Analiza

Putini “i thjeshtëzuar”

Screen Shot 2015-07-03 at 09.48.34

Nga Georgy Satarov

Moskë – Tre javë para fitores së tij të parë në zgjedhjet presidenciale, Vladimir Putin, publikoi në mars të vitit 2000, librin e tij në kulmin e fushatës zgjedhore “Biseda me Vladimir Putinin”, bazuar tek 24 orë intervista me tre gazetarë. Me shprehje si “Jeta është një gjë kaq e thjeshtë”, libri zbuloi një filozofi të rëndësishme, që do të karakterizonte stilin e tij të udhëheqjes: Thjeshtësia mund dhe duhet të imponohet ndaj një bote komplekse.

Ky botëkuptim, i cili sot përshkon udhëheqjen e Moskës, nuk u zhvillua nga vetë Putini; ai u prezantua zyrtarisht nga një think tank, i themeluar në dhjetor të vitit 1999 dhe të drejtuar nga German Gref, i cili më vonë do të bëhej Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë nën Putinin.

Në pritje të fitores së Putinit, Qendra e Gref për Kërkime Strategjike, ftoi ekspertë për të hartuar dy programe – një të fokusuar tek ekonomia dhe tjetri tek reforma e administratës publike – në bazë të një direktivë themelore:të mos i komplikonin gjërat.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ideologjia, politikat dhe veprimet e Putinit, e pasqyrojnë fiksimin e tij ndaj thjeshtësimit të sistemeve dhe strukturave. Ndarja e pushteteve në qeveri, është shumë joefikase, prandaj presidenca duhet të dominojë të gjitha degët e tjera.

Numri i madh i partive politike, secila me platformën e vet, është diçka shumë e komplikuar, kështu që duhet të zëvendësohet nga një listë eshkurtër e disa partive më të pranueshme, me një përfaqësim kryesor (dhe të përhershme) të pushtetit.

Liria e shprehjes favorizon kakofoninë joproduktive të kritikave, kështu që media duhet të marrë direktiva të qarta, të cilat duhet të kihen parasysh gjatë raportimit të lajmeve. Ka pasur gjithashtu, sipas regjimit të Putinit, shumë institucione publike që kryenin shumë aktivitete me mbikëqyrje të pamjaftueshme, kështu që ato u reduktuan në numër, dhe iu dhanë detyra të veçanta nga një listë e shkurtër dhe e centralizuar prioritetesh.

Shumë Gjykata të Larta ishin shumë të vështira për t’u kontrolluar, kështu që një gjykatë e vetme i zëvendësoi ato. Ashtu si sistemet dhe institucionet, zgjidhja e problemeve gjithashtu u thjeshtëzua. Në vend të zhvillimit të një zgjidhje të nuancuar për një problem shumëpërmasor- një qasje që do të përfshinte një mendim të kujdesshëm, për të mos përmendur gabimet dhe rregullimet – çdo çështje, nga korrupsioni zyrtar tek menaxhimi i biznesit, shihej si njëpërmasore.

Neveria e regjimit të Putinit ndaj kompleksitetit të gjërave, është intensifikuar me kalimin e kohës, duke lëvizur nga besimi relativisht i parrezikshëm se thjeshtësia përkthehet në qartësi, përshtatshmëri, parashikueshmëri dhe në fund në siguri, tek përfundimi i rrezikshëm se kompleksiteti vetë – në thelb i paparashikueshëm e shpesh i padepërtueshëm – përbën një kërcënim.

Idetë dhe institucionet komplekse ose të ndërlikuara, shihen si një produkt i një force të errët, e prodhuar qëllimisht nga ana e armikut për të prishur planet dhe lënduar Rusinë, duhet të prishen me çdo kusht. Kjo perspektivë bardh e zi, mund të duket si një vijimësi e botëkuptimit të epokës sovjetike. Por, në vitet ‘90, Rusia kishte shënuar një përparim të rëndësishëm drejt modernizimit – dhe jo vetëm për shkak se filloi të adoptojë institucionet shtetërore të stilit perëndimor.

Në fakt, motori kryesor i modernizimit të Rusisë ishte formimi i një rendi të ri shoqëror, të bazuar tek liria, diversiteti dhe vetëdija se bota moderne, është e pasur me mundësi për vetë-aktualizim, qoftë kjo në arte, biznes, shkencë apo dhe politikë. Por, para se një shoqëri moderne dhe e hapur të krijohej plotësisht ose mentaliteti i lidhur me të, të ngulitej thellë në vetëdijen e shoqërisë, ai ishte pushtuar nga qasja e “e thjeshta është më e mira” e Putinit.

Pikëpamja se mundësia individuale dhe heterodoksia, duhet të kishin vartësi ndaj parashikueshmërisë, e nxiti elitën politike për të kërkuar gjithëdijeninë dhe cilësuar ndërhyrjet nga jashtë, si kërcënimin kryesor për të ardhmen e Rusisë. Të nxitur nga këto besime, një grup “liberalësh” u përpoqën të sjellin një lloj modernizimi burokratik, duke e bindur veten se rezultatet e politikave liberale mund të orkestrohen disi nga burokracia e korruptuar, përmes institucioneve të kufizuara demokratike. Dhe nuk është çudi fakti që ata dështuan.

Brenda pak viteve, u bë e qartë se në një botë të pashmangshmërisht komplekse, zgjidhjet e “thjeshta” jo vetëm që nuk japin rezultate, por gjithashtu se kufizimet në demokraci, së bashku me kontrollin burokratik nga lart-poshtë, krijojnë kushte ideale për pasurim personal. Shkatërrimi i institucioneve demokratike, tanimë po nxitej edhe nga dëshira për thjeshtësi si dhe nga lakmia pastër. Fjala e urtë ruse “Thjeshtësia është më e keqe se vjedhja”, u provua çuditërisht të ishte kaq shumë parashikuese.

Viktima e fundit, në mëtimin e regjimit të Putinit për thjeshtësi, është shkenca. Ndërsa shkenca fillimisht nuk u vlerësua si një kërcënim, me rendin e saj shumë të kufizuar social dhe politik në kohën e sotme, është shfaqur si një simbol i autonomisë dhe diversitetit. Kjo është arsyeja pse, pasi u rizgjodh (në mënyrë të paligjshme) në mandatin e tij të tretë si president, Putin deklaroi kontrollin e plotë mbi Akademinë ruse të Shkencave.

Kohët e fundit, Ministria e Drejtësisë e futi Fondacionin “Dinastia”, i themeluar në vitin 2002 nga shkencëtari i mirënjohur në fushën e telekomunikacionit dhe manjati Dimitri Zimin, në listën e “agjentëve të huaj”, me gjasë me synim mbytjen e përpjekjeve të organizatës për të ndërtuar një komunitet shkencor  modern në vend.

(“Financimi i huaj”, që merr fondacioni – arsyeja pse ai u godit- vjen sipas Zimin, nga llogaritë e veta bankare.) Ky repression, ka patur një ndikim serioz në komunitetin shkencor, me mendjet më të  mëdha të shkencës në Rusi – që nuk kanë më dëshirë të qëndrojnë në një ambient, ku lakmia dhe korrupsioni, mbyt krijimtarinë dhe eksplorimin – duke iu bashkuar kësisoj investitorëve dhe kapitalit që largohen nga vendi.

Nga viti 1990 dhe deri në 2010-ën, rreth 70 përqind e matematikanëve kryesorë të Rusisë dhe gjysma e fizikanëve teoricienë, u larguan nga vendi për një jetë më të mirë. Biologë, kimistë, inxhinierë dhe ekspertë të tjerë, kanë emigruar gjithashtu në kërkim të mundësive më të mira.

Këto tendenca kanë prirje vetëm të përshpejtohen, teksa regjimi i Putinit po i shton sulmet e tij në këtë fushë.

Atmosfera shtypëse e grisë, imponimit qeveritar të thjeshtësisë, më në fund ka depërtuar në çdo sferë të jetës ruse. Dikish shpreson se kur të përfundojë sundimi i Putinit – siç në mënyrë të pashmangshme do të ndodhë, ndoshta edhe më shpejt sesa mendohet -rusët do ta kuptojnë se rruga drejt një shoqërie të hapur, moderne nuk është kurrë e thjeshtë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Putin Made Simple

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button