Kur një grupim i vogël ushtarësh romakë u nisën t’u ngjiteshin në fshehtësi mureve rrethuese të Sirakuzës në vitin 212 Para Erës Sonë, ata synonin t’i jepnin fund një rrethimi gati 2-vjeçar, që e kishte nevrikosur por edhe demokralizuar ushtrinë romake.
Ishte festa e Artemisës, Perëndeshës së Gjuetisë dhe e Natyrës. Dhe ndonëse po festohej nga grekët brenda mureve të qytetit, errësira e natës dukej se i favorizonte romakët e rraskapitur nga lufta e gjatë. Sirakuzianët ishin bërë shumë të sigurt në aftësitë e tyre mbrojtëse.
Por nga ana tjetër, ata kishin arsye të besonin në suksesin e tyre. Sa herë që romakët kishin tentuar të ngjiteshin dhe kapërcenin muret e qytetit, banorët ia kishin dalë që t’i sprapsnin ata. Për gjeneralin dhe njëherazi prokonsullin romak, Markus Marselus, ajo fushatë kishte rezultuar të ishte një katastrofë e vërtetë.
Shumë anije ishin mbytur, dhe shumë ushtarë kishin vdekur. Vendimi i tij për të rrethuar qytetin, kishte shkaktuar pasojat e veta. Tashmë fitorja apo humbja varej nga ushtarët e tij më të mirë. Marselusi e dinte burimin e problemeve të ushtrisë së tij, dhe arsyen se përse qyteti dukej i padepërtueshëm.
Mbrojtjes së qytetit, i ishte bashkuar një inxhinier vendas. Por ai nuk ishte njeri i zakonshëm i mekanikës dhe i matematikës. Ishte Arkimedi, ai që kishte orkestruar rezistencën e patundur të Sirakuzës, dhe ishte madhështia e tij, ajo që i frenoi romakët për më shumë së 2 vjet para portave të qytetit.
Armiku i vërtetë i romakëve, ishte pikërisht mendja e këtij njeriu. Arma që ai përdori kundër tyre ishte shkenca. Një ushtri e tërë ushtarësh profesionistë, po humbte përballë gjenialitetit të një njeriu. Edhe sot e kësaj dite, Arkimedi konsiderohet si shkencëtari dhe inxhinieri më i madh i Greqisë së lashtë.
I njohur për shpikjet dhe njohuritë e tij mbi matematikën, ai ishte një njeri, mendja e të cilit e kapërceu shumë kohën kur jetoi. Ai la pas një trashëgimi të madhe në një larmi fushash shkencore, duke e quajtur qasjen e tij ndaj studimeve të tilla komplekse si metoda “mekanike”.
Një filozofi e fokusuar në të kuptuarit e botës përmes matematikës, fizikës, inxhinierisë dhe astronomisë, e përshkoi gjithë punën e tij. Ndonëse dimë më shumë mbi Arkimedin sesa çdo shkencëtar tjetër të kohës së tij, shumë nga ato që dihen, na vijnë përmes historive dhe tregimeve anekdotike.
Legjendat që rrethojnë mbrojtjen prej tij të Sirakuzës, pasqyrojnë respektin dhe nderimin e jashtëzakonshëm që bota ka pasur për të gjatë historisë. Sirakuza, ishte një qytet-qytet në bregdetin lindor të Siçilisë, i themeluar në vitin 734 Para Erës Sonë nga grekët e Korintit dhe Teneas.
Duke qenë një nga shtetet më të fuqishme deri në kohën e periudhës së Greqisë klasike, Sirakuza luajti një rol kryesor në luftërat midis superfuqive të kohës. Vendndodhja e saj strategjike në Detin Jon, dhe aleanca e saj me Spartën, mjaftoi që Athina ta pushtonte Siçilinë, dhe të sulmonte Sirakuzën në vitin 431 Para Erës Sonë, në kulmin e Luftës së Peloponezit.
Athinasit nuk do ta merrnin kurrë veten nga katastrofa që pasuan në fund të asaj lufte. Humbja e tyre në Siçili, do të shënonte një kthesë të madhe, që në fund do të çonte në fitoren e Spartës. Me gjithë pozitën e saj delikate, Sirakuza mbeti një fanar i artit, shkencës dhe tregtisë.
Ajo arriti një nivel të madh arritjesh kulturore, duke rivalizuar vetë Athinën. Në kohën e Arkimedit, sirakuzianët vazhdonin ta kishin një reputacion të tillë. Por ndryshimi i kohërave, do të nxiste ambiciet e dy fuqive të mëdha. Roma dhe Kartagjena, e kishin përfunduar tashmë Luftën e Parë Punike në vitin 241 Para Erës Sonë, një luftë që i dha mundësinë Romës të kontrollonte ishullin e Siçilisë.
Megjithëse ishulli u bë një provincë e Republikës Romake, Sirakuza e ruajti pavarësinë dhe ndikimin e vet brenda botës Mesdhetare. Qytet-shteti përjetoi një periudhë paqeje kur drejtohej nga mbreti sirakuzian Heiro II. Ndihma e tij gjatë luftës për Romën, kishte sjellë një aleancë me fuqinë italiane në rritje.
Arkimedi mbajti një lidhje të ngushtë me mbretin e Sirakuzës, duke u përdorur shpesh nga ky i fundit për të zgjidhur problemet komplekse dhe më të vështira të qytetit. Nga shpikja e një pompe uji për të larguar ujërat e shiut nga anijet, deri tek testimi i sasisë së arit në kurorën e mbretit, gjenialiteti i Arkimedit e bëri atë shkencëtarin më të famshëm dhe të respektuar të kohës kur jetoi.
Kur ishte i ri, Arkimedi studioi në kryeqendrën kulturore dhe shkencore të botës greke:qytetin prestigjoz të Aleksandrisë. Duke ndjekur gjurmët e matematikanëve të famshëm si Euklidi dhe Eratosteni, njohuritë e tij të thella në gjeometri dhe fizikë, ishin pa asnjë dyshim produkt i pedagogëve të tij shumë të përgatitur.
Kur u rikthye në vendlindjen e tij në Sirakuzë, për të zgjidhur problemet e mbretit Heiro II, ai ishte më shumë se sa i përgatitur që të vinte në zbatim aftësitë e tij në shërbim të mbretit. Por sipas historianit romak Plutark, ai e shihte këtë gjë si diçka të mërzitshme dhe një humbje kohe.
Krenaria dhe pasioni e shtynë përtej kufijve të matematikës dhe fizikës, drejt arritjes së një kuptimi më të mirë të botës përreth. Ndaj fokusimi tek detyrat e parëndësishme që i kishte vënë mbreti, ishin një shkëputje nga puna e tij e vërtetë.
Por kur Heiro II i kërkoi të ndërtonte një pajisje mekanike për mbrojtjen e qytetit, Arkimedi pranoi. Pas vdekjes së Heiros II në vitin 215 Para Erës Sonë, një lëvizje pro-kartagjeniane brenda Sirakuzës nisi të forcohej nën sundimin e nipit të tij, Hieronimit.
Megjithëse ai dhe drejtuesit e tjerë pas kësaj lëvizje u vranë shpejt, qeveria e re republikane që u ngjit në pushtet. lidhi një aleancë me Kartagjenën. Kjo ngjarje ishte i mjaftueshme që Roma ta shihte qytetin-shtetin e famshëm si një kërcënim në rritje për praninë e saj në Siçili. Në vitin 214 para Erës Sonë, të dy shtetet i shpallën luftë njëra-tjetrës. Edhe pse Roma ishte e zënë me luftën kundër Kartagjenas në Luftën e Dytë Punike, ajo gjeti kohë dhe mundësi për të sulmuar Sirakuzën. Mark Marselusi e rrethoi qytetin nga toka dhe deti në vitin 213. Përballë detyrës së vështirë për të kapërcyer fortifikimet e mirë-ndërtuara të Sirakuzës, gjenerali romak dhe ushtria e tij u zmbrapsën pas çdo sulmi që ndërmorën. Me Arkimedin pas mureve, ushtarët dhe qytetarët sirakuzianë ishin të gatshëm të përdornin mjetet e krijuara prej tij.
Një nga shpikjet e tij më të famshme, ishte një “mur’ i madh pasqyrash që mund t’i vinte flakën anijeve romake, duke e pasqyruar aty dritën e diellit. Një pajisje tjetër ishte Klauza e Arkimedit, e përshkruar si një vinç i madh që kapte anijet në det nga direku, i ngrinte peshë në ajër dhe i lëshonte prapë në det me një efekt shkatërrues.
Përveç instrumenteve të reja që besohet se ndërtoi, pjesa më e madhe e mbrojtjes u garantua nga një përdorim më tradicional i fizikës në luftë. Pajisjet e rrethimit dhe artileria, ishin armët e tij kryesore të sirakuzianëve në luftë kundër Romës. Pas shumë humbjesh të mëdha, Marselusi nuk kishte më luksin të ndërmerrte më sulme të drejtpërdrejta.
Ai u detyrua ta mbante ushtrinë jashtë mureve të qytetit, duke pritur ndonjë avantazh. Por romakët nuk mund ta ruanin aq mirë bllokadën e tyre në det, sa për të penguar hyrjen e të gjitha furnizimeve në Sirakuzë. Ndaj ajo që nisi si rrethim, u shndërrua në një ngërç.
Ushtarët romakë që iu ngjitën mureve rrethuese të Sirakuzës në vitin 212, duhet të kishin parashikuar me ankth disa kurthe të çuditshme të vendosura nga Arkimedi, për t’i asgjësuar ata. Por festivali i Artemisës, i kishte shpërqendruar sirakuzianët, duke u siguruar romakëve kohën e nevojshme për të hapur portat, dhe për ta lejuar ushtrinë romake të sulmonte qytetin.
Duke pasur një respekt të madh për armikun e tij legjendar, Marselusi i urdhëroi trupat e tij ta gjenin Arkimedin dhe t’ia çonin të padëmtuar.
Duke mos ditur asgjë që po ndodhte, shkencëtari po punonte mbi projektet e tij që kishte lënë pas dore. I entuziazmuar nga zbulimet e veta, ai e injoroi urdhrin e një grupi ushtarësh romakë që të shkonte me ta tek gjernerali Marselus. Ai donte të mbaronte punën që kishte nisur, dhe këmbënguli ta përfundonte atë përpara se të largohej.
Arsyet se përse u vra prej tyre ndryshojnë sipas burimeve. Sipas shkrimtarit romak Valer Maksimus fjalët e tij të fundit ishin “Noli obsecro, istum disturbare” ose “Mos hyni, ju lutem mos më shqetësoni!”, duke iu referuar pajisjes që ai kishte mbi rërë.
Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo histori, fraza është një dëshmi e përkushtimit të Arkimedit ndaj shkencës dhe mistereve të saj. Ai do të mbetej një burim frymëzimi për mendjet gjeniale të kohërave të mëvonshme. Figura si Galileo Galilei apo Leonardo da Vinçi, do ta konsideronin veten dishepuj të punës së tij.
Markus Marselus, gjenerali romak që kishte qenë prej kohësh kundërshtari i tij, urdhëroi vrasjen e mënjershme të ushtarëve që e ekzekutuan Arkimedin, ndërsa u kërkoi personalisht falje të afërmve të tij. Në varrin e tij, u vendos një skulpturë që paraqet një sferë dhe një cilindër me lartësi dhe diametër të barabartë, një simbol i zbulimit të tij të preferuar në matematikë.
Në vitin 75 Para Erës Sonë, oratori i famshëm romak Ciceroni, pretendoi se e kishte gjetur varrin e tij, por në fakt vendndodhja e tij mbetet ende një mister. Pavarësisht të gjithave, trashëgimia e jashtëzakonshme e lënë pas nga një njeri më një talent të pabesueshëm, nuk mund të harrohet asnjëherë. / WarHistory Online – Bota.al