BotaMAIN

Rritja e fuqisë së gjigantëve të teknologjisë po i shqetëson qeveritë

Nga Pierre Haski

Fakti që kompanitë e mëdha dixhitale, kanë qenë përfitueset kryesore nga bllokimet evendosura për shkak të pandemisë së Covid-19, nuk është sigurisht për tu habitur, dhe këtë

e konfirmojnë dhe bilancet e tyre financiare:i famshmi GAFM (Google, Amazon, Facebook, Apple dhe Microsoft, plus disa kompani të tjera), por jo vetëm gjigantët ekonomikë, por edhe fuqi të rëndësishme në shkallë botërore.

Dhe kjo është ajo që po i shqetëson shtetet kombëtare. Të ardhurat e 5 të mëdhave të GAFAM, u rritën me 41 përqind në tremujorin e parë të vitit 2021, duke arritur në një total prej 322 miliardë dollarësh, një shifër shumë më e lartë sesa parashikimi i të ardhurave ngataksat në Francë për gjithë këtë vit.

Fitimet pas zbritjes së taksave u rritën me 105 për qind. Dhe ky fenomen është i destinuar të vazhdojë. Në fakt pandemia, i ka bërë këto kompani edhe më thelbësore në jetën tonë, që po kalohet kryesisht mbyllur në shtëpi, dhe ndoshta edhe në jetën të pas izolimit.

Edhe plani i presidentit Xho Bajden për rimëkëmbjen ekonomike të SHBA-së, me çekun e tij prej 1.400 dollarësh për secilën familje amerikane, përfundon pjesërisht në arkat e këtyre kompanive. E megjithatë nga shqetësimi nuk janë të imunizuara as bordet e drejtorëve të këtyre kompanive të mëdha.

Madhësia e tyre në rritje, ndikimi i tyre i paqartë, pesha e tyre në treg, praktikat e tyre shoqërore dhe etika e tyre shpeshherë e diskutueshme, kanë prodhuar një kundërvënie të caktuar, tek e cila shohim sot një jehonë në radhët e demokratëve në SHBA.

Dy emërime të rëndësishme në administratën Bajden, po shqetësojnë kompanitë e mëdha dixhitale. E para është ajo e Tim Vu, këshilltar i presidentit mbi çështjet e konkurrencës dhe teknologjisë, shpikësi i termit neutraliteti i rrjetit (një koncept themelor i barazisë midis të gjithë lojtarëve në sektor), dhe autor i librit “Mallkimi i të qenit i madh, një traktat mbi monopolet.

Emërimi i dytë është ai i Lina Kan, 32 vjeçe, që është caktuar si Komisionere për Konkurrencën. Kan është një mbështetëse e hapur e idesë së shkrirjes së grupeve të mëdha,dhe është për shumë gjëra në një mendje me homologen e saj, Margret Vestager, komisionerja evropiane për konkurrencë, e famshme për betejat e saj kundër kompanive të mëdha dixhitale.

Nëse në të kaluarën GAFAM kishte përballë një bishë të zezë, tani kanë dy të tilla. Edhe para ngjitjes në pushtet të Bajden, administrata Trump kishte filluar tashmë një seri procedimesh anti-monopol kundër Google dhe Facebook.

Gjyqe të tilla janë të gjata, me një mori pengesash ligjore, e megjithatë administrata e re duket e vendosur të ecë përpara. Dilema është të gjendet një ekuilibër midis stimulimit të inovacionit në një sektor, që është bërë thelbësor për kapitalizmin amerikan, dhe nevojës për të shmangur abuzimet me pozitën dominuese, shtytjet antisociale dhe evazionin fiskal.

Ndoshta është rastësi, por edhe Kina po përgatitet të vërë nën kontroll të plotë gjigantët e saj dixhitalë, siç e kemi parë në rastin e Xhek Ma, themeluesit të grupit Alibaba. Në një kontekst krejtësisht të ndryshëm, Pekini është i bindur se grupi ekuivalent i GAFAM, BATX(Baidu, Alibaba, Tencent dhe Xiaomi) është bërë tepër i madh, i fuqishëm dhe i pakontrollueshëm.

E gjithë bota është e shqetësuar për këto zhvillime, pasi këto grupe janë tani të pranishme kudo. Kapitalizmi i shekullit XXI po ripërcaktohet, dhe shtetet nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit. /

Internazionale” – Bota.al

Back to top button