Të thuash jo kur dikush kërkon diçka, shpesh duket e pasjellshme. Na duket sikur po i zhgënjejmë. Ndonjëherë na bën të shqetësohemi se ata do të na shohin ndryshe – në një dritë negative – dhe ndoshta as nuk do të na pëlqejnë më.
“Ky është një rast tipik i përpjekjes për të kënaqur të tjerët (people-pleasing), gjë që një numër shumë i madh grash e bëjnë, pasi jemi rritur me bindjen se nëse jemi të sjellshme, ndihmuese dhe mbështetëse, do të jemi një aset për shoqërinë dhe – ndoshta më me rëndësi – do të na pëlqejnë, diçka që ka qenë jetike për evoluimin tonë,” thotë trajnerja e transformimit personal, Aisling Gray.
Tendenca për të kënaqur të tjerët është diçka për të cilën fajtorë janë si burrat ashtu edhe gratë, por është vërtetuar shkencërisht se “gratë janë më empatike se burrat, prandaj është e natyrshme për to që të kujdesen për nevojat dhe ndjenjat e të tjerëve. Por kjo mund të kthehet shpejt në diçka të dëmshme për mirëqenien e tyre dhe i ekspozon ndaj ndjesive të mbingarkesës – dhe gjithashtu përfitimit nga të tjerët.”
Kërkime të fundit zbuluan se gratë kishin më shumë gjasa se burrat ta përshkruanin veten si “kënaqëse të të tjerëve” (people-pleasers) dhe si rezultat, po vuajnë pasoja negative si në shëndetin mendor, ashtu edhe në atë fizik.
Atëherë, pse vazhdojnë e bëjnë?
Mirësi apo dobësi?
Përveç faktit që janë më empatike se burrat, Aisling shpjegon se gratë kanë më shumë gjasa të marrin përsipër përgjegjësi për kujdesin ndaj të tjerëve, për shkak të pritshmërive kulturore dhe pabarazive në pagesa, që e bëjnë më të arsyeshme që ato të tërhiqen nga karriera për t’u kujdesur për fëmijët apo të moshuarit, për shembull.
Por shpesh, aktet e mirësisë rriten gradualisht, derisa nuk mundemi – ose nuk dimë më – si të ndalojmë.
“Të kujdesesh për të tjerët mund të jetë shpërblyese, por ekziston një pikë ku gjithçka kthehet përmbys,” paralajmëron Aisling. “Mirësia pa kufij çon në zbrazje dhe në një situatë ku askush nuk fiton.”
Trajnerja e mentalitetit Catherine Baudino shton se të vësh gjithmonë nevojat e të tjerëve para të tuave rrezikon autenticitetin tënd, sepse nuk je më vetvetja, por ajo që të tjerët presin. Mund të përfundojmë madje duke shkelur edhe vlerat tona më thelbësore – thjesht sepse të thuash “po” është bërë më e lehtë dhe më komode se të thuash “jo.”
“Kur je mësuar të bësh gjithmonë për të tjerët, bëhet e vështirë të pranosh se po vuan,” thotë Catherine. “Por të injorosh ose shtypësh nevojat e tua, mund të çojë shpejt në pakënaqësi dhe në zemërim ndaj atyre që në fakt doje t’u tregoje mirësi.”
Kultura e kujdesit
Përveç edukimit që fëmijë për të qenë të sjellshëm, mirësia është kthyer në një lloj slogani edhe në jetën e të rriturve, me citime popullore “motivimi” si: “Në një botë ku mund të jesh gjithçka, zgjidh të jesh i sjellshëm” – duke shtuar edhe më shumë presion social.
Por ideja që duhet të jemi vazhdimisht të përkushtuar ndaj të tjerëve, shkakton ndjenja të mbingarkesës, fajit dhe pamjaftueshmërisë.
“Nuk po thotë askush që të ndalosh së menduari për ndjenjat apo nevojat e të tjerëve – mund të jesh i sjellshëm, por brenda kufijve të tu,” thotë Aisling.
“Mirësia duhet të nisë nga vetja – duke kuptuar dhe respektuar kapacitetin tënd të vërtetë.
Duke vënë maskën tënde të oksigjenit e para (siç thuhet në avion), do të jesh në pozicion më të mirë për të dhënë bujarisht dhe plotësisht për të tjerët.” / bota.al