Bota

Për sa kohë do ta kenë vëmendjen tonë 1600 të vdekur?

Një “stuhi detare” mjerimi njerëzor, po godet “dallgë pas dallge” brigjet e Italisë

Ben Wedeman

Jemi në fillimin e një krize të madhe, dhe përpara nuk ka asnjë zgjidhje. Ndoshta kjo nuk është e saktë të thuhet. Kriza e migrantëve, që krejt paparitur ka tërhequr qindra gazetarë në  Siçili ka vite që zien, por në 10 ditët e fundit, me pothuajse 1600 të vdekur në Mesdhe, krejt papritur mendjet janë fokusuar të gjitha aty – për momentin.

Screen Shot 2015-04-21 at 12.22.52 PM

Pothuajse 4 vjet më parë, në Libi, unë pashë ndoshta një copëz të asaj që do të vinte.

Ishte natë vonë, në qytetin e rrethuar të Misratas. Qindra migrantë afrikanë ishin zënë si në morsë, mes luftës civile libiane (në atë kohë, në mënyrë optimiste, disa e quajtën “revolucion”) dhe detit të thellë ngjyrë blu. Ata kishin ardhur në Misrata nga Gana, Nigeria dhe shtete të tjerë afrikanë, duke shpresuar të hipnin në varkat rrangullina, për të kaluar detin drejt Europës.

Ishin detyruar të nguleshin aty, nën predhat sporadike që lëshoheshin prej forcave qeveritare, por nga ana tjetër nuk ishin të mirëpritur prej rebelëve që kontrollonin qytetin. Na bënë thirrje t’i ndihmonim që të largoheshin.

Ne nuk mund të bënim asgjë, por me gjasë, ata do të kenë gjetur një rrugëdalje, sapo intensiteti i luftimeve ra disi.

Rënia e regjimit të udhëheqësit libian, Moamar Gedafi, që në gazetarët e mbuluam aq me zell, u pasua prej kaosit, të cilin në, njerëzit e botës së medias e neglizhuam, të fokusuar siç jemi ne në katastrofën e radhës, luftën civile në Siri. Në mes të atij kaosi, lulëzoi biznesi i trafikut njerëzor.

Dhe tani, ai bum i mjerimit njerëzor, po vjen valë-valë në brigjet e Italisë. Fokusi sot është tek ata njerëz që kanë humbur në det. Megjithatë, të vetëdijshëm për tragjedinë që po shohin të shpaloset, italianët janë të alarmuar prej mundësisë që, vetëm brenda këtij viti, pothuajse një milion imigrantë mund të vijnë në Europë, sipas një zyrtari të Bashkimit Europian. 

Kështu ndodh, pa dyshim, në portin italian të Katanias, ku mbërrijnë shumë imigrantë. Kryebashkiaku i qytetit, Enzo Bianco, këmbëngul se banorët e qytetit nuk kanë asgjë kundër imigrantëve, por, shton ai, Katania dhe Siçilia nuk mund të përthithin numrin që sa vjen e rritet. Pjesa tjetër e Europës duhet të ndihmojë për të ndarë këtë barrë.

“Nëse nuk bëhet diçka serioze”, paralajmëron ai, “drama si kjo do të përsëriten. Ky problem nuk do të zgjidhet duke e fshehur kokën nën rërë”.

Disa italianë po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin. Dy rajone veriorë, Veneto dhe Valle d’Aosta kanë shpallur se nuk do të pranojnë më imigrantë. Lega Nord, partia e djathtë, e ka shndërruar kundërshtimin e imigrantëve në një kolonë kryesore të programit të saj.

Por, të tjerë këmbëngulin se Italia duhet t’i mbajë dyert e hapura. Në portin e Katanias, unë fola me Grazia Giuraton, e cila i ishte bashkuar një proteste të vogël, për të shprehur solidaritetin me imigrantët.

“Shumë vite më parë, gjyshërit tanë emigruan”, më tha ajo. “Të mos e harrojmë këtë”.

Në të vërtetë, në kohëra më të vështira, miliona italianë të varfëruar lanë shtëpitë e tyre, për t’u vendosur në Amerikë dhe Australi. Edhe ata, ashtu si imigrantët e Afrikës dhe Lindjes së Mesme, largoheshin prej varfërisë dhe luftës. Edhe ata, përjetuan atë lloj paragjykimi dhe pakënaqësia, në ato toka që pasardhësit e tyre sot i quajnë me krenari “atdhe’.

Ndoshta kjo është pak largpamëse. Por tani, sot, italianët përballen me një seri sëmundjesh të vjetra e të reja, që variojnë nga shtete të dështuar dhe ekonomi në rënie, tek korrupsioni i përhapur, varfëria e pashpresë, shtypja dhe padrejtësia, që asnjë shtet apo grup shtetesh nuk mundet t’i zgjidhë pa një përpjekje të madhe, të kushtueshme, dhe politike.

Dhe ndërkohë që kriza ka vite që zien, sot ajo ka shpërthyer mu para syve tanë. /CNN / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button