MagazineMAIN

Psikologjia e fshehur e gjithologëve

Të gjithë njohim dikë që përshtatet me këtë përshkrim. Ndoshta punoni me një të tillë; mbase jeni edhe të lidhur familjarisht. Dhe me afrimin e sezonit të festave në zyrë dhe takimet familjare, është gjithnjë e më e mundur që të takoheni e bisedoni me ta, dhe të rikujtoni se sa të bezdisshëm mund të jenë.

Po flasim për ata që mendojnë se dinë gjithçka. Njerëz që ju bëjnë leksione me entuziazëm për çdo temë apo ngjarje, pavarësisht se shpesh kanë pak ose aspak njohuri për atë që flasin – madje edhe atëherë kur ju keni njohuri më të thella.

Po pse dikush mendon se është gjitholog? Ka disa veçori të psikologjisë njerëzore që mund të ndihmojnë në shpjegimin e këtij fenomeni.

Një prej tyre është fenomeni i “realizmit naiv”, i cili shpjegon se si njerëzit instinktivisht supozojnë që perceptimi i tyre për botën reflekton realitetin objektiv. Në të vërtetë, gjithçka që perceptojmë dhe “dimë” për botën është e filtruar përmes një rrjeti të ndërlikuar paragjykimesh njohëse, shkurtesash shqisore, apo edhe kujtimeve të ndikuara nga emocionet.

Ai që besojmë se është realitet në mendjet tona shpesh është shumë i ndryshëm nga realiteti i vërtetë, por ne nuk e kuptojmë.

Si rezultat, hasim shpesh njerëz që kanë një kuptim të botës shumë të ndryshëm nga yni. Por realizmi naiv na bën të mendojmë se ata që e kuptojnë botën ndryshe, e kanë gabim.

Për një numër të madh njerëzish, kjo çon në një dëshirë të papërmbajtshme për të “korrigjuar” të tjerët. Mund të rrjedhë nga qëllime plotësisht të mira, por nuk e bën më pak irrituese.

Megjithatë, kjo nuk është e gjithë historia, pasi shumë njerëz mendojnë se të tjerët e kanë gabim, por nuk bëjnë asgjë. Dhe ata që mendojnë se dinë gjithçka, domethënë gjithologët, zakonisht nuk presin që ju të gaboni përpara se të fillojnë t’ju japin leksione.

Një tjetër paragjykim i mundshëm njohës (konjitiv) që ka ndikim, siç propozohet në një studim të kohëve të fundit nga Prof. Hunter Gehlbach, Dr. Carly D. Robinson dhe Prof. Angus Fletcher, i publikuar në revistën PLoS ONE, është “iluzioni i mjaftueshmërisë së informacionit”. Me fjalë të thjeshta, ky fenomen përshkruan se si, pavarësisht mungesës së informacionit të mjaftueshëm për të bërë gjykime të sakta për diçka, shumë njerëz supozojnë të kundërtën.

Për shembull, imagjinoni sikur të vini re një kolege që shkon shpesh në tualet për të vjellë, dhe e bën çdo mëngjes. Duke u bazuar vetëm në këtë informacion, ju mund të konkludoni se ajo është shtatzënë dhe vendosni ta përgëzoni. Por më pas ajo mund t’ju tregojë se të përzierat janë rezultat i kimioterapisë. Duke qenë se arritët në një përfundim bazuar në prova të pamjaftueshme, përjetuat iluzionin e mjaftueshmërisë së informacionit.

Një kombinim i iluzionit të mjaftueshmërisë së informacionit dhe realizmit naiv mund të çojë në njerëz që besojnë se dinë më shumë sesa dinë në të vërtetë.

Në mendjet e tyre, dijet e tyre janë superiore ndaj të tjerëve dhe ata duhet t’i korrigjojnë se s’bën të tjerët.

Por, prapë duket se ka diçka më tepër në lojë. Të gjithë ne potencialisht përballemi me këto paragjykime njohëse, por jo të gjithë mendojmë se dinë gjithçka. Duket se disa njerëz kanë një cilësi shtesë, që i bën të mos kenë problem të imponojnë përfundimet e tyre tek të tjerët.

Kjo mund të lidhet me statusin social. Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj statusit dhe imponimi i vazhdueshëm i opinioneve të tyre “të sakta” mbi të tjerët mund të jetë një mënyrë e besueshme për të afirmuar epërsinë dhe dominimin (subjektiv).

Gjithashtu, truri i njeriut zakonisht dëshiron një ndjenjë autonomie – dëshirën për të pasur kontroll mbi mjedisin përreth. Disa mund ta dëshirojnë këtë më shumë se të tjerët dhe çfarë mund të japë më shumë ndjesi kontrolli sesa të diktosh mendimet e të tjerëve?

Dhe pastaj kemi efektin e njohur të Dunning-Kruger: paragjykimi njohës ku njerëzit me kompetencë të kufizuar në një fushë të caktuar kanë tendencën të mbivlerësojnë aftësitë e tyre. Mungesa e njohurisë intelektuale i bën ata të mos e kuptojnë kur dikush tjetër di më shumë sesa ata, ndaj ata debatojnë me vetëbesim me njerëz që janë më të informuar.

Dhe duke qenë se njerëzit shpesh reagojnë më shumë ndaj vetëbesimit sesa saktësisë, ata zakonisht ia dalin pa pasoja. Nëse kjo ndodh shpesh, në mjaft fusha, mund të bindni veten se jeni ekspert për gjithçka, edhe pse e kundërta është e vërtetë.

Back to top button