Psikologji

Pse preferon të rrish në shtëpi, në vend që të dalësh me miqtë?

Të relaksohesh në shtëpi është diçka e çmuar, por nëse fillon të neglizhosh lidhje ose përvoja të rëndësishme, ndoshta është momenti të pyesësh veten pse.

“Je kaq i mërzitshëm!” “Duket sikur nuk do të na shohësh”, “Je bërë si jeremit” “S’të gjejmë as me GPS”… Nëse ndonjëherë të ka ndodhur të dëgjosh këto fjali dhe të thuash “jo, faleminderit” për një dalje me miqtë, nuk je vetëm. I ka ndodhur shumicës së njerëzve, të paktën një herë në jetë.

Dhe megjithëse priremi ta trajtojmë këtë shqetësim me ironi, e vërteta është se pas këtij vendimi mund të fshihet diçka më e thellë që ia vlen të kuptohet. Të preferosh të rrish në shtëpi nuk është gjithmonë pasojë e apatisë, trishtimit apo mungesës së jetës sociale. Ndonjëherë është thjesht nevoja për të qenë me veten.

Në fakt, shkenca sugjeron se të kalosh kohë vetëm mund të jetë e dobishme: të ndihmon të rregullosh mendimet, të ekuilibrosh emocionet dhe të rilidhesh me nevojat e tua. Por siç ndodh shpesh në një kulturë që vlerëson njerëzit ekstrovertë dhe pjesëmarrjen e vazhdueshme sociale, disa mund të mos e kuptojnë apo ta gjykojnë këtë sjellje.

Tani… a është kjo normale?

Për t’i kuptuar më mirë, le të shqyrtojmë arsyet më të zakonshme.

  1. Rimbush energjinë pas një jave të lodhshme

Të duash të rrish në shtëpi nuk do të thotë gjithmonë mërzi; ndonjëherë është thjesht mënyra për të pushuar. Pas javësh të mbushura me ekrane, trafik dhe kërkesa, shtëpia bëhet një strehë pa presione apo pritshmëri, ku mund të ngadalësosh ritmin dhe të rikthehesh te vetja.

Siç thuhet në një postim të Wexner Medical Center, të kalosh kohë vetëm mund të ulë stresin dhe ankthin, sidomos për introvertët, për të cilët vetmia është një formë kujdesi vetiak. Të jesh në një ambient të njohur, në heshtje dhe me lirinë për të zgjedhur, sjell mirëqenie dhe ndjesi kontrolli që rrallë i gjen jashtë.

Nuk bëhet gjithmonë fjalë për “shkëputje”. Shpesh është pikërisht dëshira për të pushuar nga gjithçka që të mbron nga shterimi mendor: bisedat e vazhdueshme, përshtatja me grupin apo vendimmarrja. Për dikë të lodhur, zgjidhja nuk është të bëjë diçka ndryshe, por të bëjë më pak.

Të rrish në shtëpi është një mundësi për të fjetur më shumë, për të injoruar mesazhet, për të shtyrë detyrat dhe për të boshatisur agjendën pa ndjenja faji. Nuk është ide e keqe të pranosh se të duhet ajo hapësirë; përkundrazi, ta pranosh është shenjë pjekurie emocionale.

  1. Të pëlqejnë aktivitetet personale që të sjellin kënaqësi

Të shikosh një serial, të lexosh, të gatuash, të vizatosh, të kujdesesh për bimët… të rrish në shtëpi të jep mundësinë të rikthesh aktivitete që jo vetëm të argëtojnë, por edhe ushqejnë mirëqenien emocionale. Nuk është mungesë interesi për të tjerët, por vlerësim për kohën me veten, pa ndërprerje apo kërkesa të jashtme.

Megjithatë, kjo zgjedhje shpesh keqkuptohet. Shumë njerëz ndihen të detyruar të justifikojnë preferencën për shtëpinë, si të ishte diçka e çuditshme apo egoiste. Përballë këtij presioni, është e rëndësishme të njohësh nevojat e tua dhe të kujtosh se nuk ka vetëm një mënyrë për të pasur një jetë të kënaqshme.

Edhe vendosja e kufijve në mënyrë të qartë dhe pa ndjenja faji është një gjest kujdesi ndaj vetes. Të thuash diçka të tillë si “Sot do preferoja të rri në shtëpi, por do më pëlqente të shihemi një ditë tjetër” ndihmon në ruajtjen e mirëqenies pa prishur marrëdhëniet. Të kujdesesh për veten, në fund të fundit, është edhe një mënyrë për t’u kujdesur për të tjerët.

  1. Vlerëson rehatinë dhe kontrollin mbi ambientin tënd

Të rrish në shtëpi nuk është vetëm pushim, por edhe të jetosh në një hapësirë që ndjek ritmin tënd. Nuk ke pse të shqetësohesh se çfarë do të thonë të tjerët, çfarë do të veshësh apo sa para do të shpenzosh. Aty nuk ka presion, gjykim apo detyrime. Ti vendos çfarë të bësh, si të ndihesh dhe çfarë tingujsh të dëgjosh. Kjo liri për të vendosur përkthehet në mirëqenie.

Të kesh kontroll mbi ambientin tënd ul stresin dhe ndihmon në balancimin emocional. Mundësia për të rregulluar stimujt si zhurma, drita ose niveli i ndërveprimit ndikon pozitivisht në ndjesinë e sigurisë së brendshme.

Për këtë arsye, shumë njerëz e konsiderojnë shtëpinë si burim qetësie të thellë, ku zakone të thjeshta, si një pije e ngrohtë, një playlist apo një qoshe private, bëhen pika mbështetjeje për shpirtin.

  1. Je më autentik në intimitet

Ka njerëz që shkëlqejnë në grup dhe të tjerë që ndihen më të plotësuar në hapësira të qeta. Ambienti personal bëhet i vetmi vend ku mund të eleminosh tensionin, të heqësh maskat dhe të mos u përgjigjesh pritshmërive. Nuk ke nevojë të shpjegosh, të shtiresh apo të kënaqësh: mjafton të jesh vetvetja.

Vetmia e zgjedhur në shtëpi mund të ndihmojë në rikthimin tek identiteti yt më i vërtetë. Mund të flasësh me veten me zë, të mbash ditar, të qash, të këndosh apo thjesht të vëzhgosh veten pa gjykime.

  1. Jo të gjitha planet sociale të motivojnë njësoj

Të preferosh të rrish në hapësirën tënde nuk do të thotë se refuzon shoqërinë, por se u jep vlerë takimeve që kanë kuptim. Jo çdo plan të tërheq, dhe ta pranosh këtë nuk është ftohtësi, por qartësi emocionale.

Me kalimin e kohës, ndërsa kupton më mirë preferencat e tua, fillon t’u japësh prioritet marrëdhënieve dhe përvojave autentike që përmirësojnë jetën tënde. Ambientet e zhurmshme, angazhimet e detyruara apo grupet ku nuk ndihesh vetvetja, humbasin rëndësinë përballë projekteve më të qeta dhe personale.

Kur bën diçka që nuk përputhet me gjendjen tënde të brendshme, lind një parehati që është e vështirë për t’u injoruar – e njohur si disonancë emocionale. Prandaj, të zgjedhësh ndershmërisht ku dhe me kë dëshiron të jesh është një formë respekti për veten, jo egoizëm.

  1. Ambientet me shumë stimuj të mbingarkojnë

Për shumë njerëz, të qëndrosh në shtëpi është mënyra për të shmangur vende me stimuj të shumtë që mund të shkaktojnë stres. Po, shumë e pëlqejnë zhurmën, dritat dhe ndërveprimet sociale të shumta. Por për të tjerë, ky tepricë stimujsh sjell shqetësim emocional e ndonjëherë edhe fizik.

Nëse të ndodh, mos u shqetëso. Çdokush ka një prag të ndryshëm ndjeshmërie. Ata që e perceptojnë më thellë ambientin përreth, lodhen më shpejt nga zhurmat, lëvizjet apo turma. Ajo që për disa është argëtim, për të tjerë është lodhje.

Për më tepër, këto ambiente e bëjnë të vështirë të kesh biseda të thella dhe krijojnë ndjenjën e shkëputjes edhe kur je mes njerëzve. Prandaj shpesh është më çlodhëse të jesh në një ambient të qetë, si ai që kemi zakonisht në shtëpi.

  1. Zgjedh në mënyrë më të vetëdijshme si e investon kohën tënde

Të dalësh vetëm për detyrim apo për të shmangur pyetje të sikletshme si “Pse nuk erdhe?” nuk ka më kuptim kur fillon të vlerësosh kohën dhe energjinë tënde. Në vend që të ndjekësh pritshmëritë e të tjerëve, ti zgjedh të përfshihesh në aktivitete dhe marrëdhënie që të ushqejnë apo përmbushin nevojat e tua në atë moment.

Në shumë kultura, veçanërisht në ato urbane të perëndimit, socializimi lidhet me mirëqenien dhe suksesin: ai që del ka jetë; kush rri brenda, duket sikur humbet diçka. Ky presion i shtyn njerëzit të marrin pjesë në ngjarje apo takime, si të ishte një detyrim.

Në këtë kontekst, rrjetet sociale luajnë një rol të madh. Ato përforcojnë këtë ide duke treguar çfarë bëjnë të tjerët: udhëtojnë, festojnë, dalin vazhdimisht — çka të bën të ndihesh fajtor ose i frustruar për faktin që po qëndron në shtëpi duke parë një serial apo duke lexuar.

Por këto pritshmëri të jashtme nuk duhet të ndikojnë në vendimet e tua. Të rrish në shtëpi apo të preferosh aktivitete të tjera nuk është shenjë mungese interesi. Kështu mund të menaxhosh kohën dhe vëmendjen tënde sipas dëshirës dhe të fokusohesh te gjërat që të pasurojnë vërtet. / bota.al

Back to top button