Analiza

Rolet e rinj të Botës së Vjetër

The Old World’s New Roles1Joseph S. Nye

Ish Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes i SHBA, dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës. Profesor në Universitetin e Harvardit

Ngjitja e Kinës ka nxjerrë në pah shumë pikëpyetje për Perëndimin, teksa disa pyesin nëse ajo është nisur drejt uzurpimit të rolit udhëheqës global të Europës. Një editorialist ka shkruajtur kohët e fundit se “nuk kanë hsumë për të bërë qeveritë europiane në Azinë Lindore, përveç se të shërbejnë si menaxherë marketingu për bizneset e tyre të brendshëm”. Duke qenë se nuk ka as peshë diplomatike dhe as ushtarake për të lënë përshtypje në rajon, Europa ia lë “punën e rëndë” Shteteve të Bashkuara. Por nuk është e thënë të jetë kështu.

Për Europën, pasojat e ngjitjes së Kinës shkojnë shumë larg, duke filluar që nga “zhvendosja” e vëmendjes së SHBA drejt Azisë. Pas më shumë se 70 vitesh në krye të prioriteteve të SHBA, Europa po fillon të humbasë pozicionin e saj të privilegjuar në sytë e politikëbërësve amerikanë. Përveç kësaj, shitjet e produkteve europianë të teknologjisë së lartë, me përdorim të dyfishtë, që komplikojnë rolin e sigurisë që Amerika luan në Azi, me siguri do të shkaktojnë fërkime.

Megjithëkëtë, paralajmërimet se partneriteti i Atlantikut po gërryhet janë padrejtësisht të zymtë. Administrata e Presidentit Obama, qëllimisht e ka ndryshuar termin “pivot”, që nënkupton largimin prej diçkaje, me “riekuilibrim”. Ky ndryshim pasqyron pranimin se rritja e dominimit ekonomik të Kinës, nuk është e thënë të hedhë poshtë rëndësinë e Bashkimit Europian, i cili mbetet entiteti ekonomik më i madh i botës dhe një burim kryesor inovacioni ekonomik, për të mos përmendur vlerat si mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Kjo nuk do të thotë se ngjitja e Azisë nuk do të kërkojë përshtatje. Kur nisi revolucioni industrial, pjesa që Azia zinte në ekonominë globale nisi të bjerë nga më shumë se 50%, në 20%, në vitin 1900. Deri në gjysmën e dytë të këtij shekulli, pritet që Azia të rifitojë dominimin e dikurshëm ekonomik – domethënë mbi 50% të prodhimit global – ndërkohë që nxjerr me miliona njerëz nga varfëria.

Ky ndryshim i fuqisë – ndoshta më i rëndësishmi i shekullit 21 – lë të mendohet për risqe seriozë. Historianët paralajmërojnë shpesh herë se frika dhe pasiguria që gjenerohen prej daljes në pah të fuqive të reja si Kina mund të shkaktojë konflikte, si ai që Europa përjetoi një shekull më parë, kur Gjermania parakaloi Mbretërinë e Bashkuar në prodhimin industrial.

Me Azinë të mbushur me mosmarrëveshje territoriale dhe tensione historikë, ruajtja e një ekuilibri të qëndrueshëm të sigurisë nuk do të jetë e lehtë. Por, ka mekanizma që mund të ndihmojnë.

Në vitet 1990, kur presidenti i SHBA, Bill Clinton dhe administrata e tij po mendonin si të reagonin ndaj fuqizimit ekonomik në rritje të Kinës, disa bënë thirrje për një politikë frenimi. Clintoni e refuzoi atë këshillë: Do të kish qenë e pamundur të krijohej një aleancë antiKinë, duke parë dëshirën e fqinjëve të Kinës që të mbanin marrëdhënie të mira me të. Më e rëndësishmja, një politikë e tillë do të kish garantuar një armiqësim me Kinën në të ardhmen.

Në vend të saj, Clintoni zgjodhi një politikë që ai e quajti “integro dhe garanto”. Ndërkohë që Kina u mirëprit në Organizatën Botërore të Tregtisë, Amerika rinovoi marrëveshjen e saj të sigurisë me Japoninë.

Nëse Kina do të ndjekë një “ngjitje paqësore”, fqinjët e saj do të fokusohen në ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike të forta me të. Nëse Kina përpiqet të kanoset – disa thonë se këtë po bën me veprimet e kohëve të fundit në kufirin indian dhe në Detin e jugut dhe lindjes së Kinës – atëherë fqinjët do të përpiqen të kundërpeshojnë fuqinë e saj, teksa një prani ushtarake detare amerikane do t’u ofrojë mbështetje.

Ku është Europa në këtë panoramë? Si fillim, ajo duhet të monitorojë dhe frenojë eksportin e produkteve sensitivë, për të mos lejuar që situata e sigurisë të bëhet më e rrezikshme për SHBA. Edhe në terma tregtarë, Europa ka interes për stabilitetin rajonal dhe rrugë detare të sigurta.

Për më tepër, Europa mund të kontribuojë për zhvillimin e normave që formësojnë mjedisin e sigurisë. Për shembull, Europa mund të luajë një rol të rëndësishëm në përforcimin e një interpretimi universal të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, në vend të versionit të Kinës – sidomos po të kemi parasysh që SHBA as nuk e ka ratifikuar marrëveshjen.

Përkundër pretendimeve të disa analistëve, Kina nuk është një shtet revizionist si Gjermania naziste apo Bashkimi Sovjetik, e prirur për yë përmbysur rendin ndërkombëtar. Në të vërtetë, nuk është në interesin e Kinës që të shkatërrojë institucionet ndërkombëtarë – OKB, OBT dhe FMN – që kanë ndihmuar në lehtësimin e ngjitjes së saj. Duke parë rolin udhëheqës të Europës në institucione të tillë, ajo mund ta ndihmojë Kinën që të fitojë legjitimitetin shumëpalësh që i nevojitet, në këmbim të një sjelljeje të përgjegjshme.

Ndonëse Kina nuk po përpiqet të përmbysë rendin global, ajo po i nënshtrohet tani një transformimi të thellë dhe destabilizues. Me daljen në skenë të problemeve transnacionalë si ndryshimi i klimës, terrorizmi, epidemitë dhe krimi kibernetik – të shkaktuar prej progresit të shpejtë teknologjik dhe ndryshimeve socialë – pushteti po përhapet tashmë jo mes shteteve, por nëpër një gamë të gjerë entitetesh joqeveritarë. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë një bashkëpunim të jerë ndërkombëtar, me Kinën, SHBA dhe Europën, që luajnë secila një rol të rëndësishëm.

Në fund, është çështja e vlerave. Europa, bashkë me SHBA u ka rezistuar tashmë kërkesave të kinezëve për një censurë më të madhe të Internetit. Dhe shtetet europianë si Norvegjia dhe Gjermania kanë pranuar me dëshirë goditje ekonomike, në emër të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë që është e pamundur të parashikosh si do të zhvillohet politika kineze, eksperiencat e vendeve të tjerë tregojnë se ndryshimi politik shpesh herë ndodh kur të ardhurat për frymë arrijnë tek 10 mijë dollarët. Nëse ndodh një ndryshim i tillë, atëherë Europa do të ketë një dritë jeshile për t’i promovuar edhe me më shumë eficencë vlerat e saj themelore.

Mbetet për t’u parë, nëse interesi ekonomik i Kinës për një rend botëror të paanshëm do të sjellë një mbrojtje më të madhe të të drejtave të individit. Vetëm Kina do ta vendosë këtë. Por Europa mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Artikuli origjinal: (http://ëëë.project-syndicate.org/commentary/joseph-s–nye-believes-that-europe-must-fulfill-some-key-responsibilities-vis-a-vis-a-rising-china#BbuZ9uxgPb0uRQ3s.99)

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button