Motivuese

“Respektoji gjithmonë femrat, mos i keqtrajto ato”. Këshillat e një nëne në letrën drejtuar të birit

“I dashur bir,
Je një bekim në jetën time dhe më pëlqen shumë të shoh teksa rritesh dita ditës. Je në fillimet e shfaqurit të personalitetit tënd dhe jam krenare për mashkullin që ti po shndërrohesh. Je biri më perfekt që mund të ëndërroja të kisha. Që përpara se të të lindja, e dija se do të më bekonte Zoti me një djalë, madje kisha menduar edhe emrin tënd. Por kurrsesi nuk të mendoja kaq perfekt.

I dashur bir, do të doja të ndryshoja shumë aspekte të realitetit të ashpër që të është dashur të përballosh që i ri. Do të doja të jetonim në një botë, ku nuk do të ekzistonin tragjeditë, por një gjë e tillë është  e pamundur. Gjëja që unë mund të bëj, është të mësoj t’i përballosh i fortë sfidat e jetës. E teksa rritesh, dua t’i mbash mend mirë ato që të kam shkruar në këtë letër, sidomos kur jeta të bëhet e vështirë.

Shpërnda mirësi sa herë të mundesh. Babai yt ishte epiteti i mirësisë. Kudo ku ai shkonte dhuronte mirësi dhe të qeshura. Bir, e kam vënë re që ti ke të njëjtën zemër si yt atë, po aq të mirë dhe të ndjeshme. Kapu pas saj, edhe kur jeta të jetë e vështirë. Kujto që çdokush meriton mirësi, bir. Mos ki frikë ta shfaqësh atë.

Ji guximtar dhe mos u ndal nga dështimet. Do të kesh padyshim momente, kur nuk do t’ia dalësh mbanë, por ato kurrsesi nuk duhet të ndalin. Pikërisht në ato momente duhet të çohesh e të arrish suksese të tjera, të cilat do t’i bëjnë të pavlera dështimet e tua. Beso gjithmonë në Zot, kërkoji Atij të të japë guximin e duhur për të kaluar çdo sfidë.

Respektoji më të rriturit. E di që e bën, pasi e kam vënë re që këtë gjë e ke mësuar shumë mirë prej meje. Vazhdo ta bësh. Çdokush meriton respekt dhe unë shpresoj ta tregosh. Respektoji edhe bashkëmoshatarët e tu, sidomos vajzat dhe më vonë akoma, femrat. Kur i respekton të tjerët, edhe nëse sillen keq me ty, sërish dije se ti do të qëndrosh mbi ta në sytë e të gjithëve.

Duaje vajzën që do të kesh pranë, ashtu siç yt atë më donte mua, me gjithçka që kishte, me gjithë zemrën e tij. Qëndroji asaj besnik dhe tregoja çdo ditë se sa shumë e do. Një nga gjërat e fundit që yt atë më tha para se ta linte këtë botë, ishtë se më donte më shumë se jetën e tij. E besoja. Të uroj ta përjetosh edhe ti një dashuri të tillë.

Bëje familjen prioritet. Familja duhet të jetë gjithmonë në zemër të çdo vendimi që do të marrësh, edhe nëse kjo do të thotë një rrogë më e ulët, apo një mundësi më e ulët për të avancuar në karrierë. Bëje, sepse në fund, pasi të përfundojë gjithçka, pranë do të të gjendet vetëm familja jote.

Zgjedhja më e mirë është të bësh gjënë e duhur. Në jetë do të kesh shumë tundime, si të pish duhan, apo drogë, apo të keqtrajtosh një femër, apo të vjedhësh. Asgjë prej këtyre nuk ka vlerë në fund. Jo vetëm do të më zhgënjesh mua, por do të zhgënjesh edhe veten dhe kjo është ndjesia më e keqe e mundshme. Bëj zgjedhjen e duhur përherë me guxim dhe vendosmëri. Për aq kohë sa do të jem pranë teje, do të më kesh përherë forcë mbështetëse dhe këshilluese.

Vendose gjithmonë Zotin të parin. Po ashtu siç duhet të kesh familjen prioritet, edhe besimi në Zot duhet të ketë vendin e vet në jetën tënde, në vendimet e tua, apo në ato të familjes tënde. Zoti duhet të jetë i pari dhe besimi tek Ai nuk duhet të zbehet asnjëherë, sidomos në kohërat e vështira. Kur ti ta vendosësh Zotin në qendër të jetës tënde, do të jesh i bekuar, biri im. Ta premtoj këtë gjë.

Ti je ende shumë i vogël për të kuptuar çdo këshillë të kësaj letre, por e di se një ditë do ta kuptosh më së miri. Je një bekim fantastik për mua. Ishe edhe për babanë tënd. Të dy e dinim, unë ende e di se ti ke lindur për të arritur gjëra të mëdha. Mezi pres të shoh se si do të lësh gjurmët e tua në këtë botë.

Me dashuri,
Nga mami yt.”

Back to top button