Sunitët, shiitët, kurdët dhe të krishterët dëshirojnë të vetëqeverisen dhe të ndahen nga të tjerët. Shumica sunite e Sirisë nuk dëshiron më t’i nënshtrohet vullnetit të pakicës Alauite, e cila i përket klanit Asad. Pakica sunite e Irakut dëshiron të shpëtojë nga dominimi i shumicës shiite, e cila mori poste komandues, nga ndërhyrja amerikane kundër Saddam Husseinit. Shiitët libanezë nuk duan të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, nga sunitë dhe të krishterët. Shiitët irakianë nuk duan të rrezikojnë të humbasin pushtetin që sapo kanë fituar. Kurdët synojnë krijimin e shtetit të tyre. Të krishterët duan të jenë të sigurt
Nga Bernard Guetta
Realpolitika ka një reputacion të keq. Ne e lidhim me cinizmin e fuqive të mëdha dhe mizorinë e “raison de l’état”, por në fakt, ajo është një politikë e bazuar në realitetin e marrëdhënieve të forcës dhe të lëvizjeve të historisë. Kur krizat i shpëtojnë këtij realizmi, ato bëhen, ose mbesin, konflikte të përgjakshme.
Argumenti është i vërtetë për krizën koreane, e cila nuk do të ketë zgjidhje paqësore deri sa të pranojmë se as Kina, as Koreja e Veriut, nuk duan të hyjnë në rrugën, e cila një ditë do të çonte në një Kore të bashkuar. Kjo vlen edhe për të gjitha krizat e tjera, duke filluar me krizën siriane, që të gjithë aktorët e përfshirë do të donin ta shihnin të zgjidhej (për shkak se aktualisht nuk ka fitues të vërtetë), por që do të mbetet e pafund, derisa të pranojmë faktin se shtetet e lindura nga ndarja e Lindjes së Mesme mes fuqive koloniale, janë pjesë e së kaluarës.
Kufijtë e tyre u projektuan nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca pas Luftës së Parë Botërore, me qëllim përçarjen për të sunduar. Nga Libani i viteve shtatëdhjetë, deri në Irakun dhe Sirinë e kohëve të sotme, këto shtete janë në krizë të rëndë dhe po shkatërrohen, sepse komunitetet e ndryshme brenda tyre nuk duan të jetojnë së bashku: ata kanë shumë frikë nga njëri-tjetri, për t’i hyrë rrugës së bashkëjetesës.
Emancipim nga kolonizuesit
Sunitët, shiitët, kurdët dhe të krishterët dëshirojnë të vetëqeverisen dhe të ndahen nga të tjerët. Shumica sunite e Sirisë nuk dëshiron më t’i nënshtrohet vullnetit të pakicës Alauite, e cila i përket klanit Asad. Pakica sunite e Irakut dëshiron të shpëtojë nga dominimi i shumicës shiite, e cila mori poste komandues, nga ndërhyrja amerikane kundër Saddam Husseinit. Shiitët libanezë nuk duan të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, nga sunitë dhe të krishterët. Shiitët irakianë nuk duan të rrezikojnë të humbasin pushtetin që sapo kanë fituar. Kurdët synojnë krijimin e shtetit të tyre. Të krishterët duan të jenë të sigurt.
Të gjithë me pak fjalë, duan të emancipohen nga shtetet, të cilëve kolonizatorët britanikë dhe francezë u vunë kufijtë, mbi rrënojat e Perandorisë Otomane. Por a mund t’i fshijmë vërtetë këto kufij artificialë?
Jo. Duke bërë kështu, do të hapnim Kutinë e Pandorës, do të nisnim luftëra të reja dhe, si pasojë, do të shkatërronim shumicën e kufijve afrikanë, të cilët janë edhe ata të brishtë, artificialë dhe të trashëguar nga perandoritë koloniale. Nuk është një rrugë e besueshme.
Në vend të kësaj, është e nevojshme të ruhen kufijtë ndërkombëtarë të Lindjes së Mesme, por të transformohen këto vende në federata ose konfederata, ku çdo komunitet do të përfitonte nga një autonomi të madhe, si ajo e kantoneve të Konfederatës Zvicerane dhe mund të krijonte lidhje ndërkufitare.
Rivalët historikë dhe udhëheqësit e reshtimeve shiite dhe sunite, Irani dhe Arabia Saudite mund të ruajnë kështu zonat e tyre të influencës. Është në këtë drejtim që duhet të vazhdojmë, por udhëtimi është i gjatë dhe me aksidente, i pasigurtë si ai i Koresë. / France Inter – Bota.al