MagazineMAIN

Rreziqet e luksit, mësime nga një Perandori

A jemi të skllavëruar nga gjërat e bukura të jetës?

Shkrimtari romak, Taciti, argumentonte se Perandoria Romake u ndërtua duke skllavëruar popujt e pushtuar, të cilët më pas u mësuan me një mënyrë jetese të re plot luks dhe rehati. Teknologjia sot është bërë aq thelbësore në jetën tonë të përditshme, sa duket e pamundur të shkëputemi prej saj. Ajo është po aq një kafaz, sa edhe një luks. Të varurit nga diçka, i jep asaj gjëje pushtet mbi ty. Të kesh nevojë për diçka ose dikë është, për mirë a për keq, të kufizosh veten

Philippa ka vendosur të largohet nga rrjetet sociale. Ajo është e shqetësuar për sa shumë tërheqëse dhe varësuese janë, dhe mendon se nuk i sjellin asnjë të mirë. Por pastaj mendon: Po si do flasë me hallën në Afrikën e Jugut? Çfarë do të ndodhë me të gjitha fotot e saj? Si do të organizojë festa?

Trevor dëshiron të largohet nga vendi. Ai nuk i beson qeverisë, nuk i pëlqejnë njerëzit dhe urren motin. Por pastaj kujton se kujdesi shëndetësor që merr është i mirë. Dhe pëlqen televizorin. Edhe rrugët janë mjaft të mira.

Philippa dhe Trevor janë dy shembuj të mënyrës se si luksi, teknologjia dhe rehatia e jetës mund të na zënë në kurth. Në shumë drejtime, kjo është një dukuri moderne dhe e prekshme, por ajo i përket kohëve të lashta – të paktën që nga koha e Tacitit. Është ideja se zbukurimet e qytetërimit na skllavërojnë. Si ka mundësi që, pa e kuptuar fare, gjërat që i mendonim të dobishme dhe që kursenin kohë, janë shndërruar në gjëra të domosdoshme?

Rreziku i fshehur i luksit

Ushtria romake ishte një nga forcat më të efektshme dhe të suksesshme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota. Në fushë të hapur, legjionet e tyre ishin praktikisht të pathyeshme. Por Perandoria Romake nuk u ndërtua vetëm falë gjenialitetit ushtarak dhe shpatave të shkurtra me goditje të fuqishme. Legjionet mund të mposhtnin një popull, por nuk e nënshtronin atë. Ishte dashuria për luksin dhe rehatinë që i nënshtroi.

Britanikët, shkruante Taciti, u skllavëruan jo nga zinxhirët, por nga dëshira për verë të mirë dhe darka elegante. Madje, guvernatori i Britanias, Agrikola, qëllimisht përpiqej ta qetësonte këtë shoqëri luftëtarësh fisnorë me “shpërqendrime të këndshme” si: banja të ngrohta, toga, dhe arsimim. Siç shkruante Taciti: “Britanikët naivë i quanin këto gjëra ‘qytetërim’, kur në fakt ishin thjesht pjesë e skllavërimit të tyre.”

Rehatia dhe komoditeti i shndërruan luftëtarët britanikë me fytyra të lyera dhe britma në civilë të butë dhe të pajtueshëm. (Duhet theksuar se Taciti ka të ngjarë t’i ketë ekzagjeruar këto. Britania nuk ishte kurrë aq e bindur sa Franca apo Spanja në Perandorinë Romake.)

Përdorimi i luksit për të bërë për vete një popull është një taktikë që është përsëritur gjatë gjithë historisë.

E përballur me një deficit tregtar me Kinën, Perandoria Britanike e dëndi vendin me opium të lirë të sjellë nga India. Një drogë luksi u kthye në varësi, dhe britanikët e shkëmbenin opiumin për porcelan, çaj dhe mëndafsh.

Lufta e Ftohtë u fitua gjithashtu përmes luksit. Kur televizorët dhe frigoriferët amerikanë të lirë filluan të depërtonin në BRSS, sovjetikët nuk kishin më mundësi të konkurronin me një jetë të tillë të rehatshme. Blloku komunist filloi të shihte mallrat “luksoze” të jetës së përditshme si thelbësore – dhe vetëm SHBA mund t’ua ofronte ato.

Por shembulli më i prekshëm për shumicën prej nesh sot është marrëdhënia jonë me Big Tech. Kompani si Facebook, Apple dhe Google i kanë lidhur jetët tona gjithnjë e më shumë me algoritmet dhe platformat e tyre. Rrjetet sociale janë krijuar dhe të kalibruara për të qenë qëllimisht varësuese. Shërbime që kursejnë kohë apo para, si ruajtja e të dhënave në “cloud”, janë bërë aq të zakonshme, sa kthimi pas është bërë thuajse i pamundur. Gjithnjë e më shpesh ndodh që as nuk e dimë më fjalëkalimin tonë – ia lëmë telefonit ose një aplikacioni ta krijojë dhe ruajë për ne.

Nuk mund të largohesh nga makina

Një teknologji apo shërbim i ri fillimisht është një luks – derisa bëhet aq i zakonshëm dhe i kudondodhur, aq thelbësor – sa nuk mund të kthehesh më pas në kohën para se të ekzistonte. Ajo që dikur ishte një “dëshirë”, kthehet në një “nevojë”.

Novela e E.M. Forster, “Makina ndalet” (The Machine Stops), përfytyron një botë ku çdo aspekt i jetës ofrohet nga “makina”. Ka butona për “të kërkuar ushqim, muzikë, rroba, banja të ngrohta, letërsi dhe, sigurisht, komunikim me miqtë.” Sa profetike ka qenë kjo vepër? Sot kemi Uber, Skype, Hello Fresh dhe Amazon Prime. Edhe miqtë dhe familjarët tanë janë të lidhur me makinën.

A është e mundur të largohemi?

Edhe pse teknologjinë e shohim si çlirimtare, ajo na mbyll në kuti. Nëse i besojmë Tacitit, tani jemi skllevër të gjërave që dikur i mendonim si luks. Detyra e filozofisë është t’i shohë këto zinxhirë për atë që janë. Dhe, ndërsa shqyrtojmë jetët tona, mund të zgjedhim t’i mbajmë ato zinxhirë me vetëdije, ose të nisim rrugëtimin e gjatë e të vështirë për t’i hequr. / big think – bota.al

Back to top button