Motivuese

“Rrëzohuni, ama mësoni të ngriheni akoma më fuqishëm!”

Fjalimi i mëposhtëm është shkëputur nga ceremonia e diplomimit në Universitetin e Pennsylvanisë, në 16 maj 2011, ku ishte i ftuar aktori Denzel Washington për të dhënë fjalimin e tij motivues përpara studentëve që do të diplomoheshin.

“Kam kuptuar se asgjë në jetë nuk vlen, nëse nuk rrezikon. Asgjë. Nelson Mandela ka thënë: “Nuk keni për ta gjetur pasionin, duke u munduar pak dhe duke zgjedhur një jetë më të lehtë, se ajo që ju jeni në gjendje të jetoni.”

Thomas Edison kreu 1000 eksperimente të dështuara. E dinit këtë gjë? Unë më parë nuk e dija. Eksperimenti i 1001 ishte shpikja e llambës. Çdo eksperiment i dështuar për të, dhe për këdo nga ne, është një hap më pranë suksesit. Ju duhet të ndërmerrni rreziqe, dhe jam i sigurt që me siguri e keni dëgjuar këtë gjë edhe më parë.

Padyshim që do të dështoni në një moment në jetën tuaj. Do të humbisni. Do të turpëroheni. Nuk ka dyshim për këtë gjë. Në botën e aktrimit, mund të dështosh gjatë gjithë kohës. Nëse nuk dështoni, tregon se nuk po përpiqeni. Gruaja ime më ka thënë dikur një shprehje të bukur. “Për të siguruar diçka që nuk e ke pasur kurrë, duhet të bësh diçka që nuk e ke bërë kurrë”.

Les Brown është një personalitet që mban fjalime motivuese. Ai ka bërë një analogji për këtë  thënie. Ai thotë, “Imagjinoni që jeni në shtratin tuaj të vdekjes, dhe duke qëndruar rreth shtratit tuaj të vdekjes janë fantazmat që përfaqësojnë potencialin tuaj të patreguar, fantazmat e ideve që nuk i keni shprehur kurrë, fantazmat e talenteve që nuk i keni përdorur kurrë. Dhe ato janë duke qëndruar rreth shtratit tuaj të zemëruara, të zhgënjyera dhe të mërzitura. Ato ju thonë: “Ne erdhëm tek ti, sepse mund të na kishe sjellë në jetë. Meqë nuk na solle, tani duhet të shkojmë në varr së bashku”.

Prandaj ju pyes sot, sa fantazma doni që të jenë rreth shtratit tuaj kur të vijë koha juaj? Mundohuni të jenë sa më pak. Shfaqini idetë tuaja. Tregojini potencialet tuaja. Përdorini talentet tuaja. Ju keni investuar shumë në edukimin tuaj dhe të afërmit tuaj kanë investuar tek ju. Dhe më lejoni t’ju them, bota ka nevojë për talentet tuaja. Bota ka nevojë për ju. Ne kemi nevojë për ju. Ne kemi nevojë për të rinjtë.

Dhe kur të dështoni gjatë gjithë jetës, mbani mend këtë gjë: Rrëzohuni, ama mësoni të ngriheni akoma më fuqishëm! Zoti ju bekoftë!”

Back to top button