Ka tension të lartë mes Trumpit dhe mediave “të pandershme”, disa prej të cilave tashmë janë përjashtuar për herë të parë në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, që u kthye në një “gaggle”, një bisedë të ngushtë me dyer të mbyllura dhe pa kamera: lista e zezë përfshin CNN, New York Times, Politico dhe Los Angeles Times. Në shenjë solidariteti, korrespondentët e mediave të tjera – si AP dhe Time Magazine – kanë vendosur ta bojkotojnë atë. Media të pranishme ishin ato konservatore, si Breitbart News, Washington Times, One America News Network, si dhe ABC, CBS, WSJ, Bloomberg dhe Fox News. Reagim i menjëhershëm i kreut të shoqatës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Jeff Mason, i cili ka shpallur një “protestë të fortë” për një lëvizje që e ka quajtur të pazakontë dhe të paprecedentë.
Në të njëjtën gjatësi vale Dean Baquet, drejtor ekzekutiv i NYT: “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në Shtëpinë e Bardhë në historinë tonë të gjatë të mbulimit të disa partive e administratave të ndryshme”. I ashpër ka qenë edhe CNN: “Një zhvillim i papranueshëm nga Shtëpia e Bardhë e Trumpit. Me sa duket, është një mënyrë për të marrë hak kur lajmi nuk i pëlqen. Ne do të vazhdojmë që të raportojmë lajme në çdo rast…”. E gjitha ndodhi disa orë pasi Trumpi kishte bërë një fjalim të gjatë kundër mediave “pandershme”, të cilat duke përdorur burime anonime për të ushqyer “lajme të rreme”, janë “armiket e vërteta të popullit”.
Nuk e kam me të gjithë, ka bërë të qartë Trumpi, por me botues dhe gazetarë “të pandershëm” që ushqejnë lajmet e rreme me përdorimin e burimeve anonime, gjë për të cilën ka kërkuar që t’i jepet fund. Dhe pikërisht nga burime anonime janë bërë rrjedhjet më sikletosëse të informacioneve, si për shembull kontaktet mes shoqëruesve të tij dhe shërbimit të fshehtë rus, gjatë fushatës zgjedhore. Shtëpia e Bardhë ka kërkuar nga FBI që të mohojë publikisht këto thashetheme, pasi vetë agjencia i kish përcaktuar si “jo të sakta”.
Por Federal Bureau of Investigation refuzoi ta bëjë. Kjo gjë ka shkaktuar protestën e demokratëve, sipas të cilëve SHtëpia e Bardhë ka shkelur kufizimet për kontaktet me FBI, në lidhje me hetime që janë në zhvillim e sipër. Por Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit të saj, Sean Spicer, ka shtuar dozën kundër mediave, sidomos kundër CNN, dhe ka mbrojtur vullnetin për të përcjellë lajmet me korrektësi, duke përjashtuar fillimisht nga konferenca disa gazetarë.
Dhe i përpiktë përmes Twitterit ka qenë reagimi i Trumpit. “FBI është tërësisht e paaftë për të ndalur autorët e rrjedhjes së informacioneve në lidhje me sigurinë kombëtare, që kanë dëmtuar prej kohësh qeverinë tonë. Nuk arrijnë t’i gjejnë as brenda FBI-së. Mediave u janë dhënë informacione të klasifikuara që mund të kenë efekt shkatërrimtar mbi SHBA. Gjejini tani!” / www.bota.al