Histori

Qorrsokaku i Vietnamit

Screen Shot 2015-09-15 at 1.31.15 PM

Kur helikopteri i fundit u ngrit nga çatia e ambasadës amerikane në Saigon mëngjesin e 30 prillit 1975, duke transportuar të evakuuarit në anijet luftarake amerikane që ndodheshin aty pranë, afro 400 vetë – kryesisht vietnamezo jugorë – ishin ende në pritje në ambasadë, të dëshpëruar për t’u larguar.

Me forcat vietnamezo veriore në rrethinat e qytetit si dhe një grusht vietnamezo jugorësh që përpiqeshin të shembnin muret e ndërtesës së ambasadës, tashmë nuk kish më kohë. Në disa këndvështrime, evakuimi kaotik dukej si një konkludim i përshtatshëm për një luftë që kishte shkuar shumë keq për Shtetet e Bashkuara. Lufta e Vietnamit ishte një humbje poshtëruese për një prej superfuqive botërore në duart e një ushtrie të vogël kryengritësish.

Lufta ishte më e gjata në historinë e SHBA, dhe ajo i përçau amerikanët si asgjë tjetër që nga lufta civile. Më shumë se 58 mijë ushtarë amerikanë gjetën vdekjen dhe më shumë se 300 mijë u plagosën në luftën kundër Vietnamit të Veriut komunist si dhe guerilasve vietkongë në Vietnamin e jugut. Lufta ndau familje, ktheu të rinjtë kundër të moshuarve, si dhe shkaktoi një valë mosbesimi mes shumë amerikanëve dhe udhëheqësve të tyre.

40 vjet më vonë, Vietnami e ka transformuar ekonominë e vet, duke përqafuar tregun e lirë dhe sipërmarrjen private. Tashmë ajo ka marrëdhënie diplomatike si dhe një tregti që lulëzon me ish armikun e vet. Megjithatë, për Shtetet e Bashkuara efektet e luftës kanë zgjatur. “Vietnami është ende me ne”, thotë Henri Kisinger, i cili ishte Sekretar Shteti dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Riçard Niksonit në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillimin e viteve shtatëdhjetë. “Ka krijuar dyshime për gjykimin amerikan, për besueshmërinë amerikane, për fuqinë amerikane – jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjithë botën”.

Teoria e dominosë

Ndryshe nga shumica e konflikteve, lufta në Vietnam nuk nisi me një “të shtënë të parë”. Në fakt, atje Shtetet e Bashkuara nisën të përfshihen gradualisht, duke filluar nga viti 1954, kur presidenti Duajt Aisenhauer dërgoi këshilltarë ushtarakë për të stërvitur dhe armatosur ushtrinë vietnamezo jugore, në luftën e vet kundër komunistëve. (Vietnami ishte ndarë më herët atë vit, pasi francezët u mposhtën në përpjekjen e tyre për të mbajtur kolonitë disashekullore në Indokinë).

Por Ho Shi Mini, udhëheqësi komunist dhe nacionalist, forcat e të cilit kishin mposhtur francezët, dëshironte që i gjithë Vietnami të ishte një shtet i vetëm komunist. Kjo gjë shkaktoi alarm në Uashington, në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte duke u nxehur në fakt, në zonën e Azisë: në vitin 1949, komunistët e udhëhequr nga Mao Ce Duni kishin marrë pushtetin në Kinë. Një vit më vonë, nisi lufta koreane, atëherë kur Korea e Veriut komuniste me mbështetjen e sovjetikëve dhe kinezëve, pushtoi Korenë e Jugut.

Tre vjet dhe gati 37 000 jetë amerikane më vonë, ajo luftë përfundoi në një qorrsokak. Zyrtarët amerikanë patën frikë se pjesa tjetër e Azisë mund të binte gjithashtu. “Ju keni të ngritur një rresht me domino; rrëzoni të parën”, tha Ajzenhauer në vitin 1954”, dhe çfarë do të ndodhë është siguria, që e fundit do të bjerë shumë shpejt”. Kjo “teori domino” ishte në thelb baza e politikës amerikane në Vietnam, për të dy dekadat e ardhshme.

Kur Presidenti John F. Kennedy mori detyrën në vitin 1961, edhe ai e pa Vietnamin si një vend për të provuar vendosmërinë antikomuniste të Amerikës. “Tani ne kemi një problem, që duhet ta bëjmë të besueshme fuqinë tonë, dhe Vietnami është vendi i duhur”, tha ai në një fjalim të atij viti. Deri në kohën kur Kennedy u vra në vitin 1963, numri i këshilltarëve ushtarakë amerikanë në Vietnam ishte rritur nga më pak se 700, në 16.000, dhe luftimet ishin intensifikuar.

Në 1964, pas një episodi të errët ku u tha se dy varka të armatosura vietnameze kishin shkatërruar një destrojer amerikan në Gjirin e Tonkinit në brigjet e Vietnamit të Veriut, Presidenti Lyndon B. Johnson i kërkoi Kongresit që të miratonte Rezolutën e Gjirit të Tonkinit.

Ajo i dha autoritet Presidentit të “marrë të gjitha masat e nevojshme për të sprapsur çdo sulm të armatosur kundër forcave të Shteteve të Bashkuara dhe për të parandaluar agresionin e mëtejshëm”. Në praktikë, rezoluta i dha presidentit pushtetin për të zhvilluar një luftë pa një shpallje zyrtare, rast në të cilin do të ishte kërkuar miratimi i kongresit.

Luftë në televizor

Ndërhyrja ushtarake në shkallë të plotë filloi në 1965 me mbërritjes në Da Nang të trupave të para luftarake të SHBA. Politika e luftës e Johnson gëzoi fillimisht mbështetje të madhe popullore, dhe deri në fund të vitit, më tepër se 200.000 trupa të SHBA ishin në Vietnam – numër një që deri në fund të dekadës do të rritej deri në më shumë se gjysmë milioni. Nga fillimi, administrata ishte shumë optimiste: lufta ishte duke shkuar mirë dhe drejt fitores.

Siç thoshte Walt Rostow, Këshilltar i Sigurimit Kombëtar i Johnsonit, në vitin 1967: “Unë shoh dritë në fund të tunelit”. Por Vietnami ishte lufta e parë në të cilën televizioni u dha amerikanëve akses të rregullt në pamje relativisht të pacensuruara – ushtarë që çanin rrugën përmes xhunglave dhe orizoreve, fshatarët të mbledhur një grusht nga frika, rrebesh bombash nga avionët luftarakë B-52, si dhe foto të përgjakura të të vdekurve dhe plagosurve nga të dy palët. Lajmet e mirë nga zyrtarët në Uashington nuk përputheshin aspak e madje, ishin në kundërshtim me atë që njerëzit shihnin në TV-të e tyre.

“Vietnami u humb në dhomat e ndenjes së Amerikës”, shkruante në vitin 1975 studiuesi i mediave Marshall McLuhan, “dhe jo në fushëbetejat e Vietnamit”.

Ndërkohë që gjithnjë e më shumë të rinj rekrutoheshin për të luftuar në një luftë gjithnjë e më të papëlqyeshme, një lëvizje kundër luftës, e tillë që nuk ish parë deri atëherë, filloi të marrë formë. Në 1965, u zhvillua demonstrata e parë masive, me 20.000 njerëz në Uashington dhe protestat u rritën në përmasa dhe pjesëmarrje. Në janar 1968, Vietnami i Veriut dhe Vietkongët nisën ofensivën Tet, një seri sulmesh gjatë Tet-it, Viti i Ri hënor. Ushtarakisht, ofensiva ishte një humbje e tmerrshme për komunistët, por pamjet e frikshme në televizione – dhe thjeshtë vetëm ideja se armiku mund të bënte sulme të tilla masive pas viteve të tërë luftë – tronditi besimin e Amerikës.

Në mars, me mbështetjen për luftën dhe popullaritetin e saj në rënie, Xhonsoni njoftoi fillimin e bisedimeve të paqes në Paris, dhe se ai nuk do të kandidonte për një mandat të dytë.

I gjendur përballë trazirave në rritje gjatë luftës, Presidenti Nixon, i cili pasoi Johnsonin në vitin 1969, vendosi të largojë SHBA nga Vietnami. Në vjeshtë të 1969, ai dhe Kisingeri filluan procesin e “Vietnamizimit”: dorëzimin e luftimeve trupave të Vietnamit të Jugut, ndërsa po kryhej tërheqja e forcave të SHBA, numri i të cilave ra në 220.000 deri në fund të viteve ‘70.

Marrëveshja e Paqes e Parisit e janarit 1973 bënte thirrje për një fund të luftimeve si dhe që të gjitha trupat e huaja të tërhiqeshin nga Vietnami. Fundi erdhi në vitin 1975: komunistët mësynë Vietnamin e Jugut, me Saigonin që ra në prill, duke detyruar evakuimin e ngutshëm të amerikanëve që kishin mbetur, si dhe një pjesë të Vietnamese që dëshironin të largoheshin.

Për vietnamezët, kostoja e luftës ishte tronditëse: Të paktën 3 milion njerëz u vranë, dhe më shumë se një milion u larguan pas luftës, shumica në SHBA. Qeveria Komuniste dërgoi qindra e mijëra prej atyre që mbetën pas në “kampe riedukimi”, ku ata duruan trajtimin e ashpër dhe ishin të detyruar të bënin punë brutale dhe të rrezikshme.

SHBA vendosi embargon e tregtisë ndaj Vietnamit, një pjesë e madhe e fushave të të cilit ishin shkatërruar nga bombardimet, si dhe një agjent kimik i quajtur “Agent Orange”. Me ndihmë nga Bashkimit Sovjetik, qeveria u përpoq të krijojë një ekonomi shtetërore të stilit sovjetik, gjë që shkaktoi një varfëri të përhapur dhe zi buke. Në 1986, krerët e partisë ndoqën udhëheqjen e Kinës dhe nisën reformat e tregut të lirë, të njohura si “doi moi”, me më pak kontroll shtetëror të ekonomisë dhe më shumë sipërmarrje private.

Që nga vitet 1990, dhe sidomos pas presidenti Bill Klinton hoqi embargon e tregtisë së SHBA në 1993 dhe pasi u rivendosën marrëdhëniet diplomatike në 1995, investitorët e huaj kanë rendur në Vietnam dhe ekonomia e tij ka lulëzuar. Por, si Kina, edhe Vietnami mbetet një shtet me një parti komuniste, me mendimin ndryshe të ndaluar.

Për të rinjtë në Vietnam sot, “Lufta Amerikane,” siç është e njohur, është histori e lashtë: 60 për qind e popullsisë ka lindur pas fitores komuniste në 1975, dhe 25 për qind e popullsisë është më e ri se 15. Shumë prej tyre, veçanërisht ata që jetojnë në qytetet e lulëzuar si Hanoi dhe Ho Chi Minh City (ish Saigon) – kanë një përshtypje favorizuese për Amerikanët dhe ndjekin televizionin dhe filmat amerikanë.

“Në përgjithësi, marrëdhëniet midis SHBA dhe Vietnamit kanë ecur përtej konflikteve të kohës së Luftës së Vietnamit,” thotë William Frasure, një ekspert mbi Vietnamin në Connecticut College. “Marrëdhëniet midis dy qeverive tona sot janë shumë më të ndikuara nga tregtia dhe çështjet ekonomike.”

Megjithatë, kujtimi i Vietnamit është ende gjallë në SHBA, ku është kthyer në një fjalë të koduar për qorrsokakun ushtarak. SHBA tani është duke luftuar dy luftëra në të cilat armiku përdor taktika të ngjashme me ato që trupat amerikane hasën në Vietnam. Dhe konflikte në Irak dhe Afganistan vazhdojnë të zvarriten – respektivisht shtatë dhe tetë vite – gjë që bën që krahasimet me Vietnamin të shtohen.

Megjithatë, progresi midis dy vendeve doli në pah në nëntor të 2009, kur një anije e marinës amerikane, e komanduar nga komandanti i parë vietnamezo-amerikan i marinës, bëri një vizitë në Vietnam, duke arritur në qytetin bregdetar të Da Nang. Komandanti Hung Le Ba, tani 39, ishte kthyer për herë të parë në vendin që ai kishte ikur me prindërit e tij dhe tre nga vëllezërit e motrat e tij në një anije peshkimi në vitin 1975, kur ishte vetëm 5 vjeç. Gjatë luftës, babai i Le kishte qenë komandant në ushtrinë e Vietnamit të Jugut. Por si shumica e njerëzve në këtë komb të ri, Komandanti Le nuk ka asnjë memorie të luftës. “Ekipi im dhe unë jemi krenar që përfaqësojmë vendin tonë para popullit të Vietnamit,” tha ai. “Kjo vizitë është një simbol i miqësisë midis dy popujve tanë, dhe ne jemi thellësisht të nderuar që jemi pjesë e tij”.

 

Leave a Reply

Back to top button