Shendeti

Pse tumoret janë më të zakonshëm tek burrat, sesa tek gratë?

Më shumë se gjysma e pacientëve me tumor në tru, të neuroonkologut Xhon Rubin gjatë karrierës së tij 25-vjeçare, kanë qenë burra. Edhe kolegët e Rubin, fillimisht  në Institutin e Tumorit Dana-Farber në Boston të SHBA, dhe për 16 vitet e fundit në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit, vunë re një dukuri të ngjashme.

Rreth një dekadë më parë, kureshtar për të mësuar nëse përvojat e kolegëve të tij mbështeteshin nga të dhënat empirike, Rubin shqyrtoi regjistrat kombëtarë për shpeshtësinë dhe rezultatet e kancerit. Të dhënat zbuluan se në fakt, për dekada me radhë është dokumentuar “se në përgjithësi, meshkujt preken më shumë nga kanceri, sesa femrat”, thotë ai.

Parashikimet dhe mbijetesa, ishin gjithashtu tipikisht më të këqija tek meshkuj sesa tek gratë për një sërë tumoresh, mësoi Rubin. Përtej tumoreve, për të cilat anatomia dikton se ato janë kryesisht ose ekskluzivisht femërore, si tumoret në vozore, mitër dhe qafës së mitrës – vetëm disa prej tyre ishin më të zakonshëm tek femrat.

Kur bëhej fjalë për tumoret e trurit, “gati të gjithë” ndiqnin modelin e prekshmërisë më të madhe të meshkujve, thotë Rubin. Për të kuptuar pse ndodh kjo, ai dhe kolegët e tij vendosën të bëjnë disa studime paraprake në laborator.

Pasi trajtoi astrocitet e kultivuara, me faktorët që stimulojnë rritjen e glioblastomës, grupi gjeti se qelizat e marra nga minjtë meshkuj, transformoheshin më lehtë nga qeliza të shëndetshme në kanceroze, sesa qelizat femërore. Me sa duket, qelizat tek femrat janë më elastike ndaj humbjes së funksionit të proteinës që “shtyp” tumoret p53, i cili është kaotik në një gamë të gjerë tumoresh, përfshirë shumicën e glioblastomave.

“Ideja që ne mund të shohim në një pjatë, ndryshimin në transformimin midis qelizave mashkullore dhe femërore, ishte e mahnitshme”- thotë Rubin. Rezultatet, treguan se “qelizat mashkullore dhe ato femërore, janë thjesht të ndryshme”, dhe se kjo diferencë mund të luajë një rol të madh, se përse meshkujt preken më shumë nga tumoret.

“Njerëzit, hedhin poshtë shumë studime mbi dallimet midis sekseve duke thënë, ‘Oh, ky është vetëm efekti i qarkullimit të hormoneve seksuale. Por aty ka shumë biologji, që nuk shkaktohet nga është efekti i qarkullimit të hormoneve seksuale”.

Gjatë viteve të fundit, hulumtuesit kanë filluar të studiojnë më me seriozitet, dallimet qelizore të lidhura me kancerin midis meshkujve dhe femrave. Në vitin 2017, një grup shkencëtarësh në Shkollën Mjekësore të Harvardit, identifikuan një mori gjenesh që “shtypin” tumoresh, që i shpëtojnë çaktivizimit të kromozomit X në qelizat tumorale tek pacientët femra, dhe janë më shumë të shprehura tek femra sesa në meshkuj.

Pasja e dy kopjeve të kromozomit X, u jep femrave një “dozë të dyfishtë” të “shtypësve” të tumorit, krahasuar me nivelet që rezultojnë nga gjenet me vetëm një X tek meshkujt që kanë kombinimin XY. “Gratë janë më të mbrojtura, si pasojë e një shfaqje më të madhe të gjeneve ‘shtypëse’ të tumoreve” – thotë Klodin Zhynien, gjenetiste në Universitetin e Versajës në Francë.

Dhe nëse ndonjë prej këtyre gjeneve, pason një mutacion që bllokon njërin kromozom, femrat kanë një kopje rezervë të kromozomit X që mbetet funksional, dhe për këtë arsye ruan një lloj mbrojtje kundër përhapjes së qelizave tumorale, shton ajo.

Megjithatë, “shtypja” e tumorit, është vetëm një pjesë e enigmës. Shumë tumore, shfaqin gjithashtu një metabolizëm të ndryshuar – që duket se ndryshon midis burrave dhe grave. Për shembull, kur Rubin dhe kolegët e tij e krahasuan shfaqjen e gjeneve në mostrat e indeve të glioblastomës tek pacientët meshkuj dhe femra, ata zbuluan një mbijetesë të ndryshme në të dyja gjinitë.

Ndërsa meshkujt, kishin shumë më pak të ngjarë të mbijetonin, pasi shfaqej procesi glikolizik në qelizat e tyre të kancerit, mbijetesa e femrave nuk ishte e lidhur ngushtë me glikolizinën.

Kuptimi i ndryshimeve gjinore në biologjinë qelizore, do të jetë thelbësor për zhvillimin e trajtimeve më të mira për tumoret, thotë Kristin Distesh, gjenetiste në Universitetin e Uashingtonit. / The Scientist – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button