EkonomiMAIN

Rendi ekonomik ndërkombëtar i shkatërruar me goditje tarifash doganore

Nëse paralajmërimet do të konfirmohen, ato do të shënojnë rritjen më të madhe të barrierave tregtare që nga vitet 1930, kur proteksionizmi triumfoi

Lufta tregtare ka filluar tashmë. Ajo është në deklaratat dhe kërcënimet e Donald Trumpit. Edhe pse presidenti amerikan, lideri i së djathtës nacionaliste dhe populiste, ka vendosur të presë disa javë, vija tashmë është kaluar dhe objektivat janë shpallur prej kohësh: shkatërrimi i rendit ekonomik që ka rregulluar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare për dekada, megjithë tensionet e shumta.

Ky rend ndërkombëtar, i bazuar në liberalizim, po zëvendësohet me doktrinën “America First” (Amerika e Para), pa dallime midis aleatëve dhe kundërshtarëve, të gjithë të akuzuar për përfitime nga Shtetet e Bashkuara. Madje, siç ka thënë Donald Trump: “Aleatët shpesh janë më të këqij se rivalët kur bëhet fjalë për tregtinë.”

Shkatërrimi i çdo pakti apo organizate shumëpalëshe të bazuar në bashkëpunim, duke filluar nga Organizata Botërore e Tregtisë (WTO), po shtyhet përpara nga Trumpi, me një ekip bashkëpunëtorësh besnikë, të përbërë nga proteksionistë të hershëm dhe këshilltarë të konvertuar më vonë në këtë ideologji.

Të gjithë janë të bindur se tarifat doganore janë efektive. Si mjet negociatash, si formë presioni për të siguruar lëshime politike dhe ekonomike. Ose si mbrojtje e ekonomisë amerikane, për të mbështetur rritjen e prodhimit industrial dhe atë të markës “Made in USA”.

Megjithatë, historia dhe përvojat e fundit sugjerojnë të kundërtën.

Disa pragmatistë në administratë synojnë gjithashtu përfitime fiskale, duke shpresuar që tarifat e reja do të sjellin të ardhura shtesë për buxhetin federal, duke lejuar kështu ndërhyrje në fusha të tjera, duke përfshirë uljen e taksave për shtresat me të ardhura më të larta, diçka kjo e premtuar në fushatë.

Kina është objektivi i parë i tarifave tregtare të administratës Trump. Megjithatë, masat më ambicioze dhe më të diskutueshme janë vendosur, ose është kërcënuar se do vendosen, ndaj vendeve tradicionalisht miqësore me SHBA, si Danimarka dhe Panamaja, për shkak të dëshirës së Trumpit për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, apo si Kanadaja dhe Meksika, për të rinegociuar marrëveshjet tregtare dhe për të forcuar politikat mbi emigracionin dhe luftën kundër trafikut të drogës; si dhe të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, duke përfshirë Bashkimin Evropian, të cilat janë cilësuar si praktika të padrejta tregtare ndaj SHBA-së.

Në përgatitje janë edhe tarifa globale në sektorë të tjerë strategjikë, nga automobilizmi te industria farmaceutike.

Administrata Trump është gati të godasë me miliarda dollarë importe në SHBA, pa e vrarë mendjen për rrezikun e shkaktimit të kundërpërgjigjeve ekonomike dhe një përshkallëzimi të rrezikshëm të krizës globale.

Trump dhe strategjia e tarifave doganore

“Tarifat doganore janë një gjë e bukur, gjëja më e madhe që është shpikur ndonjëherë,” përsërit Trumpi me vendosmëri. Krahasuar me përvojën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur priti të paktën një vit për të analizuar dhe rimenduar strategjinë e tij, këtë herë presidenti i SHBA po vepron shumë më shpejt. Dhe po e mban me krenari titullin “Tariff Man” (Njeriu i Tarifave).

Masat e para të vendosura

Trump ka shpallur tarifa 25% ndaj të gjitha importeve nga Meksika dhe Kanadaja, dy partnerët kryesorë të SHBA-së në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Ai i ka pezulluar këto masa deri në mars, për të testuar nëse këto vende do të përmbushin premtimet për të forcuar masat kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogave.

Gjithashtu, Trump ka vendosur tarifa 50% ndaj Kinës, të cilat prekin të paktën 400 miliardë dollarë mallra konsumi, duke ua shtuar tarifave ekzistuese nga mandati i tij i parë. Për më tepër, ai ka shpallur shtesa tarifore 10% për importet e çelikut dhe aluminit, duke filluar nga 2 marsi.

Vlera totale e tarifave të reja të vendosura ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës arrin afro 300 miliardë dollarë në vit, sipas analizave të Goldman Sachs, krahasuar me 80 miliardë dollarë që SHBA mbledh aktualisht nga të gjitha tarifat e saj doganore.

Tarifat e ndërsjella dhe reciprociteti

Trumpi nuk është ndalur këtu. Ai i ka dhënë udhëzime administratës së tij për të vendosur tarifa reciproke ndaj të gjithë partnerëve tregtarë, duke analizuar barrierat tarifore të vendeve të tjera, politikat e taksimit, si TVSH-ja e lartë në Europë, apo incentivat për industrinë kombëtare, të cilat SHBA i konsideron diskriminuese.

Plani i tij është të krijojë një “indeks reciprociteti” për SHBA-në, i cili do të marrë parasysh të gjitha këto barriera dhe do të imponojë tarifa në përputhje me to. Raportet për këtë plan do të paraqiten deri në fillim të prillit, ndërsa tarifat mund të hyjnë në fuqi që në prill, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, Trumpi ka kërcënuar gjithashtu Kolumbinë me tarifa për shkak të refuzimit të saj për të pranuar kthimin me forcë të emigrantëve nga SHBA. Ai gjithashtu ka kërcënuar Danimarkën me tarifa nëse nuk pranon t’i japë SHBA-së kontroll mbi Groenlandën.

Një kërcënim për ekonominë globale

Ekonomistët dhe historianët e shohin këtë ofensivë tarifore të Trumpit si një ngjarje tronditëse, me paralajmërime për pasoja që nuk janë parë, qysh nga kriza e viteve 1930.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se një rritje e përgjithshme e tarifave me 10% mes SHBA, Kinës dhe BE-së do të ulte PBB-në globale me 0.4 pikë përqindje deri në vitin 2026.

Peterson Institute for International Economics parashikon se një tarifë universale 10% për të gjitha importet do të ulte PBB-në reale të SHBA me 0.9% dhe do të rriste inflacionin me 1.3 pikë përqindje, deri në vitin 2026.

Familjet amerikane do të humbnin 2,600 dollarë në vit, për shkak të rritjes së çmimeve dhe rënies së fuqisë blerëse.

“Këto tarifa do të dëmtojnë ekonominë, produktivitetin, pagat dhe rritjen ekonomike,” paralajmëron një raport i Tax Foundation, duke shtuar se ato do të prishin aleancat ekonomike dhe të sigurisë së SHBA.

Pasojat e tarifave në ekonominë amerikane

Studimet mbi tarifat e vendosura nga Trump në mandatin e tij të parë tregojnë se ato:

Nuk patën asnjë efekt pozitiv në industrinë amerikane.

Industria e çelikut dhe aluminit humbi 348 miliardë dollarë, sepse tarifat rritën koston për kompanitë që përdornin këto materiale.

Tarifat për lavatriçet krijuan 1,800 vende të reja pune, por e detyruan çdo konsumator amerikan të paguajë 92 dollarë më shumë për lavatriçe.

Të ardhurat nga tarifat nuk mbuluan humbjet nga ulja e taksave, duke krijuar një deficit të ri për qeverinë.

Politika proteksioniste dhe ekipi i Trumpit

Trump ka mbledhur rreth tij një ekip të fuqishëm proteksionistësh, duke përfshirë Howard Lutnick, një ish-bankier i Wall Street që tani është sekretar i Tregtisë, Peter Navarro, një mbështetës i flaktë i tarifave, autor i librit “Death by China”, Scott Bessent, Sekretari i Thesarit, i cili po përpiqet të balancojë tarifat me politika më të buta për tregtinë ndërkombëtare.

Gjithashtu, ndikimi i ekstremit të djathtë populist është rritur në qeverinë e Trumpit, me figura si JD Vance dhe Oren Cass, të cilët argumentojnë se tarifat janë një mjet për të ringjallur industrinë amerikane dhe se ndikimi negativ i tyre duhet parë si një sakrificë e pranueshme për ringritjen e ekonomisë kombëtare.

Ndërsa SHBA ka një deficit tregtar prej 918 miliardë dollarësh në vit, proteksionizmi i Trumpit mund të shkaktojë një luftë ekonomike të pashembullt, duke ngritur tensione jo vetëm me Kinën, por edhe me aleatët tradicionalë si BE-ja dhe Kanadaja.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse tarifat do të zbatohen në shkallën e paralajmëruar nga Trumpi, ekonomia globale mund të pësojë një tronditje të madhe, duke rritur inflacionin dhe pasigurinë ekonomike ndërkombëtare. / Il Sole 24 Ore – Bota.al

Back to top button