Në mes të dimrit të errët, rrugët e Romës ndriçoheshin nga qirinj, shpërndaheshin dhurata dhe njerëzit mblidheshin për të festuar me ushqime të bollshme, muzikë dhe shoqëri. Por nuk ishte Krishtlindja. Ishte Saturnalia, festa disaditore për nder të Saturnit, perëndisë romake të bujqësisë dhe të korrave. Kjo festë pati një ndikim të jashtëzakonshëm mbi traditat fetare që erdhën më vonë.
Çfarë ishte Saturnalia?
Saturnalia fillimisht festohej më 19 dhjetor sipas kalendarit të vjetër romak, për të shënuar përfundimin e mbjelljeve dimërore. Me kalimin e kohës, ajo u zgjat deri në një javë, duke filluar nga 17 deri më 23 dhjetor. Edhe pas rregullimeve të kalendarit Julian nga Jul Cezari, festa vazhdoi të merrte përmasa edhe më të mëdha, duke u kthyer në një nga ngjarjet më të shumëpritura të vitit.
Ajo fillonte me një ceremoni në tempullin e Saturnit në Romë, e ndjekur nga aktivitete private dhe publike anembanë qytetit. Sipas Publius Papinius Statiusit, një poet romak, këto përfshinin gladiatore femra që luftonin në arena, si dhe bankete me shumë ushqime e verë. Ishte një kohë feste, kur zakonet shoqërore përmbyseshin: skllevërit shërbeheshin nga zotërit e tyre dhe shpesh madje vishnin rrobat e tyre, duke u dhënë mundësinë të shprehnin pa frikë pakënaqësitë që kishin.
Festë dhe hare
Saturnalia njihej për atmosferën e lirshme dhe shpesh deri kaotike. Gjithçka, nga kumari e deri te këndimi në rrugë, ishte pjesë e festimeve. Luciani, një poet romak, shkruan se Saturni vetë kishte shpallur: “Gjatë javës time, çdo gjë serioze është e ndaluar. Le të ketë pije, lojëra, këngë e festime!”
Qirinjtë, të quajtur cerei, simbolizonin rikthimin e dritës pas solsticit dimëror. Dhuratat shpesh kishin natyrë humoristike, dhe njerëzit i shpërndanin ato si pjesë e traditës. Për shembull, perandori August shpesh jepte dhurata me domethënie qesharake, ndërsa Neroni, edhe pse më pak bujar, përdorte Saturnalian për të poshtëruar rivalët e tij.
Saturnalia dhe Krishtlindjet
Edhe pse Krishtlindjet dhe Saturnalia bashkëjetuan për një farë kohe, data e Krishtlindjeve u vendos më 25 dhjetor rreth vitit 354-360 të erës sonë. Kjo datë përkonte me lindjen e perëndisë diellore Sol Invictus dhe me mbylljen e festimeve të Saturnalias.
Shumë tradita të Saturnalias kanë ngjashmëri me Krishtlindjet e sotme: përdorimi i qirinjve, dekorimi me bimë jeshile dhe këngët në rrugë kujtojnë zakonet e atëhershme. Edhe kapelat me formë konike, të quajtura pillei, që simbolizonin lirinë, mund të krahasohen me kurorat prej letre që përdoren sot gjatë festave.
Fundi i Saturnalias
Ndërsa Romakët gradualisht u kthyen në krishtërim, Saturnalia filloi të zbehej. Por, siç thoshte poeti Statius, “Kjo festë nuk do të shuhet kurrë. Për sa kohë që Roma dhe Capitoliumi do të qëndrojnë, Saturnalia do të vazhdojë.”
Në shumë mënyra, ai kishte të drejtë. Elementet e saj vazhdojnë të jetojnë në traditat moderne të Krishtlindjeve dhe festimeve të tjera dimërore. / bota.al