
Për një kohë të gjatë, “Interpretimi i ëndrrave” i Sigmund Freud-it mbeti pothuajse i pashitur, duke mbledhur pluhur në raftet e librarive. Mjafton të themi se ishte viti 1899, në fundin e shekullit XIX, dhe libri ishte zbulimi i një mjeku sipërmarrës vjenez, por ende pak të njohur, i cili duke trajtuar çrregullime të psikikës, ishte i bindur mbi nevojën për të eksploruar një kontinent deri atëherë të panjohur dhe pa asnjë kuptim shkencor: botën e ëndrrave.
Qëllimi i Freud-it ishte të gjente një përmbajtje të fshehur, shqetësuese, enigmatike dhe të papërshtatshme, që në shumicën e rasteve përbëhej nga material seksual, pra nga një përmbajtje e nxehtë, që askush nuk donte ta diskutonte – as në shoqëri, as në kongreset e mjekëve dhe shkencëtarëve – materiale që, sipas tij, çdo njeri ia fshihte vetes dhe të tjerëve, në një lloj “mungese inqeriteti të brendshëm”, për të mbrojtur veten nga dhuna ose nga ndikimi i dëshirave të veta, apo i impulseve të pashprehura.
Po si mund të ndahej e gjitha kjo me të tjerët?
Gjashtë vjet më vonë, vepra e parë e madhe e Freud-it, akti themelues i psikanalizës, kishte shitur vetëm 351 kopje. Hiçgjë.
Disa vite më pas, në një klimë tashmë të ndryshuar, me një përhapje gjithnjë e më të madhe (edhe pse jo pa keqkuptime dhe kundërshti), lindi historia e lëvizjes psikanalitike.
Ata që e kujtojnë këtë histori do të mbajnë mend mirë edhe izolimin e atyre viteve të refuzimit: çfarë donte të thoshte kjo ide skandaloze, që neurozat kishin një origjinë seksuale, dhe se kjo gjurmë mund të ndiqej edhe te simptomat e të tjerëve?
Dhe çfarë donte të thoshte ideja se origjina e dhimbjes duhej kërkuar në fëmijëri, e cila, për Freud-in, nuk ishte aspak e pafajshme siç besonin ose shtireshin se besonin borgjezët e ndershëm të Vienës së fund-shekullit XIX?
Pastaj erdhën kohë të tjera: përhapje botërore dhe një ndikim në rritje në jetën kulturore të gjithë planetit, debate, rishikime, kritika – ndonjëherë të ashpra e të egra – zbulime të reja, teori të reja, popullarizimi i termave dhe koncepteve të caktuara (kush nuk ka bërë ndonjë lapsus që gjithmonë, thuajse për definicion është “freudian”; kush nuk flet për nxitje, për mekanizma të fshehur, për shtypje…?).
Por erdhi edhe refuzimi nga establishment-i mjekësor dhe shkencor, gjithmonë i përqendruar në një sens natyralist, shpërthimi i neuroshkencave dhe rënia e “kurës me të folur” (talking cure), shterimi i shtytjes krijuese të psikanalizës.
Dhe Freud-i mbeti i izoluar, megjithëse këmbëngulja e fjalës së tij vijon të ringjallet në disa forma të ndryshme të psikoterapive bashkëkohore, në kujdesin praktik, ndonjëherë edhe spiritual, dhe herë pas here në një vitalitet të ri edhe filozofik, dhe një dialog që nuk është ndërprerë kurrë me botën e artit, letërsisë dhe filozofisë.
Po sot?
Papritur Freud rikthehet dhe, një shekull e një çerek më vonë, “Interpretimi i ëndrrave” rishfaqet papritmas në krye të klasifikimeve të shitjeve të librave teorikë.
Çfarë e shtyn sërish këtë kryevepër, që i dha jetë psikanalizës, me studimin e ëndrrave, “bazës më të sigurt” të saj, drejt librarive?
Përse e blejnë? Çfarë shenje është ky rikthim i papritur?
Nga kurioziteti apo pasiguria, nga një ndjenjë e rëndë faji apo, përkundrazi, nga dëshira për t’iu shmangur realitetit, për të shpjeguar ëndrrat verore? A është frikë nga luftërat apo tradhtitë e Temptation Island?
A është një kthim nostalgjik drejt zemrës së vjetër të Kulturës evropiane apo një lodhje nga zhurma e madhe që vjen nga Amerika trumpiane?
A kemi nevojë të hedhim sërish vështrimin drejt thellësive të shpirtit njerëzor, apo të shmangim shëmtinë e historisë dhe të botës, apo të dyja bashkë?
A janë frikërat tona apo arrogancat e të tjerëve ato që duam të kuptojmë?
Vështirë të thuhet. Por, ndoshta, duam vërtet të kuptojmë: të paktën këtë mund ta pranojmë.
Në një bisedë të gjatë me David Remnick, në New Yorker, Philip Roth vite më parë ankohej për zhdukjen e përpjekjes së fuqishme intelektuale që kishte udhëhequr pjesën e parë të shekullit të njëzetë.
Ai përmendte marksizmin dhe Proust-in, Frazer-in, Kafka-n, Joyce-n dhe surrealistët, por mbi të gjitha Freud-in, “Sofokliun tonë”. Sepse bëhej fjalë për të kuptuar çfarë ka përtej sipërfaqes së gjërave, dhe ndoshta edhe sot mund të shtrohet e njëjta pyetje: përtej ekraneve mbi të cilët kalojmë shumicën e jetës sonë, çfarë ka?
Pa këtë përpjekje, është si të shikosh një ndeshje bejsbolli vetëm duke parë rezultatin në tabelë.
Si të ndjekësh finalen e Wimbledon-it pa i hedhur kurrë sytë barit të qendrës apo goditjeve të Sinner-it, por vetëm në ekran: kështu mund të kuptosh rezultatin e ndeshjes, por çfarë do të kesh kuptuar nga tenisi?
Psikanaliza solli për herë të parë një vështrim të tillë edhe mbi ëndrrën, por me një ndërlikim shtesë: sepse ajo që ne shohim në ekranin e ndërgjegjes sonë nuk pasqyron atë që ndodh në zonat e nëndheshme të mendjes, por është e shtrembëruar, e maskuar, e zhvendosur – dhe pikërisht për këtë kërkon interpretim.
Pas kësaj, a është e mundur që i gjithë arsenali teorik i Freud-it t’i ngjajë më shumë një mitologjie të re sesa një shkence të re (ose ndoshta janë të njëjta vetitë e mitit dhe shkencës, dhe ajo që ne mendojmë se duhet të bëjë njëra apo tjetra është çështje që duhet rishikuar)?
Por, duke e lënë mënjanë këtë: a jemi të sigurt se llafet dhe zhurma që qarkullojnë në botë, që herë i ftohin, herë i eksitojnë shqisat tona të thella, nuk na kanë lënë pa asgjë, pa qenë në gjendje të lexojmë as edhe një faqe të vetme nga ai libër i rreptë i mjekut vjenez?
Dhe çfarë është më e mundshme: që psikanaliza të jetë vetëm një ëndërr e Freud-it, ose që ky qytetërim i yni, sot më shumë se kurrë, ka nevojë të zgjohet nga ëndrrat e tij, duke parë në sy realitetin? / la repubblica – bota.al