Horizonti.alMagazine

Pyjet tropikale të Amazonës: Çuditë më të paeksploruara të botës së egër në Tokë

Nga Helen Pilcher

Pylli tropikal i Amazonës është pylli tropikal më i madh që ka mbetur aktualisht në botë. Po ashtu, ai është pylli me biodiversitetin më të madh. 1 në 10 nga të gjitha speciet e njohura jetojnë këtu atje, përfshirë shumë prej tyre që janë të rrezikuara dhe nuk gjenden askund tjetër.

Amazona është e madh, e bukur, dhe është shumë e rëndësishme, jo ​​vetëm sepse thith sasi të mëdha karboni, por ndikon tek modelet e reshjeve në të gjithë Amerikën e Jugut dhe ndikon mbi klimën në një shkallë shumë më të gjerë. Gjatë 40 viteve të fundit, rreth një e pesta e pyjeve të shiut është prerë ose djegur, për t’i hapur rrugë fermave të bagëtive dhe aktiviteteve të tjera.

Tani shkencëtarët kanë frikë se është në prag të një dëmi të pariparueshëm. Ne duhet të veprojmë tani për të shpëtuar një nga mrekullitë e fundit të vërteta të botës. Duke u shtrirë në 9 vende, përfshirë Brazilin, Perunë dhe Kolumbinë, pylli tropikal i Amazonës zë një sipërfaqe prej 5.5 milionë kilometra katrorë.

Më pak se gjysma e kësaj zone është e mbrojtur. Lumi Amazon, që e përshkon atë mes për mes, rrjedh për më shumë se 6500 km. Ai është lumi i dytë më i gjatë në botë pas Nilit, dhe shkarkon rreth 15 për qind të ujërave të lumenjve të planetit në oqeane.

Njerëzit kanë jetuar në Amazonë për të paktën 10.000 vitet e fundit. Kolonët e lashtë kultivuan pemë vendase si arrën braziliane, palmën maripa dhe pemën e kakaos. Me kalimin e kohës kjo ndikoi në përbërjen e pyjeve tropikale. Kur evropianët e parë mbërritën në Amerikën e Jugut në fund të shekullit XV-të, aty jetonin rreth 6.8 milionë njerëz indigjenë.

Kolonistët bartnin sëmundje infektive, si malaria dhe gripi, që vranë miliona amazonianë. Mijëra të tjerë u skllavëruan ose u zhvendosën. Sot, në rajonin e Amazonës jetojnë rreth 30 milionë njerëz, nga të cilët 2.7 milionë janë indigjenë, që përfaqësojnë më shumë se 350 grupe të ndryshme etnike.

Shumica jetojnë në rezervate indigjene të njohura si ‘resguardos’, ku stili i tyre i jetesës përfshin një përzierje të elementeve tradicionale dhe perëndimore. Megjithatë, rreth 60 fise jetojnë në izolim vullnetar dhe i përmbahen kryesisht mënyrave të provuara dhe të sprovuara të paraardhësve të tyre.

Në Amazonë gjendet të paktën 10 për qind të biodiversitetit të njohur në botë. Aty jetojnë më shumë se 1000 lloje të ndryshme zogjsh, mbi 500 lloje zvarranikësh, përfshirë anakondat e gjelbra, dhe më shumë se 400 lloje amfibësh, duke përfshirë zhabën gjigante dhe bretkosën tepër helmuese.

Po ashtu, jetojnë është më shumë se 300 lloje gjitarësh. Lumi Amazona përmban rreth 3000 lloje peshqish të ujërave të ëmbla, më shumë se çdo sistem tjetër lumor. Një në pesë lloje peshqish jetojnë këtu. Vlerësohet se jetojnë rreth 2.5 milionë lloje insektesh.

Në vetëm një pemë të këtij pylli, mund të ketë më shumë lloje milingonash, sesa në disa vende. Të mos harrojmë dhe jetën bimore. Pylli tropikal përmban rreth 80.000 specie bimore, përfshirë 390 miliardë pemë të rreth 16.000 llojeve. Por sa i vjetër është ky pyll?

Askush nuk e di me siguri. Disa mendojnë se pylli tropikal i Amazonës nisi të formohej gjatë Eocenit, rreth 55 milionë vjet më parë, pasi temperaturat u ulën dhe Oqeani Atlantik u zgjerua mjaftueshëm për t’i garantuar rajonit një klimë të ngrohtë dhe të lagësht.

Disa ekspertë mendojnë se kjo ndodhi më vonë, rreth 15 milionë vjet më parë, pasi pllakat tektonike të Amerikës së Jugut dhe Nazka u thyen me njëra-tjetrën për të formuar Andet, duke krijuar një liqen të madh me ujë të ëmbël që mbuloi pellgun e Amazonës. Më pas pati disa epoka akullnajore, dhe uji filloi të rrjedhë nga Andet në oqean. Kështu lindi lumi Amazona. Sedimentet nga malet u derdhën në pellgun e Amazonës, duke krijuar tokat e nevojshme për rritjen e pyjeve të shiut.

Studiues të tjerë mendojnë se ai është më i ri. Një studim sugjeron se 1/5 e pellgut të Amazonës mund të kishte qenë barishte, derisa një zhvendosje natyrore në një klimë më të lagësht rreth 2000 vjet më parë, nxiti rritjen e më shumë pemëve.

Çdo specie që jeton atje është e rëndësishme, jo vetëm në vetvete, por sepse luan një rol të rëndësishëm në ekosistemin më të gjerë. Ka grabitqarë, pastrues, shpërndarës farash, dekompozues dhe pjalmues, për të përmendur vetëm disa. Ato ofrojnë burime jetike për njerëzit indigjenë që ende jetojnë këtu, si dhe një rezervuar zgjidhjesh të mundshme për problemet në shkallë globale.

Zbulimi i frenuesve ACE, të cilët tani përdoren në mënyrë rutinore për trajtimin e presionit të lartë të gjakut, u frymëzua nga studimet e nepërkës helmuese braziliane. Pylli tropikal i Amazonës nganjëherë quhet “mushkëritë e Tokës” sepse thith dioksid karboni dhe nxjerr oksigjen në një shkallë masive.

Rreth 123 miliardë tonë karbon është sekuestruar në pyjet dhe tokat e Amazonës. Avujt e ujit të lëshuar nga pylli krijojnë “lumenj fluturues” të mëdhenj në qiell, duke ndikuar në sistemet e motit afër dhe larg. Deri në 50 për qind të reshjeve në Amazonë vijnë nga vetë pylli. Por ai shkakton shi deri në jug të Argjentinës, ku ndihmon në mbështetjen e bujqësisë.

Por dekadat e fundit, pyjet e shiut po priten për t’i hapur rrugë fermave të bagëtive dhe plantacioneve të sojës dhe kulturave të tjera. Ndryshimet klimatike, minierat, prodhimi i lëndës drusore dhe zhvillimi i rrugëve, shtëpive dhe infrastrukturës tjetër, po kontribuojnë gjithashtu në shkatërrimin e tij.

Më shumë se 18 për qind e pyjeve tropikale të Amazonës janë shkatërruar deri më tani, dhe 17 për qind të tjera janë të degraduara. Ndërsa po zhduken habitatet e tyre, shumë lloje, si luani i artë tamarin dhe tapiri i Amerikës së Jugut, po shkojnë drejt zhdukjes.

Një studim i vitit 2021, zbuloi se çdo vit, pyjet e shiut tani lëshojnë rreth 1 miliardë ton dioksid karboni më shumë se sa mund të thithin. Pra një “lavaman jetik” i karbonit po kthehet në një emetues karboni. Ndaj shkatërrimi i pyjeve tropikalë të Amazonës po nxit ndryshimet klimatike, dhe shkencëtarët kanë frikë se është pranë një pike kthese, përtej së cilës nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë reshjet e veta dhe të mbështesë ekosistemet e saj.

Ecja nëpër pyjet e dendura dhe të paprekura nuk është e lehtë, ndaj pjesë të pyllit tropikal të Amazonës mbeten të pa-eksploruara. Askush nuk e di saktësisht se sa mbetet e pa-eksploruar, por teknologjia po i ndihmon studiuesit që t’i studiojnë këto zona.

Shkencëtarët fluturuan mbi to duke përdorur një lazer për të hartuar tokën. Imazhet, të publikuara vitin e kaluar, zbuluan praninë e dy vendbanimeve të lashta, të kompletuara me piramida konike, ndërtesa prej balte dhe tarraca artificiale, të rrethuara nga një rrjet rrugësh të ngritura. Shkencëtarët mendojnë se mund të ketë shumë qytete të tjera të humbura që presin të zbulohen.

Sipas një studimi të pyjeve të shiut në tre kontinente, tokës i duhen rreth 10 vjet për të rifituar biodiversitetin origjinal të bimëve, kafshëve u duhen rreth 60 vjet ndërsa biomasa e përgjithshme kërkon rreth 120 vjet. /

Science Focus” – Bota.al

Back to top button