FilozofiMAIN

Samvega: Të kuptosh nevojën urgjente për një jetë më kuptimplotë

Saṃvega është një term budist që përshkruan një ndjesi të përgjithshme pakënaqësie ekzistenciale me botën — ndjesinë se jeta është pa kuptim dhe se po humbet diçka më të thellë. Saṃvega shfaqet në thuajse të gjithë literaturën filozofike dhe njihet me shumë emra. Për Marksin është “huajësimi”, për Kamynë po ashtu, dhe për ekzistencialistët është “ankthi”. Duke qenë se saṃvega është koncept i përbashkët për shumë tradita, nuk është çudi që ekzistojnë edhe shumë zgjidhje për të — të njohura si pasada

Carlos kthehet nga puna dhe është vonë — aq vonë sa, kur parkon makinën përpara shtëpisë, sheh që çdo dhomë është në errësirë. Puna po e shkatërron. Ai ndjen se nuk po e sheh më familjen e vet. Javën e kaluar i bleu vajzës një lodër nga seriali i saj i preferuar. Ajo qeshi. Por më vonë gruaja i tha se vajza kishte disa muaj që nuk e ndiqte më atë serial. Carlos ndjen se gjërat e rëndësishme në jetën e tij po i rrëshqasin nga duart.

Larg, në një shtëpi tjetër, Jess po heq flokët e thinjura përpara pasqyrës. Është bërë ritual. Ndërsa mundohet për të parë më mirë, sheh veten. Jo thjesht fytyrën. Sheh veten. Sheh një grua në moshë me më shumë rrudha se dje dhe më shumë thinja se ç’ka mundësi të heqë. Psherëtin. “Ç’kuptim ka?”, mendon. “Gjithsesi, të gjithë plakemi”. Dhe heq një fije tjetër floku.

Ka diçka të njohur tek Carlos dhe Jess. Tregimet e tyre do të tingëllojnë të njohura për shumë njerëz. Ajo që i lidh Carlosin dhe Jessin, ashtu si edhe thuajse të gjithë dijetarët e historisë, është diçka që quhet saṃvega: një fjalë budiste për një emocion tronditës dhe trazues. Është një ndjenjë që shumica prej nesh e kanë përjetuar në një moment të jetës, por ndoshta nuk ia kemi ditur emrin. Po çfarë do të thotë saṃvega?

Kështu foli Zoti i Marksit që priste Godonë

Saṃvega është e vështirë për t’u përkufizuar, por del gjithmonë në sipërfaqe në literaturën filozofike. Mund të quhet ankth, absurditet, mërzi, pakënaqësi, huajësim, apo tmerr ekzistencial. Saṃvega është ajo ndjesi parehatie që të pushton kur mendon se gjithçka është e kotë. Është kur ndihesh si budalla — duke bërë budallallëqe, në mënyra budallaqe — përpara një turme që po të tall. Saṃvega është kur ndjen se ekziston diçka më shumë në Univers me të cilën s’je i lidhur — si një e vërtetë e thellë që gjithmonë të rrëshqet nga duart.

A të ka ndodhur ndonjëherë të punosh shumë për një qëllim, për një kohë të gjatë, dhe kur e arrin, të ndihesh bosh? Kjo është saṃvega. A je gjendur ndonjëherë pas një etape të jetës tënde dhe të mendosh: “Çfarë humbje kohe!”? Kjo është saṃvega. A ke ndjesinë se të gjithë po shtiren dhe ti thjesht po bën sikur? Saṃvega!

Saṃvega është një mal me shumë faqe. E gjen tek Karl Marksi që flet për armiqësimin e punëtorëve. Është në zemërimin e Nietzsche-s ndaj normave sociale dhe morale të kohës. Është në dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett, ku dy burra enden dhe bisedojnë kot ndërsa presin Zotin që s’vjen kurrë. Është në idetë e Sartre-it për “besimin e keq”, në Mitin e Sizifit të Kamysë, në “Qytetin e Zotit” të Augustinit dhe në momentin kur Buda sheh përtej murit të kopshtit të kënaqësisë. Saṃvega është etja për diçka më shumë.

Sëmundja me shumë mjekë

Tek “Vdekja e Ivan Iliçit” nga Tolstoy, personazhi kryesor është mishërimi i saṃvega-s. Ivan Iliç ndodhet në shtratin e vdekjes, i rrethuar vetëm nga dhimbja dhe pendesat. Ai sheh pas një jete të përbërë nga etiketa dhe rregulla — ku çdo hap i madh ishte për të ruajtur fasadën dhe për të përmbushur pritshmëritë. Teksa mjekët vijnë njëri pas tjetrit, secili me zgjidhjen e vet, ai kupton se nuk ka shpëtim.

Ashtu si Ivani, edhe saṃvega është një sëmundje me shumë kura. Zgjidhjet ose kurat për saṃvega-n njihen si pasada. Në mënyrë të përgjithshme, ato ndahen në katër kategori:

  1. Fetarja

Duke qenë se është një fjalë budiste, nuk është çudi që Budizmi ofron një përgjigje. Për budistët, saṃvega nuk është gjë e keqe. Përkundrazi, është pika fillestare drejt urtësisë. Ajo ndjenjë pakënaqësie me botën kalimtare dhe të përkohshme është një sinjal. Është një mesazh i shpirtit dhe zgjidhja e saj qëndron tek Katër të Vërtetat Fisnike. Por s’ka nevojë të jesh budist. Të gjitha fetë e njohin saṃvega-n dhe ofrojnë rrugëdalje. Nëse nuk jemi kurrë të kënaqur në botën materiale, ndoshta kuptimi i vërtetë ndodhet diku tjetër?

  1. Ekzistencializmi

Kur Nietzsche shkatërroi të gjitha vlerat, normat dhe traditat që na robërojnë, ai nuk u kthye thjesht në shpellën e vet i kënaqur. Përkundrazi, ai argumentoi se secili duhet të rishpikë vlerat e veta. Vetëm pasi të kemi shembur ndërtimet e vjetra shtypëse, mund të rindërtojmë një botë sipas vullnetit tonë. Për ekzistencialistët që erdhën pas tij, saṃvega është një lloj shkundjeje krijuese — një shtytje për të krijuar kuptimin tonë personal dhe për të jetuar sipas vetes sonë.

  1. Absurdi

Nëse të pëlqen saṃvega me aromë cigareje franceze, Kamy është njeriu yt. Në librat e tij, ai analizon problemin e saṃvega-s. Gjithçka është pa kuptim. Të gjithë vdesin. Asgjë që bëjmë, themi apo mendojmë nuk ka rëndësi në rrjedhën e pafundme të historisë së universit. Zgjidhja e tij? Kryengritja tallëse. Kur bota të rrëzon, përgjigjja më e mirë është të qeshësh dhe të vazhdosh përpara. Nuk ka shpresë, nuk ka jetë tjetër, nuk ka kuptim. Por mund të qeshim rrugës.

  1. Nihilizmi

Nihilistët janë ata që jo vetëm përjetojnë saṃvega-n, por e thithin si ajër. Ata e pranojnë kotësinë e gjithçkaje dhe nuk i japin vlerë asgjëje. Nuk ofrojnë zgjidhje për saṃvega-n. Do të të thonë të mbarosh punë me të. Është e vështirë të imagjinosh dikë që është realisht nihilist dhe ende i gjallë. Shumica e njerëzve kanë diçka për të cilën ia vlen të jetosh. / big think – bota.al

Back to top button