Bota

REPORTAZHI / Çernobili, udhëtim mespërmes një “monstre”, tridhjetë vjet më vonë

Eshtë gjithçka e madhe dhe e pamatshme, në zonë. Pallatet e braktisur, të boshatisur, të zhveshur nga gjithfarësoj suvenirësh, të cilët më pas janë shitur në tregjet kushediseku. Janë hequr fijet elektrike, mobiljet, çadrat, gjithçka. Kush e di se kush darkon, kush e di se kush fle mbi to. Apo kush vdes, ndoshta…

Screen Shot 2016-04-26 at 09.17.38

 

Ja tek është, monstra: nesër do të kenë kaluar tridhjetë vite, dhe kall ende frikë. Dozimetri që mat radioaktivitetin, tani që jemi afruar në zemrën e shkatërruar të centralit bërthamor të Çernobilit, luhatet si një i çmendur. Veteranët, zjarrfikësit dhe “likuiduesit” që ndërtuan sarkofagun e bariumit përreth reaktorit numër 4, reshtohen para rreth njëqind metrash, një foto kujtimi, me sytë e lagur, për miqtë që nuk janë më. Monstra, prapa tyre, mbushet me jetë: dhjetëra operatorë kujdesen për të, e arnojnë, e mirëmbajnë. Eshtë i goditur, i plagosur dhe “përpiqet të çlirohet”.

E ardhmja është sarkofagu që po i lind aty pranë, dyqind metra më tutje: një kuti gjigande me ngjyrë qumështi, njëqind metra e lartë. “Do ta zhvendosin duke e rrëshkitur mbi binarë deri tek sarkofagu i vjetër, do ta mbështjellë dhe do ta bëjë të sigurtë”, thotë Dima, udhërrëfyesi që administrate e “Zonës së përjashtimit” na ka caktuar për të lëvizur brenda zonës së maktheve atomike.

Eshtë gjithçka e madhe dhe e pamatshme, në zonë. Pallatet e braktisur, të boshatisur, të zhveshur nga gjithfarësoj suvenirësh, të cilët më pas janë shitur në tregjet kushediseku. Janë hequr fijet elektrike, mobiljet, çadrat, gjithçka. Kush e di se kush darkon, kush e di se kush fle mbi to. Apo kush vdes, ndoshta…

Ja reaktorët e shuar dhe ata që nuk kanë pushuar asnjëherë, fshatrat e shkretë, depozitat e skorjeve; dhe a keni parë ndonjëherë një peshk-mace dy metra, njësoj si në barcaletat me peshkatarin mburravec? Ja tek është, noton i qetë nën urën metalike përballë centralit. Madje prit shiko mirë, “janë dy!” Hanë bukën që u hedhin turistët, thonë se peshojnë mbi tetëdhjetë kile dhe nuk janë asgjë në krahasim me dy të tjerët, “ai që ngordhi, dhe ai që u peshkua vitin e kaluar për ta studiuar: ishte i gjatë tre metra dhe peshonte dyqind kile”, thotë Dima.

Para se të vish këtu, ti pret një vend vetmie dhe heshtjeje, por e gjen veten në radhë mes turistëve.
“Jemi gjermanë, nga Berlini”.
Po çfarë keni kërkuar që keni ardhur këtu? Jeni studiues? Ambientalistë? Nuklearistë?

“Jo, jemi thjeshtë kuriozë”.
Sapo janë rikthyer prej radarit të madh sovjetik të braktisur në Çernobilin 2, qyteti i ushtrisë dhe i raketave, qendra e zërit e të cilit e shtrinte veshin deri në Amerikë. Një tjetër gjigand i Zonës. Vdekur edhe ai, por jo plotësisht: dikush ka montuar një parabolë, atje lart mes shtyllave të ndryshkura që ngjiten drejt reve, ku ngjiten të apasionuarit pas sporteve ekstreme. Tridhjetë vjet më parë, ishte një tjetër botë. “Një kon drite, ja çfarë pashë unë. Kishte një ngjyrë të pabesueshme, mjedër dhe luleshtrydhe. E papërshkrueshme. Shumë e bukur”. Ka netë që nuk janë si të tjerat. Tamara Kovalchiuk, në 25 prill të vitit 1986 kishte punuar në turnin e natës. “Isha operatore vinçi në stacionin e pompimit të ujërave ftohëse të reaktorit numër 4. Isha 24 vjeç dhe banoja bashkë me tim shoq dhe fëmijët në Prypjat”. Zona 1, qyteti i vdekur i punëtorëve disa kilometra larg prej centralit: pallatet dhjetëkatëshe strehonin 55 mijë persone, kur dy shpërthime e zgjuan monstrën në reaktorin numër 4.
“Duke qenë se kisha një tjetër turn mëngjesin e të nesërmes, isha ndalur të flija në bujtinën pranë centralit, e cila ishte organizuar për të bërë edhe kontrolle të vegjël për shëndetin. Por atë natë na kërkuan ta lironim strukturën dhe të ktheheshim në shtëpi, dhe pamë që të hyjnë njerëz të deformuar, me batanije mbi kokë. Ishin të parët që kishin ndërhyrë në reaktor, dhe ne nuk dinim ende asgjë. Në Prypjat zbuluam se diçka nuk shkonte, pasi të nesërmen rruga për t’u kthyer në central ishte e mbyllur, dhe autobusi nuk kishte ardhur të na merrte. Telefonat nuk funksiononin. Anija e fundit e shpejtë për në Kiev u nis atë mëngjes, me më të shkathëtit”.

Flota e Prypjetit dhe Çernobilit është një tjetër skandal i vogël i kësaj bote paralele, nga e cila udhërrëfyesit përpiqen që të të mbajnë larg: kishte me dhjetëra varka hekuri, disa prej tyre janë aty të ndryshkura e të fundosura. “të tjerat i zhdukën”, rrëfen dikush. Kur iu afrohemi ujit të lumit, dozimetri nis të ulërasë e të na kërkojë të ndërrojmë rrugë. Radioaktiviteti aty është i lartë, ai metal nuk duhej të largohej asnjëherë prej varrezës së tij.

“U ngjitëm në çati – vazhdon Tamara – për të parë atë dritë shumë të çuditshme mbi central. 26 dhe 27 kaluan pa lajme. Për të mos lejuar që ne të shqetësoheshim, i mbushën dyqanet me mallra. Në atë kohë ishin gjithnjë bosh, por tani, ja tek u shfaqën peliçe, sallamëra… Ditën e tretë na thanë të

përgatiteshim për një provë evakuimi: merrni vetëm pasaportën dhe ushqim për tre ditë, na thanë. Tre ditët zgjatën gjashtë muaj”. Tani Tamara rilyen shtëpinë e mamasë në Opacici, një prej fshatrave fantazmë në Zonën 2. Nëna e saj vdiq një vit më parë në moshën 96 vjeç.

Dozimetri hesht, por aty-këtu rigjallërohet. Në Zonë, mesatarja nuk ekziston. Bëj një hap dhe ke më pak radioaktivitet se sa në Kiev, bëj një tjetër dhe ngjitet në qiell; i afrohesh tokës dhe gjithçka është në rregull, zhvendosesh një metër, dhe fillon alarmi. Për këtë arsye, zona e përjashtimit duhej të përjashtonte njerëzit: Natyra e harlisur premton perime të mrekullueshme, por një kungull është i shëndetshëm dhe një tjetër është helm, dhe sa herë që fryn erë, harta zhvendoset. Pastaj takon atë mrekullinë, Baba Marussja, që është 89 vjeç dhe i bën katër sytë blu, ndërkohë që kujdeset për tulipanët e saj në kopsht, ashtu siç bënte qëkur ishte fëmijë. Për të është sikur centrali nuk ka shpërthyer asnjëherë. “më evakuuan për gjashtë muaj, por u riktheva menjëherë në shtëpi dhe nuk u largova kurrë më”.

Baba Marussja, por kur e keni parë doktorin për herë të fundit? Ajo qesh me tre dhëmbët që i kanë mbetur, me dinjitetin dhe forcën e kësaj toke të varfër dhe krenare, të dhunuar prej garës për energjinë bërthamore: “Në vitin 1958, kur linda fëmijë!”

Por, fatkeqësisht nuk shkon gjithmonë kështu. Claudia Voroniets, mësuese filloreje bjelloruse, është e zemëruar me qevërinë, e cila nuk dha informacionet të cilët do të kishin shpëtuar shumë nxënës të saj, dhe tani ndoshta nuk do të duhej të lutej për bijën e saj, e cila vitin që kaloi u operua përsëdyti për një tumor. “Ndodheshim në fshatin e Ostrogladit, dhe në 26 prill dhe në ditët që pasuan e shijuam atë diel dhe atë të nxehtë kaq të pazakontë, dhe ai shiu me të cilin lanim fëmijët, duke qenë se nuk kishim ujë të rrjedhshëm”. Ai armiku i poshtë dhe i padukshëm shkon atje ku do, dhe ato ditë shkoi mbi të gjitha në veri, drejt Bjellorusisë. Kufiri ndodhet vetëm pak kilometra larg nga Çernobili.

Dozimetri thotë që është koha për t’u larguar. Në gjashtë orë shëtitje në Zonë, kemi përthithur rrezatimin e një udhëtimi të gjatë interkontinental, na thonë. Duke dalë nga Zona 1 dhe Zona 2, kalojmë tek kontrollet: një detektor të lë të kalosh vetëm nëse je “i pastër”, përndryshe duhet të dekontaminohesh. E kemi ekzagjeruar vallë? Një frymëmarrje lehtësuese: dera hapet… / Paolo Brera – La Repubblica

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button