Bota

Putini në situatë të vështirë?

Në intervistë për gazetën gjermane “Bild” presidenti rus Vladimir Putin ripërsëriti akuzat e njohura ndaj Perëndimit – dhe përdori disa tone të reja. Sinjalet e një ndryshimi të kursit?

Putini

Dy orë kohë kishte rezervuar pressidenti i Rusisë Vladimir Putin për t’u dhënë intervistë botuesit të gazetës “Bild” Kai Diekmann dhe shefit të sektorit të politikës së kësaj gazete Nikolaus Blome. Biseda e zgjeruar, e zhvilluar në fillim të javës së shkuar në çiflikun e tij në Soçi, ishte lajmi hapës në të gjitha edicionet televizive në mbarë Rusinë. Në vështrim të parë në të Putin nuk kishte thënë asgje spektakolare, por vetëm kish përsëritur pozicionet e tij: NATO, sipas tij, e ka shkelur premtimin dhe marrëveshjen lidhur me zgjerimin në Lindje. Aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë ishte i domosdoshëm, për të mbrojtur dy milionë rusët atje nga “grushti i shtetit” në Kiev.

Perëndimi do të vazhdojë ta dëmtojë Rusinë: si p.sh. sanksionet e Perëndimit kundër vendit të tij janë një “teatër absurd”. Bashkimi Europian dhe SHBA pas anksimit të Krimesë dhe për shkak të mbështetjes së kamufluar ushtarake për separatistët në Lindje të Ukrainës kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë. Por me to nuk synohet të ndihmohet Ukraina, më shumë Perëndimi do “të dobësojë mundësitë e influencës së Rusisë”, mendon Putin.

“Të gjithë kanë bërë gabime”

Përgjigjet dhe qendrimet e Putinit – por jo pyetjet e gazetarëve gjermanë – u cituan në të gjitha edicionet televizive të lajmeve në Rusi. E gjitha mori karakterin e një leksioni, ndërsa Putin citonte nga dokumentat duke kaluar me gishtin tregues përmes radhëve të shkresave. Putin pranoi, se ekonomia ruse për shkak të rënies së çmimit të karburantit po përjeton “humbje të rrezikshme të ardhurash”. Por ekonomia shumë shpejt do të stabilizohet dhe do të gjenerojë forcë të re prej krizës, u përbetua Putin.

Veç kësaj Putin kërkoi falje për një rast, që ka të bëjë me nëntë vjet më parë, por që ende vazhdon të japë shkas për diskutim në Berlin: gjatë një takimi me kancelaren Angela Merkel asokohe Putin kishte lënë të hynte të palidhur në dhomën e pritjes qenin e tij labrador Koni. Kafsha i mori erë kancelares. Merkel, e cila ka frikë prej qenve, e kapërceu situatën. Putin siguroi tani, se me këtë nuk ka dashur ta frikësojë Merkelin. “Unë desha ta gëzoj atë.” Ai shtoi, se nuk e ka ditur që Merkeli nuk i preferon qentë. “Por pasi e mësova, që ajo nuk i do qentë, unë i kërkova falje asaj”, thotë Putin. Episodi me qenin labrador Koni ishte vendosur në disa portale ruse të lajmeve në krye të faqes – krahas pozicionimit të Putinit lidhur me krizën ekonomike.

Gazeta ekonomike “Vedomosti”, zëdhënëse e elitës ekonomike dhe gazetë e menaxherëve me orientrim perëndimor, në faqen online të saj veçon si interesante në përmbledhjen që i ka bërë intervistës një fjali lidhur me politikën e jashtme: “të gjithë kanë bërë gabime”, pranon Putin, Rusia po ashtu si edhe Perëndimi janë fajtorë për mosmarrëveshjet aktuale. Një pohim, që jep shkas për spekulime.

Nuk ka fillim të ri në marrëdhëniet Rusi-Perëndim

Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i revistës së afërt me Kremlinin për politkën e jashtme, paralajmëroi në bisedë me DW, nga pritshmëritë e mëdha: “ky nuk është një fillim i ri në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit.“ Rusia kërkon bashkëpunimin në çështjet praktike dhe do “t’i shmangent konfrontimit”. Sipas një analize të Alexej Malaschenko nga zyra e Moskës e fondacionit Carnegie, presidenti rus është në situatë të vështirë dhe i duhet të veprojë: “Putin ka nisur ta kuptojë, që situata e ekonomisë ruse është katastrofike“, tha Malaschenko për DW. Rusia tregon supremaci me aventura të kushtueshme ushtarake dhe rrezikon gjithnjë e më shumë duke u izoluar. “Kjo situatë është e rrezikshme për stabilitetin e brendshëm të Rusisë.” Ndaj Putin kërkon dialogun me Perëndimin; intervista me dy gazetarët gjermanë të “Bild”-Zeitung e dëshmon këtë.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button