Histori

A qenë realisht kaq të këqinj Borxhiat?

BorgiasItalia e Rilindjes u dominua nga familje të pasura e të fuqishme, reputacionet e të cilave qenë modeluar nga shumë bëma të errëta e të frikshme që kryen. Në Firencen e 400-ës, familja Mediçi bleu, korruptoi dhe shantazhi rrugën e saj drejt majës; në Rimini, familja Malatesta lëkundej vazhdimisht midis megalomanisë vetëshkatërruese dhe brutalitetit pothuajse psikopatik dhe në Milano, familja Sforca qe po aq e turpshme për prirjet seksuale të saj sa qe dhe për mizorinë politike të saj. Por në këtë apel diabolik emrash të ligj, askush nuk ta ngjall një të rrënqethur në shpinë sa ai i Borxhiave.
Është e pamundur të imagjinohet një familje e lyer më rëndë nga njollat e mëkatit e imoralitetit dhe, si edhe ata që nuk e kanë serialin me të njëjtin emër do ta dinin, rrallë ka një të sërës së tyre që nuk duket e veshur me një aureolë padrejtësie. Themeluesi i fateve të familjes, Alfons de Borha (1378 – 1458) – i cili mbretëroi si Papa Kalisti i III-të – diskreditohej edhe nga aleatët e tij më të ngushtë si “skandali i epokës” për mënyrat e tij përbindshmërisht të korruptuara. Nipi i tij, Rodrigo (1431 – 1503), i cili edhe vetë u ngrit si kardinal dhe që do të zgjidhej Papa Alkeksandri i VI-të në vitin 1492, supozohej se ishte edhe më keq. I akuzuar për blerjen e papatit, ai më pas do të përlyhej nga thashetheme aq të egra sa që diplomati venecian Xhirolamo Priuli ndjehej në gjendje që të pretendonte si ai ia “kishte shitur shpirtin dhe trupin e tij djallit të madh në Ferr”. Në të vërtetë, ashtu si Mjeshtri i Ceremonive Papnore, Johan Burkard, do të deklaronte në mesin e mbretërimit të Aleksandrit: “Nuk ka mbetur më ndonjë krim apo akt i turpshëm që nuk ndodh në pubil në Romë dhe në shtëpinë e Atit të Shenjtë. Kush mund të dështonte për të qenë të tmerruar nga.. aktet e tmerrshme të përbindshme të epshore që kryhen hapur në shtëpinë e tij, pa asnjë respekt për Zotin apo njeriun? Përdhunimet dhe aktet e incestit janë të panumërta …[dhe] shpurat e mëdha të kurtizaneve frekuentojnë Pallatin e Shën Pjetrit, tutorë, kuplara dhe bordele gjenden kudo!
Por më i keq akoma ishte reputacioni i fëmijëve të Aleksandrit dhe komenti gazmor i Burkardit se aata ishin “akoma më të degjeneruar” mezi fillon të mbulojë krimet me të cilat ata qenë asociuar në imagjinatën bashkëkohore. Lukrecia (1480 – 1519), me të cilin Papa thuhej se kishte fjetur, paraqitet jo vetëm si kurvë, por edhe si një helmuese, vrasëse dhe shtrigë. Dhe Çezare (1475/6 – 1507), më i bukuri, më simpatiku dhe më i urryeri i të gjithë Borxhiave, besohej gjallërisht se kishte vrarë vëllain e tij më të madh Huan për arsye xhelozie, shkuar në shtrat me të motrën dhe ndërmarrë një fushatë masakrimi dhe pushtimi që synonte të nxirrte një mbretëri nga shtetet e hallakatura të Italisë Veriore.
Konfrontuar me një portret kuptueshëm kaq inkriminues, është e vështirë të besohet se Borxhiat mund të kishin qenë edhe më shumë të frikshëm sikur të qenë orvatur. Por saktësisht pse përshtypja e transmetuar nga rrëfime bashkëkohore është kaq tërësisht e frikshme, është njëlloj e vështirë të pos ngresh pyetjen nëse një reputacion i tillë qe apo jo tërësisht i justifikuar. A qenë realisht kaq të këqij Borxhiat?
Si me shumicën e gjërave që janë supozuar të kenë ndodhur në prapaskenën e botës së errët të Romës së Rilindjes, sigurisht që shpesh është e pakapshme dhe është një detyrë sfiduese të ndaj miellin e dëshmive nga egjra e thashethemeve kur rrëmon nëpër dokumentat që kanë mbijetuar. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ka mjaftueshëm për të sugjeruar se Borxhiat nuk qenë tamam keqbërësit njëdimensionalë që fillimisht duken të kenë qenë.
Nga njëra anë, ata sigurisht që nuk qenë supermaskarenjtë djallëzorë që paraqiten. Për të gjithë gjallërinë me të cilën vëzhgues të tillë si Burkard, Priuli, Makiaveli dhe Guiçardini përshkruajnë Borxhiat, është e qartë se të paktën një pjesë e reputacionit të palakmueshëm të familjes ishte krejtësisht i pamerituar. Për shembull, akuza për incest duket të jetë në fakt pa ndonjë bazë të qëndrueshme. I të njëjtës natyre, sugjerimi se Lukrecia ishte një helmuese e ka bazën me shumë në thashethemet e kripura dhe akuzat histerike të një bashkëshorti të divorcuar sesa në dëshmi të besueshme. Megjithëse tri herë e martuar, secilën për arsye politike, sipas të gjitha rrëfumeve, ajo ishte një figurë jashtëzakonisht e kulturuar dhe inteligjente që admirohej dhe respektohej nga bashkëkohës të tillë si poeti Pietro Bembo dhe që nuk u asociua kurrë seriozisht me ndonjë akt kriminal. Një lloj i pambështetshëm është pretendimi se ç’zare vrau të vëllanë. Jo vetëm që kishte pak për Çezaren për të fituar nga vdekja e Huanit, por është bile e diskutueshme që – përderisa Çezare u detyruar për ta lënë menjanë kapelën e kardinalit për të marrë rolet laike të Huanit – pozicioni afatgjatë i familjes që dobësuar aq shumë sa që ai nuk mund të mos ishte i pavetëdijshëm për rreziqet. Shumë më tepër i besueshëm është sugjerimi se Huani u vra ose në një aventurë dashurore të shkuar keq, ose me nxitjen e Kardinalit Askanio Sforca, me të cilin ishte grindur dhe që ishte një armik i betuar i të gjithë familjes. Megjithatë, edhe më pak të besueshme janë rrëfimet pikante e festave të supozuara të bujshme të Borxhiave. Për shembull, i ashtuquajturi “Banket i Gështenjave” – një orgji gjithë natën në Pallatin Apostolik e asistuar nga 50 “prostituta të ndershme” dhe që përmbante akte seksuale të guximshme seksuale – konfirmohet vetëm në kujtimet e Burkardit dhe është jo vetëm realisht i pabesueshëm, por është hedhur poshtë si i tillë nga shumë bashkëkohës.
Nga ana tjetër, edhe ato krime për të cilat Borxhiat qenë fajtorë nuk qenë aspak gjë jashtë të zakonshmes. Në të vërtetë, kur dëshmitë shikohen me më shumë kujdes, është e dukshme se Borxhiat qenë tërësisht tipike të familjes që në mënyrë të vazhdueshme konkurronin fronin papnor gjatë Rilindjes.
Për shembull, ekzistonte faj i padyshimtë për nepotizëm dhe simoni. Megjithëse shumat e përfshira qenë padyshim të ekzagjeruara nga kronistët bashkëkohorë, Kalisti i III-të dhe Aleksandri i VI-të e “blenë” rrugën e tyre drejt papatit dhe e përdorën pushtetin e tyre që t’i avanconin sa më shumë të ishte e mundur familjet e tyre. Vetëm Aleksandri i VI-të emëroi jo më pak se 10 kushërinj të tij në Kolegjin e Kardinalëve dhe pajisi të tjerë me një numër feudesh në Shtetet Papnore. Por saktësisht pse papati mund të keqpërdorej kaq lehtësisht për fuqizim dhe pasurim familjar, këto abuzime ekleziale qenë krejtësisht familjare. Megjithëse formalisht e klasifikuar si një mëkat, simonia ishte e zakonshme. Për shembull, në vitin 1410, Baltazar Kosa mori hua 10000 florinta nga Xhovani di Biçi de’ Mediçi për të korruptuar rrugën e tij drejt bërjes Antipapa Gjoni i XXIII-të dhe në konklavin e 1458 Kardinali Gijom d’Estutevil premtoi të shpërndante një numër të madh benefitesh fitimprurëse për cilindo që votonte për të, megjithëse më kot. Edhe nepotizmi ishte gjithashtu i përhapur. Në fillimet e shekullit të XV-të, Martini i V-të kishte siguruar prona të pafundme për të afërmit e tij Kolona në Mbretërinë e Napolit, por brenda një shekulli nepotizmi ishte bërë aq ekstrem sa që edhe Makiaveli u ndje i detyruar që ta sulmojë Sikstin e IV-ët, i cili kishte emëruar 6 të afërm të tij në Kolegjin e Shenjtë, për këtë krim. Më pas, Juli i II-të (i afërm i Sikstit të IV-ët) bleu Dukatin e Urbinos për nipin e tij, Françesko Maria dela Rovere; Klementi i VII-të e bëri djalin ilegjitim të tij, Aleksandër, Dukën e Parë të Firences dhe Pali i III-të e ngriti djalin bastard të tij, Pier Luixhi Farneze, në Dukë të Parmës.
Në mënyrë të ngjashme, nuk ka asnjë dyshim se Aleksandri i VI-të ishte një papë epshor dhe seksualisht aventurier. Ai e pranonte hapur se kishte një numër fëmijësh nga dashnorja e tij, Vanoca del Katanei, dhe më pas gëzoi joshjet legjendare e Xhulia Farnezes, e njohur si një prej grave më të bukura të kohës së saj. Por sërish edhe këtu, Aleksandri thjesht po ndiqte normat e papatit të Rilindjes dhe është domethënëse që Piu i II-të nuk e kishte asnjë turp të shkruante një komedi seksuale të egër të quajtur Chrysis. Papët dhe kardinalët pothuajse pritej që të kishin dashnore. Për shembull, Juli i II-të ishte baba i shumë fëmijëve dhe nuk e vrau mendjen asnjëherë që ta fshihte faktin, ndërsa Kardinali Zhan dë Zhufroi ishte i njohur se ishte një i përkushtuar pas bordeleve. Aferat homoseksuale qenë jo më pak të zakonshme dhe në këtë ai duket ta ketë kufizuar veten në vetëm një gjini, Aleksandri i VI-të duket pothuajse ngushtësisht konservator. Për shembull, Siksti i IV-ët supozohej se u kishte dhënë kardinalëve leje speciale për të kryer sodomi gjatë verës, ndoshta për ta lejuar atë që të vepronte kështu pa frikën e kritikës, ndërsa Pali i II-të thuhej se kishte vdekur pasi qe përdhunuar nga një pazh i ri.
Edhe reputacioni i merituar i Çezares për megalomani të çfrenuar është gjithsesi më pak mbresëlënës kur vihet në kontekstin e periudhës. Sigurisht që ai ishte një figurë jashtëzakonisht ambicioze që u zhyt në disa taktika mjaft të ulëta. Pasi e kish pajisur veten me kapelën e kardinalit, ai plaçkiti Romanjën dhe Market, duke ndërtuar një feud të madh privat në harkun e vetëm tri viteve. Në të gjithë këtë, vrasja nuk dukej një nevojë e rastësishme, por një pjesë integrale e ekzistencës së përditshme. Vetëm në 1499, ai urdhëroi vrasjen apo ekzekutimin e Kontestablit të Gardës Spanjolle, ushtar – kapitenit Huan Servijon dhe Ferdinando d’Almaida, Peshkopit të pashpirt të Ceutës, dhe menjëherë më pas shtoi një numër individësh të tillë si Astori i III-të Manfredi listës së viktimave të tij. Më pas, ai bile masakroi tri prej komandantëve të lartë të tij në një darkë në Senigalia pasi (me të drejtë) dyshonte se ata po komplotonin kundër tij. Por, nga një perspektivë e caktuar, e gjitha kjo ishte për t’u pritur. Ishte tejet normale për të afërmit e papëve të Rilindjes që të hidhnin vështrimet e tyre nga pushtimi dhe blerja. Megjithëse disa familje “papnore”, të tilla si familja Kolona, zotëronin sipërfaqe të mëdha toke, shumica e tyre, të tilla si familja Pikolomini dhe dela Rovere, e nisën si fisnikë të vegjël kambistë apo, si në rastin e Borxhiave, si të huaj pa tokë dhe papët nga ky grup i fundit natyrisht që i inkurajuan të afërmit e tyre të kapnin territor sa duhej për t’u bërë të barabartë me familjet fisnike më të mëdha në Itali. Kjo nënkuptonte luftë dhe, në një epokë në të cilën lufta ishte rezervati i mercenarëve, lufta nënkuptonte mizori në një shkallë të gjerë. Për shembull, biseksuali i egër Pier Luixhi Farneze qe i famshëm për brutalitetin e tij dhe jo vetëm që plaçkiste sipas qejfit, por e bëri zakon edhe ndjekjen dhe vrasjen e atyre njerëzve që u rezistonin avancimeve të tij. Njëlloj kështu, Françesko Maria dela Rovere nuk ishte më shumë se një ushtar me pagesë, i cili urdhëroi trupat e tij të masakronin Kardinalin Françesko Alidozi pas dështimit të tij për të marrë Bolonjën. Në të vërtetë, në mos për të gjitha, Çezare ishte i pazakontë vetëm në urtësinë taktike dhe në vetëkontrollin krahasues të tij.
Duket qartë se reputacioni tejet famëkeq i Borxhiave qe i pamerituar. Ndërsa disa prej akuzave të bëra ndaj tyre thjesht ishin të pavërteta, edhe ato krime që at kryen qenë tipike të periudhës dhe pak të rënda në krahasim me ato të familjeve të tjera “papnore”
Megjithatë kjo na lë me një problem. Nëqoftëse Borxhiat nuk qenë aq të këqij sa mund të duken, atëhere pse emri i tyre u nxi aq shumë? Pse vëzhguesit kthehen kundër tyre në mënyrë kaq të thellë dhe cila qe arsyeja e një fushate të tillë shpifëse kaq dramatike?
Megjithëse në vitet e fundit përkeqësimi i qëndrueshëm i reputacionit të Borxhiave ishte ngushtësisht i lidhur me korrentet e ndryshueshme e mendimit reformator dhe kundërreformator, ekzistojnë ndoshta tri arsye se pse vëzhguesit bashkëkohorë qenë të përgatitur për t’i sulmuar aq ndyrë ata.
E para ishte thjesht fakti që ata ishin spanjollë dhe, si të tillë, qenë peng i perceptimeve ndryshuese të influencës spanjolle në Gadishullin Italian. Sigurisht, qëndrimet qenë pozitiv, por si rezultar i përfshirjes së Spanjës dhe Mbretërisë aragoneze të Napolit në punët e Italisë Veriore gjatë fundit të shekullit të XV-të dhe fillimit të shekullit të XVI-të, ata gradualisht u shfaqën si një “Legjendë e Zezë”, një formë e egër propagande antispanjolle që i identifikonte të gjitha gjërat spanjolle me shtypje, brutalitet dhe mizori. Fakti që Borxhiat ishin me origjinë nga Valencia dhe që Aleksandri i VI-të kishte ndihmuar që spanjollët të përziheshin akoma më shumë me punët italiane nënkuptonte se familja ishte pothuajse pashmangshmërisht e njollosur me të njëjtën furçe.
Arsyeja e dytë është se ata qenë të huaj. Pavarësisht universalitetit të mesazhit të kishës, papati i Rilindjes perceptohej të ishte një institucion italian, thjesht në virtyt të faktit se kontrolli i Shteteve Papnore i jepte një Pape dhe familjes së tij pushtet kolosal në vetë Gadishullin Italian, si në termat  e influencës politike të drejtpërdrejtë, ashtu dhe në termat e rritjes së pushtetit familjar. Sido që ta shikonit, papati dominohej nga italianët, drejtohej në interesin e shteteve italiane dhe i keqpërdorur në avantazh të italianëve. Borxhiat qenë një anomali. Nuk ishte fakti se thjesht qenë joitalianë (do të kishte vetëm një papë tjetër joitalian midis mbarimit të Skizmës së Madhe në 1417 dhe Pushtimit të Romës në 1527); më shumë ishte se Kalisti i III-të dhe Aleksandri i VI-të kërkuan që ta përdornin papatin për t’i pasuruar familjet e tyre në kurriz të italianëve. Ata i zhveshën familjet e tjera italiane nga tokat dhe titujt e tyre; kërkuan ndihmën e fuqive të huaja dhe përgjithësisht prishën balancën delikate të forcës në Itali. Si pasojë, ishte pothuajse e natyrshme për komentatorët dhe historianët italianë, shumë prej të cilëve kishin përjetuar pangopshmërinë e papëve të radhës, qenë të gatshëm që t’i paraqisnin Borxhiat në mënyrë të pasaktë si individë veçanërisht të korruptuar dhe të ulët.
Megjithatë, arsyeja e tretë dhe më e rëndësishmja është se Borxhiat thjesht nuk qenë dhe aq të suksesshëm. Megjithëse nuk ishte e pazakontë për familjet që ta bazonin suksesin e tyre tërësisht në favorin papnor, shumica qenë dinake sa duhet për t’i kufizuar ambiciet e tyre, të konsolidonin gradualisht arritjet e tyre dhe ta shartonin veten me familje më të konsoliduara. Me fjalë të tjera, ata fillonin poshtë, luanin një lojë të gjatë, orvateshin të mos humbnin shumë pupla dhe, në total, kjo ishte një teknikë që funksiononte. Familjet Pikolomini, del Rovere dhe Farneze i ngjitën shkallët me ngadalë e me efikasitet dhe, me kalimin e kohës, u bënë lojtarë dominues në lojën e politikës italiane. Vetëm ky fakt e parandalonte këdo nga të bërit të fortë dhe të papëlqyer për ta. Thjesht duhet të binit dakord me to. Por Borxhiat qenë ndryshe. Ata qenë shumë të ngutur, shumë të varur në autoritetin papnor dhe shumë të pagatshëm që të respektonin konfigurimet ekzistuese pushtetit tokësor. Ato qenë të ngritura mbi rërë. Sapo Aleksandri i VI-të ndërroi jetë, protombretëria e Çezares u shemb dhe ai vetë u tradhtua nga Xhulio i II-të. Nuk kishte mbetur asgjë dhe askush tek i cili të drejtoheshe për ndihmë. I shtrënguar që të kthehej në Spanjë, Çezare dhe Borxhiat kishin dështuar. Dhe në dështim edhe ish miqtë e tyre nuk kishin hezitim që t’i damkosnin ata si maskarenj. Pa pushtet apo influencë të zgjatur, nuk kishte më asgjë as për ta frenuar kriticizmin apo për të kufizuar ekzagjerimet.
Megjithatë, edhe sikur Borxhiat të mos ishin aq të këqij sa janë dukur shpesh, bekgraundi i reputacionit të tyre të pafat dhe jo të merituar na lë me një histori shumë më interesante dhe tërheqëse. Nga njëra anë, ajo është historia e një familje të panjohur spanjolle e vendosur për ta kërkuar fatin e saj në një tokë të huaj, e vendosur që t’i mundte italianët në lojën e tyre dhe ndoshta e gatshme që të zhytej një çikë si shumë lirisht në disa prej kënaqësive më seksuale të epokës, por, nga ana tjetër, është një histori dështimi të palavdishëm, humbjeje dramatike dhe sulmesh të poshtra nga armiq që i urrenin të huajt – veçanërisht spanjollët – më shumë se çdo gjë tjetër. Ajo nuk është një histori që mund të presim për Borxhiat, por është gjithsesi një histori eedhe krejtësisht pasqyruese e standardeve të dyfishta të habitshme të Rilindjes dhe ndoshta është më e pasur për të.
(Libri i Alexander Lee me titull The Ugly Renaissance: Sex Disease and Excess in an Age of Beauty është botuar nga shtëpia botuese Hutchinson)
Përgatiti për bota.al
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button