Histori

PERANDORIA E ROMES / GJAK DHE PUSHTET!

Screen Shot 2015-02-02 at 16.54.49

Qysh nga themelimi, Roma ka njohur domethënien e fjalës dhunë. Jo vetëm ushtarake: komplote gjakësore kanë shenjuar politikën e saj

Nëse historia e perandorëve të Romës do të kishte një ngjyrë, ajo do të ishte e kuqja. E reduktuar në dy hije, njëra e kuqe e purpurt (ngjyrë fisnike e lidhur me konceptin e mbretërisë) dhe tjetra e gjakut të kuq, ajo mbuloi fytyrat dhe trupat e shumë perandorëve.

Në fillimet e perandorisë, procesi i kalimit të stafetës perandorake ishte në fakt i rregulluar nga norma shumë pak të qarta. Kjo gjë ndikoi në shpërthime luftërash për pushtet, ku gjithçka varej nga autoriteti, lakmia, zgjuarsia dhe nga disponueshmëria për të vrarë – ose për të kandisur për të vrarë pretendentët për fronin. Në pesë shekuj jetë të perandorisë romake pothuajse gjysma e perandorëve vdiqën të vrarë në komplote të pistë, në një alternim të papushimtë të grushteve të shtetit dhe komploteve.

PAX ARMATA

Ata që kishin më shumë kredibilitet ishin gjeneralët-perandorë, zotërinj të luftës që si udhëheqësit modernë, fituan shpesh një pushtet absolut. “Nëse perandori i parë qe Augusti, ideja e një perandorie mori formë me Jul Cesarin; një njeri që vdiq nga thikat e komplotit të senatorëve”,- tregon historiani i lashtësisë Antonio Montesanti, i Universitetit të Eceter (Angli). “Dhe nëse që në fillimet e saj, perandoria u la me gjak, rruga e dhunës u ndoq gjatë të gjithë periudhës së artë, ose periudhës së gjatë të paqes – pothuajse dy shekuj – që në kronika ka hyrë si pax romana”.

Nga ana tjetër, kur një perandor shkaktonte pakënaqësi tek subjekte të tjerë politikë ose ushtarakë, që kishin pushtet të madh, për shembull midis radhëve të senatit ose të gardës pretoriane, ishte gjithmonë dikush i gatshëm që ta hiqte qafe këtë perandor. E nëse Augusti vdiq në mënyrë natyrore, nën pasardhësin e tij, Tiberiin, oborri nisi t’i ngjajë gjithmonë e më shumë një filmi kaotik, në të cilin, shpesh herë morën pjesë edhe gratë. Ndonjë shembull? I njëjti Tiber, që i shpëtoi një komploti prej truprojës Seian, vdiq pastaj i mbytur në shtratin e tij. Pasardhësi, Kaligula është vrarë me thikë duke ia lënë të pastër rrugën Klaudit, që i mbylli ditët e tij i helmuar nga bashkëshortja Agripina, nëna e Neronit. Ky i fundit, pasi u bë sovran, do të përballej dhe do të shtypte me gjak një komplot të organizuar nga senatori Pison. Për ta mbyllur rrethin, Agripina do të vritej po nga Neroni. Afër fundit të shekullit të I-rë, regjistrohen vrasjet e perandorëve Galba, Vitelli e Domiciani. Ky i fundit spikat si një nga sovranët më të egër, despotë e të shthurur, që do të mposhtej gjithashtu prej një komploti të Senatit.

NGA FLORIRI… TEK NDRYSHKU

Në vitin 180, pas vdekjes (natyrale, e çuditshme ta thuash) së Mark Aurelit, u mbyll epoka e artë e perandorisë dhe filloi një periudhë rënieje. Historiani latin Cassio Dione Cocceiano (163-229) e përcaktoi, me një metaforë të famshme, si kalimi “nga një mbretëri e artë, në një prej hekuri e ndryshku”. Dhe ndryshku u bë veçanërisht gërryes me ngjitjen në pushtet të Komodos imponues, i cili pas një manipulimi të të përhershmëve senatorë, i mbylli ditët e tij i vrarë prej gladiatorit që e stërviste për luftë. Vetëm në vitin 193 vdiqën të vrarë pothuaj dy perandorë: Pertinace, nga dora e truprojave, dhe Didio Giulio, nga dora e zakonshme e senatit.

Një fazë veçanërisht delikate ishte zakonisht kalimi dinastik. Kur midis fundit të shek II e fillimit të shekullit III, u afirmua dinastia Severi, u vendos një rekord makabër: përveç themeluesit, Settimio, të gjithë sovranët severianë ishin viktima të komploteve që u përmbyllën me vrasjen e tyre.

BARBARET

“I fundit i dinastisë Severi, Aleksandri, ishte vrarë nga ushtarët e tij gjatë një kryengritje që solli në pushtet gjeneralin Massimo Trace (235). Kjo ngjarje përbënte një çast vendimtar, duke sjellë një risi: mundësinë që një barbar të bëhej bërë perandor, falë meritave ushtarake”, vazhdon Montesanti.

I ardhur nga një ekaluar fshatare, Masimo ia doli të ngjitej në shkallën shoqërore falë cilësive luftarake – ishte një kolos i gjatë mbi dy metra – duke udhëhequr ushtrinë romake, për shumë kohë e hapur ndaj të huajve. Në këto vite u konsolidua një fenomen tashmë i shfaqur me Settimio Severon: çdo aspirant për perandor duhej të llogariste pëlqimin e ushatarëve, më shumë sesa atë të senatorëve. 

“Në kohën e të ashtuquajturve perandorëve-ushtarakë, nëse një sovran nuk i kënaqte trupat, këta thjesht e hiqnin qafe. Dhe ashtu si në grushtet modernë të shtetit, e zëvendësonin me një gjeneral që e konsideronin më të besueshëm”, shpjegon historiani. “Çdo komandant mundte të aspironte kështu për detyrën e perandorit, por duhej të mbante gjithmonë parasysh faktin që, shumë shpejt mund të rrëzohej”. Po ta shohësh mirë, ishte një trashëgimi arkaike. Para se të merrte mbi vete domethënie politike, fjala perandori i referohej në fakt pushtetit të disa magjistratëve ushtarakë, urdhërat e të cilëve, të padiskutueshëm, ishin detyrues edhe në rangje politike dhe fetare.

ANARSHI USHTARAKE

Në shekullin e tretë, për shkak të paqëndrueshmërisë së kufijve, që buronte prej kërcënimit në rritje të popujve barbarë, u janë shtuan rreziqe që kishin si shkak luftërat e brendshme. E gjithë kjo solli anarkinë. “Nëse në dy shekujt e parë raporti midis rangut politik e rangut ushtarak ishte në ekuilibër, ushtria përfundoi duke marrë të gjithë pushtetin, si dhe duke diktuar kohët dhe mënyrat e politikës”, nënvizon Montesanti. “Përqindja e sovranëve të vrarë mbetet gjithmonë e lartë, por nëse në fazën e parë të perandorisë egërsia ishte shpesh e lidhur me manitë dhe me budallallëqet e sovranëve të veçantë, tani ato që dominonin ishin nevojat e kohës së luftës”.

Në vazhdën e asaj që ndodhi me Massimo Tracen (i cili nuk e shkeli kurrë Romën), u shtuan sovranët “ekzotikë”. Egzemplar qe rasti i Marko Giulio Filippo-s, i quajturi arabi. I lindur në tokë siriane, kishte bërë karrierë në ushtri deri sa u bë prefekt pretorian dhe më pas perandor (në vitin 244). Jo pa tradhëtuar më parë sovranin paraardhës, Gordiano i III-të, i vrarë nga vetë ushtarët e nxitur nga Filippo. Një kuriozitet: do të jetë tamam ky i fundit që do të festonte një mijë vitet e parë të Romës (e themeluar në 753 p.K.). Pastaj pas njëzet perandorësh të tjerë, kriza e shekullit të tretë u duk se mbaroi falë një komandanti që vinte nga Dalmacia: Diokleziani. Sovrani i ri, i bindur që tashmë dominimi romak kishte shumë fronte të nxehta, jo të kontrollueshme nga një burrë i vetëm, shpiku në vitin 293 të ashtuquajturën tetrarkia, ose “qeveria e të katërve”. Filloi një pezullim i paqëndrueshmërisë politike, por joi dhunës.

LUMENJ GJAKU

Perandoria ishte e ndarë në katër zona dhe Dioklezianit i erdhën në krah tre sovranë të tjerë: Massimiano, Kostanco Klori dhe Galeri. Nëse të katërt, të paktën për pak kohë shmangën luftërat, gjaku u kthye të vërshonte me një “epidemi” të re të persekutimeve kundër të krishterëve. Eksperimenti tetrarkik, gjatë të cilit u alternuan katër perandorë, mori fund në vitin 324. Spektakli u përsërit: lufta civile dhe fitorja finale e më të fortit, Konstantini i I-rë. “Me themelimin e Kostandinopojës, nga 395-a kryeqyteti i Perandorisë Romake të Lindjes, perandorët e Perëndimit ishin kryesisht sovranë-kukulla”, thotë Montesanti. “Kjo për arsye se fuqia ishte kthyer të përqëndrohej në duart e komandantëve më të mëdhenj ushtarakë, detyrë që në perandorinë e vonë i korrespondonte asaj të magister militum”.

“Një nga me famëkeqët ishte Stilikoni (359-408) me origjinë gjermanike, që shtypi perandorinë pas vdekjes së perandorit Teodos”. Vite më pas, një pushtet i ngjashëm u arrit nga Flavio Ezio (390-454), gjeneral i sovranit Valentiniani i III-të, i cili pasi kishte frenuar gjatë presionin e barbarëve, ishte vrarë në një komplot me pjesëmarrjen e perandorit. Një film i parë tashmë, me një finale të padiskutueshme. Në vitin 455, edhe Valentiniani ishte vrarë, pasi prefekti Petronio Massimo kish dashur ngjitjen në fron, por i destinuar edhe ai të gjente vdekjen e dhunshme: u vra nga populli i tij.                       

Perdja (e kuqe), e kuqja e purpurt dhe e kuqja e gjakut vazhduan të gërshetohen deri në fund, mbi kanavasin imagjinar që e quajmë Perandoria e Perëndimit. Një kanavas i ngjyer nga shpatat e ushtarëve, në perandorinë e vonë. Dhe do të ishte pikërisht një ushtar, gjermani Odoacre, në kulmin e karrierës në ushtrinë romake, që do të rrëzonte në vitin 476 Romul Auguston. Duke ulur siparin (e kuq) të asaj drame brutale që zgjati pesë shekuj.

Focus/Bota.al


Screen Shot 2015-02-02 at 16.55.06

Leave a Reply

Back to top button