Analiza

“Sëmundja franceze”. Po çfarë po ndodh me Francën?

Atdheu i lirisë përballet me problemin e nënshtrimit. “Katastrofa” e politikave të integrimit multikulturor, gjendja shpirtërore e keqe e një populli plot me non-Charlie

R600x__burka_france(1)

Pas marshimit të madh republikan kundër terrorizmit, pas “Marsejezës” së kënduar në këmbë nga të gjithë deputetët e Asamblesë Kombëtare, pas deklarimeve solemne të Kryeministrit Manuel Valls (“Franca është në luftë kundër terrorizmit, xhihadizmit dhe islamit radikal… por jo kundër një besimi fetar”), pas garës në kioskat e gazetave për të dëshmuar mbështetje ndaj Charlie Hebdo, Franca zgjohet çdo ditë një çikë më pak Charlie, nga sa të bënin të besoje gjithë ata sinjale

Dushet e ftohta vijnë sidomos nga shkollat – po, pikërisht shkollat objekt vëmëndjesh skrupuloze egalitariste dhe gjinore e ministrave të fundit të Education Nationale – ku ka qindra raste mosbindjeje dhe shqetësimesh, shpesh të shndërruara në incidente në kuptimin e plotë të fjalës, me rastin e minutave të heshtjes për viktimat e atentateve parisiane të 7 dhe 8 janarit. Për 37 episode (vlerësim shumë provizor) flitet për apologji ndaj terrorizmit – i njëjti krim që ka çuar në ndalimin e komikut antisemit Dieudonné, pasi ka shkruar “Je suis Charlie Coulibaly” në Facebook dhe ka demonstruar se për të liria duhet të ketë ndonjë kufizim – dhe, në nja 20 raste të tjera, për “kërcënime verbale për aksione terroriste” të thjeshta.

Kështu, jo të gjithë në Francë janë Charlie. Sidomos nuk janë shumë të rinj dhe më të rinj myslimanë, emigrantë të gjeneratës së tretë dhe shtetas francezë si vëllezërit Kouachi e Amedy Coulibaly. Por çfarë është sot Franca? Është vërtet e “sëmura e Europës”, siç argumentohet prej disa vitesh, brenda dhe jashtë vendit? Është bërë vërtetë një guaskë grandeur-i jorealiste që mbulon në mënyrë gjithnjë e më të pasigurtë brishtësitë ekonomike në rritje, ndarjet shumë të thella në shoqëri, paaftësinë për të mbajtur bashkë traditën e të ardhmen, banlieue inkubator të islamizmit xhihadist dhe Front National që kërcënon daljen nga Euro? Si ka ndodhur që vendi i të drejtave të njeriut është zgjuar një ditë i transformuar në vendin e parë europian nga i cili hebrenjtë emigrojnë drejt Izraelit? Dhe pse në atdheun e Iluministëve ka gjetur shumë hapësirë dhe është bërë realitet mjaft i errët ai “tundim antisemit” për të cilin fliste sociologu dhe historiani Michel Wieviorka, pas një investigimi të kryer në fillimin e viteve Dymijë në burgjet, në universitetet dhe në shkollat e Roubaix, Sarcelles dhe të Marseille?

Këtyre pyetjeve, ka që po u japin përgjigje shumë të prera dhe në fakt mbresëlënëse, po të kesh parasysh të sotmen. Ka qenë filozofi Alain Finkielkraut, që me “L’identité malheureuse” (Stock), domethënë “identitetin e trishtuar”, ka treguar dështimin e pastër të multulturalizmit allafrancez. Një shah ndaj të cilit vendi është i dënuar pse ka dashur të braktisë rrugën asimiluese fillestare të tij: “Tani është në zhvillim një revolucion i imponuar nga islami dhe nga e Majta konformiste, kishte shpjeguar Finkielkraut në daljen e librit të tij, ajo pjesë e së Majtës që e kam quajtur “Gauche divine”, e Majta hyjnore. Është paradoksi i gauche, që në emër të laïcité, dekonstrukton republikanizmin dhe përqafon multikulturalizmin. Është një “dis- identifikim”… dhe për herë të parë në historinë e emigracionit, mysafiri refuzon që të pranohet… Sipas parimit të “mosdiskriminimit”, Franca në mënyrë të vullnetshme zhytet në mosdiferencim”. Në këtë Francë të re, mëkati më i keq është bërë “islamofobia”, fjalë që, shtonte Finkielkraut, “ia nënshtron Republikën ligjeve islamike, një ideje të bashkëekzistencës së sekseve të bazuar mbi ndarjen”. Për këtë libër të tij, Finkielkraut është akuzuar se është mbështetës i të demonizuarës Marine Le Pen, liderja e Front National që nga qeveria Valls është damkosur si e padëshirueshme nga “marche républicaine” (sipas pothuajse tonalitetit të vëzhguesve, edhe atyre që nuk e simpatizojnë aspak Front National, një autogol për Valls).

Akoma më djegës se ai i Finkielkraut është versioni i Eric Zemmour, shkrimtar dhe gazetar i konsideruar si kampioni i vërtetë i “politikisht jokorrektes”, edhe prej pozcionimeve të tij kundër “feminilizimit” të shoqërisë franceze. Me “Le suicide français” (Albin Michel), i dalë tetorin e kaluar, Zemmour ka shitur më shumë se gjysmë milioni kopje, pavarësisht nga fakti se Kryeministri Valls e kishte damkosur në mënyrë përçmuese si “librin që nuk do ta lexoj kurrë”. Zemmour, i larguar pa shumë komplimenta nga rrjeti televiziv i të cilit ishte opinionit prej 10 vitesh, pse akuzohej se kishte nxitur “depërtimin” e myslimanëve francezë (akuzë e refuzuar prej tij), është tani nën mbrojtje prej kërcënimeve të islamistëve. Është detyruar që të heqë dorë nga të gjitha iniciativat publike, saktësisht siç po i ndodh romancierit Michel Houellebecq pas daljes së “Nënshtrimit”, në të cilin rrëfehet një Francë hipotetike e vitit 2022 totalisht e islamizuar, duke filluar nga titullari i Elizesë, një ish profesor universitar i konvertuar në fenë muhamedane. Nëse ky i Houellebecq është fiksion (i rrezikshëm sa realiteti, duke parë se dita e daljes së romanit është e njëjta e zgjedhur për masakrën në redaksinë e Charlie Hebdo, që kishte pikërisht Houellebecq në kopertinë), për Zemmour “Hekzagoni” është bërë prej kohësh një “République-Potëmkin”, falë 40 viteve “dekonstruktimi kokëfortë të ingranazheve më të vogla që kishin ndërtuar Francën”. Nga 1970 e këtej ka fituar në fakte, dhe sidomos në interpretimin e tyre, Maji i 68-ës dhe me të ka fituar “Shoqërinë në dëm të popullit”. Shkruan Zemmour tek “Suicide français”: “Lidhim një maj ekonomik të 1940 (në maj të ’40 Gjermania naziste nisi pushtimin e Francës, shënimi im.) dhe një luftë fetare në lindje e sipër. Kemi hequr kufijtë, hequr dorë nga sovraniteti dhe elitat tona politike e kanë ndaluar Europën që t’u referohet rrënjëve kristiane të saj.

Një Francë më e madhe dhe ambicioze se njerëzit që e qeverisin, e plazmuar nga De Gaulle sipas imazhit dhe ngjashmërisë me të dhe e destinuar që të interpretohet në mënyrë mjerane nga kush nuk i ka as staturën, as vendosmërinë për ta bërë: është një tjetër prej versioneve aktuale e natyrës së krizës identitare franceze. Ekonomisti Jean Pisani-Ferry shkruante në korrik tek “Sole 24 Ore” për një vend “të paqartë përpara zgjedhjeve themelore. Shoqëria është e përçarë lidhur me identitetin, modelin social, qëndrimin ndaj globalizimit, pozicionin në Europë dhe rritjen ekonomike në vetvete të saj. Qytetarët nuk u besojnë institucioneve dhe liderëve”.
Në këtë pikë, mund të duket e kotë ose meskine të kujtohen incidente të caktuar përmbajtjeje dhe imazhi të kohëve të fundit, të kthyera në pochade, e personazheve si Dominique Strauss-Kahn dhe të vetë François Hollande: Presidenti francez me treguesin e pëlqimit më të ulët të të gjitha kohëve, i ngritur me pak ose aspak pas përaqfimit të madh republikan “après Charlie Hebdo”. Meskine, por e nevojshme, për të kuptuar më mirë pakënaqësinë e një vendit në të cilin qytetarët rezultojnë më pesimistët e Europës (duke parë faktet, ndoshta kanë të drejtë). Marcel Gauchet, historian liberal i besimeve fetare, nxënës i François Furet dhe themelues i Centre Raymond Aron, e ka përmbledhur problemin duke shkruar se “trashëgimia jonë na bën të papërshtatshëm, në një botë që zhvlerëson atë ndaj së cilës natyrshëm jemi të prirur t’i japim vlerë, dhe që nxjerr në plan të parë atë që ne e shikojmë nga lart poshtë”. E thënë kështu, nuk duket se ekziston shpresë. Por një vëzhgues italian i vëmendshëm dhe kompetent ndaj fakteve franceze, historiani dhe ish ambasadori Sergio Romano (autor në fillimin e viteve Tetëdhjetë i librit “Franca nga 1870 në ditët tona”, Mondadori), thotë se vënia në shënjestër e Francës nuk i pëlqen aspak: “Duhet të kuptojmë se Franca duhet të përballojë në këtë moment probleme shumë më të mëdha se çdo vend tjetër europian, pasi i tyri është komuniteti islamik më i madh europian, përjashto atë rus. Dhe kanë dashur ta trajtojnë në koherencë të plotë me parimet e tyre, me atë që e konsideronin se ishte identiteti civil e kulturor i vendit, duke akorduar me bujari dhe gatishmëri një shtetësi që tjetërkund – në Gjermani, por sidomos në Britaninë e Madhe – është menaxhuar në mënyrë shumë më kurnacore dhe të trazuar. Në Itali vazhdohet të jepet shtetësia me pikatore, në Francë nuk është kështu. Edhe ato që sot damkosen si “geto”, në qëllimet fillestare qenë rezultat i një qëndrimi largpamës, që duhej të shmangte probleme si ato që në Itali janë manifestuar në lagjen torineze San Salvario”. Për të kuptuar se çfarë ka shkuar keq, shton Sergio Romano, “duhet të shikojmë më shumë tek ambiciet franceze, tek vullneti i tyre për të mos hequr dorë nga një prani në Afrikë. Por mezi arrij të flas keq për francezët, edhe pse tani u tregojnë kurrizin kritikave. Duke filluar nga lideri aktual i tyre, aq i pangjyrë, por megjithatë më mirë se paraardhësi Sarkozy: Hollande nuk do ta kishte bërë kurrë gabimin e kryer në Libi”.

Franca ka synuar mbi égalité absolute, mbi zerimin e çdo diference, në sterilizimin e çdo identiteti, duke hequr çdo shenje të jashtme të besimit fetar. Për shembull, në sistemin francez të drejtësisë nuk ekziston krimi i poshtërimit të vendeve të kultit, motiv për të cilin Femen-i gjysmë e zhveshur që ka imituar një abortim në kishën e Madeleine, duke hedhur stomaqe pule të përgjakura në altar përballë besimtarëve, duke ulëritur se bëhej fjalë për “Jezu Krisht të abortuar”, ia ka hedhur me një gjobë të lehtë, kundër të cilës ka bërë ankimim. Një version i laïcité që sot është zbuluar mjaft i brishtë kundrejt islamit: “Francezët kanë vazhduar të operojnë në këtë fushë me instrumenta që në të kaluarën qenë demonstruar efikase, në një kontekst që po ndryshonte, por jo domosdoshmërisht për faj të tyre. Kishin qenë shumë të zotë në asimilimin e komuniteteve të huaja në periudhën përpara Luftës së Parë Botërore dhe në periudhën menjëherë pas saj: polakë, italianë, spanjollë, portugezë. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore këto rregulla kishin funksionuar.

Tregohej dhe nuk është barcaletë për zezakë të rinj të ardhur nga Afrika që flisnin “Vercingetorige stërgjyshore” të tyre. Francezët qenë krenarë për këtë recetë, të cilën kanë kërkuar t’ia aplikojnë më pas komunitetit arab. I cili po ndryshonte rregullat e lojës dhe jo domosdoshmërisht për faj të francezëve. Nëqoftëse amerikanët shkojnë në Irak e në Afganistan dhe i bëjnë këto shtete, vende ku stërvitet personel ushtarak për guerilje dhe nëqoftëse falimentojnë shtetet islamike, përfshi ato që kërkonin të kopjonin Perëndimin, nuk duhet të habisë fakti që bëhet shumë vështirë i trajtueshëm me recetën e mëparshme komuniteti arabo – mysliman i Francës (e përsërisim, më i madhi në Europë)”. Sergio Romano kujton zanafillën, 15 vjet më parë, e të famshmit “ligj mbi shaminë e kokës”, që në Francë ka ndaluar të gjitha shenjat e jashtme e përkatësisë fetare (shamia e kokës njëlloj si kippahu dhe si kryqi i “shfaqur”): “E drejtë? Gabim? Është fakt që shkollat janë palestra të identitetit ku lahen hesapet dhe kjo ka qenë një tentativë paqëtimi”. Një faktor tjetër që ka ndryshuar kuadrin “është se ndodhemi në recesion. Një situatë që godet shtresat më të varfra të popullsisë dhe në të cilën qarkullon helm, rriten mëritë sociale dhe zilitë. Gjithçka bëhet më e komplikuar dhe kjo vlen edhe për Francën. Por le të vihemi në rolin e një vendi krenar dhe ideologjik si ky, që ka zgjedhur parimin e laicitetit si besimin fetar shtetëror të vërtetë. Sigurisht që po asistojmë në një rënie progresive të Francës, por të paktën duhet të konstatojmë se, duke parë se flitet prej të paktën 30 vjetësh, është në fakt i ngadaltë dhe jo i privuar nga një farë fisnikërie”.

Por në Francë gjatë këtyre viteve ka ndodhur edhe tjetër. Një prej rezultateve të versionit pasmodern të égalité ka qenë “mariage pour tous”, ligji për martesën e njerëzve me të njëjtin seks, që mban firmën e Ministres së Drejtësisë, Christiane Taubira. Një masë që ka përçarë vendin dhe që shkonte duke perfeksionuar në mënyrë ideologjike atë që paktet civile të solidaritetit (veç të tjerash, shpikje franceze) garantonin prej kohësh. Përgjigja ka qenë Manif pour tous dhe lëvizja e Veilleurs. Të cilët, për ta thënë me fjalët e Tugdual Derville (një prej zëdhënësve të Mpt-së) kanë lindur në Francë pikërisht sepse bëhet fjalë për një vend “veçanërisht të prekur nga revolucioni liberal- libertar i 1968”. Ligji lidhur me martesat gei ka shkaktuar një lëvizje protestash kaq të gjerë “sepse prekte diçka intime: referimin ndaj diversitetit seksuale në gjenerata. Me fjalë të tjera, themeli antropologjik më i rrënjosur në historinë e njerëzimit… “Mazhoranca e heshtur” na ka qenë gjithmonë afër: rregullisht, në sondazhe, më shumë se 50 përqind e francezëve ka rezultuar armiqësore ndaj adoptimit nga ana e çifteve homoseksuale, edhe pas miratimit parlamentar të ligjit Taubira”.

Ja një temë tjetër e denjë për t’u përballuar në historinë mjekësore të “mal francese”. Dikush, me një paradoks, flet për Francën si për një vend të djathtë që voton majtas (për hir të së vërtetës, gjithnjë e më pak). E shpjegon me mënyrën e tij plot kolorit i zakonshmi Zemmour tek “Suicide français”, kur nënvizon se “populli… shkon në ekspozitat e ekspresionistëve dhe qëndron indiferent ndaj bukurive të fshehura të një arti bashkëkohor që tërheq snobizmin e miliarderëve.

Nuk dëgjon gjë tjetër veçse ribërjet e këngëve të viteve Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë. Bën “Les Tontons flinguers” një film kult, këndon lavditë e Louis de Funès… përbuz pjesën më të madhe të filmave francezë, të rënduar nga një “politikisht korrekte” e plumbtë, por miraton triumfin ndaj guximtarëve të rrallë që ekzaltojnë vlerat aristokratike të djeshme (“Les Visiteurs”), Parisin e djeshëm (“Amélie Poulain”), shkollën e djeshme (“Les Choristes”), klasën punëtore e djeshme (“Les Ch’tis”), solidaritetin e djeshëm (“Intouchables”) dhe integrimin e djeshëm (“Qu’est-ce qu’on a fait au bon Dieu?”). Cdo herë, shtypi i majtë ulëret për skandal, për mediokritet, për kapje pas së kaluarës, për ksenonfobinë, për racizmin: por predikon në shkretëtirë”. /IL FOGLIO/

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button