Në manualët e historisë, konferenca e Jaltës, që sot i përket Ukrainës, e cila u mbajt mes 4 dhe 11 shkurtit 1945 është përshkruar si okazioni gjatë të cilit tre udhëheqësit e ardhshëm fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore, (anglezi Churchill, amerikani Roosevelt dhe sovjetiku Stalin) do të ndanin mes tyre botën, ose më saktë zonat e influencës. Në fakt, shumica e studiuesve të historisë këmbëngulin se është më e drejtë të thuhet që kjo ndarje ka ndodhur më herët, pikërisht gjatë konferencës së Teheranit në Iran, konferencë e cila u mbajt në dhjetor 1943. Në fakt, pikërisht gjatë atij evenimenti, të tre udhëheqësit ranë dakord për këtë cështje, përvec se për datën dhe modalitetet e zbarkimit të forcave të aleatëve në Normandi, si dhe për sa i përket procesit të dekolonizimit. Dhe pikërisht atëherë u vendosën sferat e ardhshme të influencës të Shteteve të Bashkuara dhe të BRSS, gjë që përbën edhe origjinën e të ashtuquajturës Luftë e Ftohtë.
Atëherë, përse ka lindur ky ekuivok? Për disa, të gjithë fajin e ka suksesi i një libri të viteve shtatëdhjetë: “Jalta, ose ndarja e botës” me autor Arthur Conte, politikan dhe historian francez, i cili e quajti konferencën e mbajtur në Detin e Zi, si aktin e lindjes së një ekuilibri të ri botëror, si dhe momentin në të cilin u mendua se ndoshta ishte e mundur që të bashkëjetonin në mënyrë paqësore modeli sovjetik dhe ai amerikan.
Sipas disa të tjerëve, miti i Jaltës në fakt e ka burimin tek gjenerali francez Charles de Gaulle që, i irrituar nga fakti që tre udhëheqësit fitimtarë nuk e ftuan në atë konferencë, deklaroi se konferenca ishte përgjegjëse për të këqiat që i ndodhën botës pas saj. Por edhe armiqtë e brendshëm të Roosevelt, të shqetësuar prej rrezikut sovjetik, e vunë në plan të parë atë takim, duke thënë se presidenti i moshuar, i lodhur e i sëmurë, i kishte bërë atëherë lëshime Stalinit për kontrollin e një pjese të madhe të planetit.