Nga Bernard Guetta
Për të zgjidhur një problem, nuk ka gjë më të mirë se sa ta dramatizosh atë. Kjo metodë është shumë e përhapur dhe efikase, por kur komisioneri europian për punët e brendshme, Dimitris Avramopoulos deklaron se kriza e refugjatëve “vë në lojë unitetin e Europës” dhe rrezikon “të shembë të gjithë sistemin”, fatkeqësisht nuk po dramatizon aspak.
Avramopoulos thotë thjeshtë të vërtetën. Në 25 shkurt, takimi i radhës i 28 ministrave të brendshëm, dedikuar argumentit të refugjatëve, ka nxjerrë në pah se secili shtet vepron në kokë të vet, se kufijtë e brendshëm vazhdojnë të mbyllen dhe që me këtë ritëm, pas dhjetë ditësh, nuk do të kemi në duar vetëm një krizë të imigrantëve, por një krizë të vërtetë të Unionit.
7 marsi do të jetë një datë vendimtare, sepse nga dialogu ka dalë qartë që, nëse Turqia nuk do të kontribuojë për reduktimin e fluksit të refugjatëve para asaj dite, takimi i radhës i ministrave mund të dekretojë vdekjen e hapësirës Schengen dhe qarkullimin e lirë në brendësi të Unionit.
Më shumë se të zbatojë zgjidhjet e propozuara nga komisioni dhe të ndajë peshën e refugjatëve (ashtu si ishin angahzuar të bënin), vendet europiane kanë zgjedhur t’i besojnë një shteti jashtë unionit. Po të dëgjosh udhëheqësit europianë, i takon Turqisë të veprojë, sepse Europa i ka ofruar Ankarasë tre miliardë Euro për të kontrolluar brigjet e saj, për të penguar që refugjatët sirianë të nisen drejt Greqisë, si dhe t’u ofrojë një sistemim më dinjitoz.
Problemi është se Turqia rrezikon të zhytet në një luftë civile me kurdët e saj. Në kulmin e krizës ekonomike dhe politike, Ankaraja ka telashe të tjera, më të mëdhenj se sa të presë (pavarësisht 3 miliardë eurove) refugjatë të tjerë, në një moment kur i ka tashmë 2.7 milionë, pothuaj trefishi krahasuar me të gjithë Bashkimin Europian.
Fundi i qarkullimit të lirë
Nëse anijet e NATO-s të vendosura në Egje do i shtyjnë refugjatët drejt Turqisë, Ankaraja do të detyrohet ta bëjë ndonjë sforcim, por nuk mund të shpresojmë që turqit do ta zgjidhin problemin brenda dhjetë ditëve.
Na pëlqen apo jo, e vetmja zgjidhje është ajo e ndarjes së refugjatëve – gjithmonë nëse nuk mendojmë të fundosim anijet në mes të detit. Nëse qeveritë europiane do të kundërshtojnë (ashtu si duket), atëherë do i japin një goditje të fuqishme ekonomive të tyre, duke i dhënë fund qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.
Sikur të mos mjaftonte, vendet që presin të parët refugjatët, Italia dhe Greqia, do të pushtohen në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe pa një solidaritet europian mbi refugjatët, nuk do të ketë solidaritet as edhe në fusha të tjera.
Me një burracakëri, nga e cila duket se ka imunitet vetëm Angela Merkeli, udhëheqësit europianë po vënë në rrezik Unionin, sepse është e pashmangshme që një qëndrim i tillë do të shkaktojë largimin e Britanisë së Madhe, që nga ana e vet do të shkaktonte dështime të tjera./France Inter
Në shqip nga bota.al