Vendosja e pengesave mbi tregtinë kineze ishte fokusi kryesor i Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial – por tani ka një ndryshim në qasje
Të gjithë e dimë që Donald Trumpi i adhuron tarifat. Jo shumë kohë më parë, ai tha se ishte fjala e tij e preferuar në gjuhën angleze.
Por një gjë që mund t’i habisë njerëzit është pse ai është kaq i etur për të vendosur tarifa mbi Meksikën dhe Kanadanë. Në fund të fundit, gjatë mandatit të tij të parë, fokusi i tij kryesor në tregti ishte Kina.
Gjatë presidencës së tij u vendosën tarifa të forta mbi Kinën dhe Vietnamin (i cili shpesh shihet si një kanal alternativ për mallrat kineze). Nga ana tjetër, Kanadaja dhe Meksika fituan një marrëveshje të re tregtare, e cila zëvendësoi marrëveshjen e vjetër NAFTA.
Çfarë ka ndryshuar?
Ndërsa presidenti ka përsëritur shpesh se tarifat do të pengojnë Meksikën dhe Kanadanë nga dërgimi i opioideve në SHBA, një shpjegim më bindës shfaqet kur shohim të dhënat tregtare të Amerikës.
Ato tregojnë se që kur tarifat u vendosën gjatë mandatit të parë të Trumpit, importet nga Kina në SHBA kanë rënë ndjeshëm. Ndërkohë, importet nga Meksika dhe Kanadaja janë rritur ndjeshëm, me Meksikën që tani ka tejkaluar Kinën si eksportuesi më i madh drejt SHBA.
Nëse ka një gjë që Donald Trump e urren po aq shumë saç do tarifat, ato janë defiçitet tregtare – pra kur një vend importon më shumë mallra nga një shtet tjetër, sesa eksporton. Ekonomistët i shohin defiçitet si një funksion të pashmangshëm të një ekonomie moderne të zhvilluar; Trumpi i sheh ato si një lloj ndëshkimi – një subvencion për vendet e huaja.
Qasja e çuditshme e Trumpit ndaj botës
Kjo është një mënyrë e çuditshme për të parë botën. Ndërsa ka shqetësime të ligjshme për strukturën e ekonomisë amerikane, paaftësinë e saj për të zhvilluar sektorin e prodhimit dhe ndikimin e mbiprodhimit të Kinës në ekonominë globale, të shohësh çdo defiçit si negativ është diçka absurde.
Megjithatë, nëse e shikon botën në këtë mënyrë, atëherë pozicioni tregtar i SHBA me Meksikën nuk të pëlqen aspak.
Nëse i shohim shifrat, defiçiti tregtar është rritur në mënyrë dramatike në vitet e fundit – dhe jo vetëm për shkak të importeve të mëdha të naftës nga Meksika. SHBA po importon gjithashtu shumë më tepër makina nga Meksika, sesa po eksporton atje.
Në një masë të madhe, kjo është një pasojë e marrëveshjes së tregtisë së lirë, e cila ka inkurajuar prodhuesit e makinave (përfshirë disa prodhues amerikanë) të montojnë makinat e tyre në Meksikë. Gjithashtu, ka dyshime se defiçiti i Meksikës me SHBA është pjesërisht pasojë e ndryshimeve në sistemin tregtar global gjatë pesë viteve të fundit.
Në të kaluarën, mallrat dërgoheshin direkt nga Kina në SHBA, por ka prova që sugjerojnë se tani ato kalojnë përmes “vendeve të treta”, përfshirë Meksikën, ku përpunohen dhe më pas eksportohen si produkte të gatshme në SHBA. Ky fenomen pritet të përshpejtohet në vitet e ardhshme.
Mjafton të shohim numrin e makinave që po kalojnë nga Kina në Meksikë në vitet e fundit – edhe ai është në rritje të shpejtë. E gjithë kjo tregon se ka dinamika intriguese në tregtinë ndërkombëtare që kanë tërhequr vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë.
Çfarë do të ndodhë?
Cili do të ishte ndikimi i tarifave? Sipas shumicës së modeleve ekonomike, ato do të shkaktonin rritje të inflacionit dhe ngadalësim të rritjes ekonomike. Me pak fjalë, ato do të kishin një efekt negativ – veçanërisht nëse aplikohen mbi pothuajse të gjitha mallrat.
Por, meqë kemi të bëjmë me Donald Trumpin, mbeten ende shumë pyetje mbi mënyrën se si këto tarifa do të zbatohen konkretisht.
Javët e fundit kanë qenë kaotike për botën e ekonomisë tregtare, e cila zakonisht është e mërzitshme. Vitet në vijim mund të jenë edhe më kaotike. / bota.al