Histori

Rikthimi i perandorit

Pas abdikimit, mërgimit dhe poshtërimit, ish-Perandori i Francës dukej i rrënuar, por jo tërësisht jashtë loje. Shumë shpejt, Napoleoni nisi rikthimin e tij drejt madhështisë, dhe në fushën e betejës…

Screen Shot 2015-04-04 at 11.22.27

Rikthimi i perandorit

Pas abdikimit, mërgimit dhe poshtërimit, ish-Perandori i Francës dukej i rrënuar, por jo tërësisht jashtë loje. Shumë shpejt, Napoleoni nisi rikthimin e tij drejt madhështisë, dhe në fushën e betejës…

Ish-zoti i Evropës ishte tanimë një monark sa për emër, në një ishull të errët. Në mërgim në Elbë, ai ishte i rrethuar nga zbukurimet e zbehta të ceremonive të oborrit, ndërsa pensioni i premtuar më herët nuk iu dha. Napoleoni i shkroi herë pas here gruas së tij, Maria Luizës, e bija e perandorit austriak, duke i kërkuar asaj të shkonte pranë tij.

Edhe nëse ajo nuk mundte apo nuk donte, ai e luti që t’i dërgonte së paku djalin e tyre të mitur. Asnjëra nga kërkesat nuk iu plotësua, edhe pse ai nuk e dinte se ato letra u diktuan nga familja e gruas së tij, dhe nuk arritën kurrë në duart e saj. Një Napoleon i cili dëshiron gruan dhe fëmijën e tij, mund të ngjajë si një figurë shumë njerëzore, por në fakt ai mbeti deri në fund një ambicioz i madh, një lojtar kryesor plot vetë- besim, që ishte vetëshpallur perandor. Ndërsa muajt kalonin, ai merrte raporte të rregullta mbi ngjarjet në Evropë dhe në një moment ndjeu ndryshimin.

Mbreti Burbon Luigji XVIII, vëllai i vogël i monarkut, të cilit iu pre koka gjatë viteve të ethshme të Revolucionit Francez në vitin 1793, ishte kthyer për të sunduar Francën. Në moshë të thyer, mbipeshë dhe me një mungesë të dukshme karizme, ai kishte kaluar dekadat e fundit në mërgim në Britaninë e Madhe. Ai nuk i njihte popullin e vet dhe ky i fundit nuk e njihnin atë. E njëjta gjë vlente edhe për të gjithë ruajalistët e mërguar dikur, të cilën u rikthyen me të dhe pranuan postet kryesore në qeveri dhe ushtri.

Përgatitja e lojës

Ajo nuk ishte më Franca e para-revolucionit. Ushtarët e Napoleonit përjetuan zvogëlimin drastik të madhësisë së ushtrisë, duke u kthyer në shërbyes në mërgim ndaj fisnikëve, të cilët nuk kishin nuhatur kurrë në jetën e tyre pluhurin dhë papastërtitë. Dhjetëra-mijëra të burgosur të luftës u kthyen në shtëpi dhe u lanë të papunë nga ish-robërit e tyre. Civilët e panë oborrin mbretëror si të korruptuar, të paaftë dhe arrogant.

Në të njëjtën kohë, fuqitë e mëdha u takuan në Kongresin e Vjenës për të vendosur mbi hartën e re të Evropës, ku kujtimet e aleancës së tyre të kohëve të fundit, u venitën shpejt, ndërsa u shfaqën rivalitetet e vjetra. Mosmarrëveshjet mbi territoret u bënë kaq të hidhura, sa ekzistonte frika e luftës. Napoleoni vëzhgoi dhe priti, duke parandjerë se loja nuk kishte përfunduar ende, dhe se edhe nga humbja ai mund të rikthehej sërish trimfues.

Ai s’mund të vonohej shumë gjatë. Po t’i lihej kohë, mbreti i ri mund të forconte pozitat në vend, aleatët mund të sheshonin dallimet mes tyre, dhe mllefi i ushtarëve të tij të vjetër mund të binte.

Në fund të shkurtit 1815, Napoleoni u largua nga Elba dhe në 1 mars zbarkoi në Bregun e Kaltër. Ai kishte vetëm 600 ushtarë dhe Parisi ishte shumë kilometra larg. E megjithatë marshimi i tij u bë epik. Pranë Grenoblës, batalioni i 5-të i Këmbësorisë u doli përpara dhe u bllokoi rrugën.

Duke mos dashur një luftë civile, Napoleoni eci i vetëm në drejtim të tyre, ushtarët grisën spaletat e bardha të Mbretit Burbon dhe u mblodhën rreth perandorit të tyre. Komandanti i tij i vjetër, Marshalli Nej, ishte mburrur se do të çonte sërish Napoleonin në Paris në një kafaz hekuri, por trupat e tij gjithashtu dezertuan. Sa më shumë i afrohej Parisit, aq më shumë ushtarë u bashkuan me të, dhe aq më shumë respekt impononte, sikurse historia u tregua edhe në gazetën “Le Moniteur”. Në fillim ai ishte “Korsikani Vigan”, një “përbindësh”, një “tiran” dhe “uzurpator”. Pastaj ai u bë “Bonaparti”, më tej “Napoleoni”, derisa, në datën 22 mars, gazeta njoftoi se, “Dje Madhëria e Tij” mbërriti në Paris. Luigji XVIII ishte arratisur tashmë në Holandë. Napoleoni pohoi se donte vetëm të rivendoste krenarinë dhe prosperitetin e Francës dhe dëshiroi paqe me fqinjët e tij. Por pavarësisht të gjitha dallimeve mes tyre, fuqitë e mbledhura në Vjenë nuk do të pranonin kurrësesi rrikthimin e Napoleonit, në një kohë që askush nuk besonte se ai do të ruante paqen në një periudhë afatgjatë. Gjithësesi, askush nuk ishte i gatshëm për të nisur një luftë të re me të. Ushtritë e tyre u kthyen kryesisht në shtëpi.

Rusët dhe austriakët nuk ishin të aftë të vendoseshin në fushëbetejë para fillimit të verës. Ndërkaq një ushtri prusiane mund të pretendonte të mblidhej më shpejt se kaq, por ajo nuk do përfshinte dot shumë prej trupave të saj më të mira. Edhe në atë gjendje, ushtria u dërgua në Hollandë, për të vepruar së bashku me një forcë të përzier holandeze, belge, gjermane dhe britanike.

Koha punonte kundër Napoleonit, ndërsa edhe një herë ai reagoi mrekullisht, duke mbledhur shpejt një ushtri, si dhe organizuar dhe pajisur njësitë e reja. Ai s’mund të priste. Nëse do të qëndronte në mbrojtje, atëherë përfundimisht aleatët do ta sulmonin Francën me forca të shumta. Perandori duhej pra të godiste i pari, dhe i vetmi vend ku ai mund të bënte këtë, ishte goditja e ushtrive të grumbulluara në Holandë. Korrja e një fitoreje të madhe atje mund të bënte që disa nga aleatët të hezitonin e të ishin të gatshëm për të biseduar me të. Tek e fundit, ai mund të shpresonte t’i shkaktonte humbje të rënda, dhe këtu filluan të rriten edhe shanset kundër tij. Në orët e para të 15 qershorit 1815, ushtarët e parë francezë kaluan kufirin me Belgjikën.
Perandori godet sërish

Napoleoni kishte 123 mijë burra dhe 358 topa. Përballë tij qëndronin 130 mijë trupa prusiane, nën komandën e feldmarshallit Blyher, dhe 100 mijë burra të ushtrisë anglo-holandeze, nën drejtimin e Dukës Uellington. Të dyja ushtritë, përfshinin një numër të madh ushtarësh të papërvojë, dhe të tjerët që deri kohët e fundit, kishin luftuar në krah të francezëve. Ata gjithashtu u shpërndanë gjerësisht për të mbuluar kufirin dhe për ta bërë më të lehtë strehimin dhe ushqimin e tyre.

Trupat e Napoleonit ishin kryesisht veteranë. Megjithatë, perandori gjithashtu kishte avantazhin edhe më të madh, për shkak se kundërshtarët e tij nuk e dinin se kur, apo ku ai do të godiste. Ai kishte nevojë të godiste armikun fort, përpara se ky i fundit të mund të përqendrohej, dhe mbi të gjitha të parandalonte që Uellingtoni dhe Blyheri të bashkoheshin me njëri-tjetrin.

Prusianët po ruanin kufirin, kur ia mësynë francezët. Nga përvoja, Napoleoni e dinte se luftëtari i vjetër ishte instinktivisht agresiv. Në anën tjetër, Uellingtoni ishte i njohur për kujdesin e tij, edhe në rastin e leximit të gabuar të ndonjë situate, pasi ishte i bindur se francezët do të godisnin rreth krahut të tij të djathtë dhe do përpiqeshin ta ndanin atë nga bregu, si dhe nga komunikimet e tij me Britaninë.

Vetëm vonë, në pasditen e datës 15 qershor, ai e kuptoi gabimin e tij, duke deklaruar “se Napoleoni na ka mashtruar, përmes Zotit”.

Ndërkohë në Bruksel, një pjesë e mirë e aristokracisë së lartë së Londrës, kishte ardhur për të parë ushtrinë e saj të përqëndruar në Linji.

Uellingtoni u takua dhe premtoi se do të marshojë për t’u bashkuar me Blyherin, por ushtria e tij humbi shumë kohë për t’u grumbulluar, dhe për rrjedhojë një pjesë e saj u sulmuan në udhëkryqet e ‘Quatre Bras’. Janë bërë shpesh spekullime se Uellingtoni e mashtroi aleatin e tij në luftime, por kjo nuk ka gjasa të jetë e vërtetë. Blyheri ishte i vendosur për të luftuar dhe Napoleoni i gatshëm për ta detyruar atë.

Beteja e Linjisë ishte një përleshje e tipit ‘godit dhe tërhiqu’, ndërsa fillimisht prusianët u plasën përtokë nga artileria e rëndë franceze, dhe u larguan nga pozicionet e tyre në mbrëmje.

Në “Quatre Bras”, krahu tjetër i ushtrisë franceze drejtohej nga Marshalli Nej. Ai kishte mbërritur vetëm pasdite, pasi manovrat fillestare të gjeneralëve kishin dështuar. Nej i shkaktoi humbje të rënda në njerëz Uellingtonit, por në fund u zmbraps. Për shkak të konfuzionit mbi urdhrat e tyre, më shumë se 20 mijë ushtarë të këmbësorisë franceze, kaluan thuajse një ditë duke u endur ndërmjet dy fushëbetejave dhe duke mos arritur që të ndërhyjnë tek asnjëra.

Dita e stuhive

Në 17 qershor, Napoleoni besonte se prusianët ishin shpartalluar keqas dhe nuk mund të ishin një kërcënim i menjëhershëm. Ndaj ai veçoi 35 mijë trupa, dhe nën drejtimin e Marshallit Grushi i nisi ata të ndiqnin nga pas Blyherin, për të siguruar se ky i fundit nuk do mund t’i bashkohej Uellingtonit. Napoleoni dhe Neji me pjesën tjetër të ushtrisë iu vunë pas Uellingtonit. U desh jo pak kohë që francezët të reshtoheshin në formacione luftimi, çka i dha mundësinë Uellingtoni që të zhvendoste trupat e tij, duke u tërhequr përgjatë rrugës kryesore në veri të Brukselit. Gjatë një dite me reshje të dendura shiu dhe stuhi, kalorësia britanike luftoi në një seri betejash të vogla, për të vonuar dhe mbajtur francezët larg bregut. Shiu vazhdoi gjatë gjithë natës, ndërsa ushtria anglo-holandeze u vendos përgjatë kodrës St. Jean.

Uellingtoni e kishte vendosur shtabin e tij në fshatin Vaterlo pak më në veri, dhe e ruajti traditën e tij të emërtimit të betejës, sipas vendit ku kishte fjetur një natë më parë. Dielli agoi nën një qiell të qartë të dielën e 18 qershorit, ndërsa një pjesë e francezëve marshonin ende për t’u bashkuar me pjesën tjetër të ushtrisë përballë kodrës St Jean.
Napoleoni priti që anglo-holandezët të tërhiqeshin sërish, dhe ishte i kënaqur kur ata nuk e bënë këtë. Uellingtoni dukej i vendosur të luftonte, pasi mori premtimin Blyherit për ta ndihmuar me të paktën një nga të 4 korpuset e ushtrisë së tij. Napoleoni ia besoi Grushisë, mbajtjen larg të marshallit prusian.

Perandori nuk ishte përballur kurrë më parë në betejë me britanikët, por të paktën publikisht, ishte shpërfillës. “Vetëm për shkak se ju jeni mundur nga Uellingtoni” – i tha ai shefit të tij të shtabit. “Ju mendoni se ai është një gjeneral i mirë. Unë po ju them, Uellingtoni është një gjeneral i keq, anglezët janë një ushtri e dobët dhe kjo çështje nuk është asgjë më shumë sesa një vakt mëngjesi!”. Teksa tymi që dilte nga grykat e topave dhe mushqetave ngrihej lart në Vaterlo, fati i Europës ishte vendosur. Artur Ueleslej, Duka i Uellingtonit, kishte mposhtur armikun e tij, Napoleon Bonapartin – i cili i vetëm e kishte zhytur Europën në luftë. Ulur mbi kalin e tij, tek shihte diellin që po perëndonte në një panoramë të mbushur me trupa të vdekurish, Uellingtoni nuk ndjeu as triumf dhe as gëzim. Një ndjesi zhgënjimi kishte mbështjellë udhëheqësin, që kish parë të shkatërrohej makineria e luftës e Napoleonit. Duke reflektuar zymtas, gjenerali deklaroi: “Ta hajë dreqi ta hajë, ai është thjeshtë një shtypës!” Reputacioni i Napoleonit i kish paraprirë atij vetë. Gjithcka që Uellingtoni kishte dëgjuar për Napoleonin – gjeninë e tij në taktikë, aftësitë në manovrim, aftësinë për të lexuar fushëbetejën – kish rezultuar e pavërtetë. Ai ishte thjeshtë një shtypës, një që hidhte pa pushimushtarë në betejë, për t’u bërë shoshë prej armëve të britanikëve. Rivaliteti mes tyre kishte vrarë mijëra vetë, personalitetet e tyre kishin magjepsur dhe neveritur njëri-tjetrin…

All About HIstory – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button