që do të prekte SHBA-në dhe botën në 2008.
Arsyet psikologjike. Jo vetëm që besojmë se diçka që e dëshirojmë do të realizohet ose ajo që nuk e duam nuk do të realizohet. Optimizmi jo real ka përbërës të lidhur me ankthin, përpiqemi të mbledhim dhe sintetizojmë fakte që duan dëshirat tona dhe i anashkalojmë të tjerat. Kërkimet pohojnë se të dhënat që mbështesin vullnetin e gjithsecilit janë më të disponueshme për kujtesën se ato më pak të dëshirueshme. Gjithashtu tërhiqemi nga ngjarje të sferës personale duke përjashtuar ato që vijnë nga jashtë. Kjo ndodh me ngjarjet që duken të kontrollueshme (martesa, divorce, suksese në punë). Ato që duken më të largëta në kohë si vdekja janë më të lehta për t’u nënvleftësuar.
Duhet të besojmë se është kështu. Nuk është thjesht një mohim i riskut. “Njerëzit nuk thonë: nuk mund të më ndodhë, por mund të më ndodhë, ama ka më pak të ngjarë të më ndodhë mua,” shpegon Neil Weinstein. Në fund të viteve 70 neuropsikologu nga Rutgers University e zbuloi optimizmin jo real rastësisht duke i pyetur studentët e tij sa ishte probabiliteti që t’u ndodhte ngjarje negative si agresione, divorce, sëmundje dhe pushime nga puna. Pothuaj të gjitha përgjigjet ishin poshtë mesatares. Kur Weinstein u tregoi studentëve faktorët e riskut për çdo ngjarje, gabimi në gjykim u reduktua, por jo plotësisht. Për shkencëtarin ky nuk është plotësisht një fakt negativ, mund të jetë një përshtatje, një mënyrë për të zvogëluar frikën e së ardhmes. / Focus – Bota.al