Bota

Rrënjët marksiste të ekstremizmit islamik

rrenjet

Nga Damon Linker

Anti-liberalizmi po shijon momentin e tij. Dhe po ndodh në të gjithë pikat e spektrit politik.

Fanatikë fetarë vetëvrasës, tani godasin rregullisht mu në themelet e shoqërive të hapura dhe të lira në Europë. Këta sulme ndihmojnë për të frymëzuar forma antiliberale të populizmit nacionalist në të dy anët e Atlantikut (mendoni Marine Le Penin në Francë, ose Donald Trumpin në SHBA). Në përgjigje të fuqisë elektorale të të djathtës dhe gatishmërisë selektive të politikanëve të moderuar për të bërë kompromis me të, një e majtë antiliberale është ngritur nga të vdekurit, për të sfiduar rendin liberal, duke përdorur koncepte dhe kategori që burojnë prej traditës marksiste të teorisë sociale.

Liberalët e vërtetë kanë shumë për të thënë, në përgjigje të kritikëve që po i rrethojnë gjithnjë e më shumë. Disa linja mbrojtjeje fokusohen në ruajtjen e disa normave liberale, si respekti i njëllojtë për të drejtat e individit, dhe toleranca ndaj atyre që nuk bien dakord. Të tjerë tregojnë të mirat konkrete që liberalët kanë, dhe do të vazhdojnë të arrijnë, përballë kundërshtarëve të papajtueshëm. Të tjerë akoma vënë në dukje pasojat e mundshme të paqëllimta të fuqizimit të shtetit, për të sheshuar hierarkitë dhe eleminuar padrejtësitë.

Pastaj është përpjekja për të nxjerrë në pah pasojat ë dëmshme politike, që mund të burojnë prej zakoneve intelektuale joliberale. Mendoj, mbi të gjitha, për format totalitare të debatit politik – dhe në mënyrë të veçantë, tendencën e atyre që janë të influencuar prej marksizmit (ndonjëherë pa e ditur), për të përqafuar objektivin e “lartësimit të kontradiktave”.

Ideja është e thjeshtë, e fuqishme – dhe tinzare. Kritikët radikalë shpesh herë kërkojnë të nxisin ndryshime dramatike, por ata nuk mund të shohin një shteg të drejtpërdrejtë, nga status quo-ja, deri tek bota shumë e përmirësuar që duan të sjellin. Kjo bën që të lindë ideja e kërkimit të një katalizatori brenda të tashmes, që mund të shërbejë si pedanë për revolucionin total.

Farat e kësaj ideje mund të gjenden në shkrimet e Hegelit, filozofi gjerman i fillimit të shekullit 19, i cili e përshkruante progresin historik si një proçes dialektik në të cilin, kontradiktat sociale, kulturore, intelektuale dhe ekonomike shkrihen dhe vetëzgjidhen, për të prodhuar kontradikta të reja, kriza, dhe zgjidhje, e kështu me radhë, nëpër shekuj dhe mijë vjeçarë. Hegeli mendonte se ky proçes në fund arrinte kulmin tek shteti-komb modern liberal, i cili përmban burimet e mjaftueshme për të zgjidhur kontradiktat që vazhdojnë të shfaqen brenda tij.

Karl Marksi nuk binte dakord – dhe mospajtimi i tij pati pasoja të mëdha në historinë botërore. Në vend të sugjeronte, me Hegelin, se proçesi historik e kishte arritur kulmin tek liberalizmi, Marksi këmbëngulte se kontradiktat që shfaqen brenda ekonomisë politike liberale, do të jenë po aq fatale për rendin kapitalist, sa ishin për feudalizmin kontradiktat brenda botës mesjetare.

Këto kontradikta të kapitalizmit – mes kapitalit dhe punës, për shembull, apo në mënyrë më specifike, mes konsumit të kufizuar të masave (për shkak të pagave të ulëta) dhe ekspansionit të pakufizuar të prodhimit kapitalist – me kalimin e kohës do të mbërrinin në një moment krize. Nga zjarri i madh që do të rezultonte prej kësaj, do të ngrihej një rend i ri, në të cilin të gjitha kontradiktat do të zgjidheshin. Objektivi i aktorit politik revolucionar duhet të jetë që të përshpejtojë kataklizmën që shkatërron rendin e vjetër dhe lind një rend të ri.

Si mund të arrihet kjo? Këtu hyjnë në lojë “lartësimi i kontradiktave”. Në terma abstraktë, do të thotë intensifikim i atyre gjërave të shoqërisë kapitaliste, të cilat në fund do të sjellin përmbysjen e saj. Në terma konkrete, do të thotë të lejosh, e madje të nxisësh përkeqësimin e gjërave, me shpresën që njerëzit do të frymëzohen prej mjerimit të tyre, për të ndërmarrë veprime radikale.

Rëndësia kritike e theksimit të kontradiktave shpjegojnë armiqësinë, përndryshe të pashpjegueshme, që Marksi dhe Frederik Engelsi shfaqin në pasazhet ëprmbyllës të Manifestit Komunist, kundrejt socialistëve jokomunistë, për faktin që ata përqafojnë “reformën” në vend të revolucionit. I njëjti impuls mund të dallohet tek të gjithë pasardhësit më me ndikim të Marksit, nga Vladimir Lenini dhe Roza Luksemburgu, e deri në panteonin e revolucionarëve të Botës së Tretë, të cilët frymëzuan kryengritje popullore në të gjithë globin, përgjatë mesit të shekullit 20. Të gjithë ata hidhnin poshtë të drejtat e individit (“borgjezinë”), si dhe legjitimitetin e shtetit social liberal, sado bujar të ishte ai, mbi bazën e idesë që ai funksionon si një rryshfet që “blen” klasën punëtore me gjysmë-masa, duke i lënë të paprekura kontradiktat e rendit aktual, pa rrugëdalje, dhe pa fund në horizont.

Shumë më i mirë, në terma kohëshkurtër, është varfërimi ekonomik i klasës së mesme, me qëllim që ajo të ngrihet dhe të ndërmarrë veprime radikale për të përmbysur sistemin në tërësi.

Që nga rrëzimi i Bashkimit Sovjetik, nuk ka patur shumë revolucionarë komunistë doktrinarë. Por kjo nuk do të thotë se ideja e theksimit të kontradiktave është zhdukur. Përkundrazi, ajo është përhapur si virus në forma të tjera të ekstremizmit politik antiliberal.

Islami radikal, për shembull, është një përzierje e fuqishme motivesh të nxjerrë prej të kaluarës myslimane dhe ideve marksiste-leniniste, të importuara prej shkrimeve të polemizuesve të tillë si Said Qutb dhe Abul Ala Maududi. Dy grupet islamike më të fuqishme dhe më ambicioze – Shteti Islamik dhe al Kaeda – nuk besojnë seriozisht se aktet e tyre të terrorizmit kundër Perëndimit, do të shtyjnë BE apo SHBA që të dorëzohen.

Strategjia e tyre është më e duruar dhe indirekte (një marksist do ta quante dialektike). Ata duan që sulmet e tyre të provokojnë një reagim të të djathtës ekstreme kundër myslimanëve brenda vendeve perëndimore, që nga ana e vet do të frymëzojë myslimanët brenda atyre vendeve që të radikalizohen, dhe të jenë të gatshëm të kryejnë sulme edhe më spektakolarë, kundër shoqëive që i kanë pritur. Sulm, reagim policor, sulm më i keq, reagim me masa më drakoniane, e kështu me radhë, me perëndimin që dobësohet aq shumë, saqë një Islam i ringritur të mund të shfaqet si një fuqi globale triumfuese.

Përkeqësoji gjërat, për të përmirësuar gjërat: një rast klasik i theksimit të kontradiktave.

Marksi, kampioni i klasës punëtore, do të kish qenë i shastisur nga mënyra si islamikët kanë përvetësuar dhe vënë në zbatim idetë e tij dialektike.

Këshillimi i aktorëve politikë që të theksojnë kontradiktat është thjeshtë makiavelizëm i ngritur në një parim providencial: Historia është në anën tënde, kështu që duhet të bësh gjithçka për të fituar, përfshirë edhe akte që normalisht do të cilësoheshin të ligj.

Çdo gjë lejohet, sepse kështu thotë historia: ky është mësimi i Marksit.

Një mësim që asnjë liberal nuk mund ta pranojë, kurrë.

The Week – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button