Covid19 Analiza

Shansi i fundit i Evropës

BE po luan me zjarrin. Ky është shansi i fundit i Evropës. Ose BE e tregon veten të gatshme të ofrojë ndihmë substanciale për shtetet anëtare në vështirësi, ose nuk ka arsye të ekzistojë

Nga Luigi Zingales

Heroi i bashkimit italian Giuseppe Garibaldi thuhet se ka deklaruar gjatë betejës vendimtare në Calatafimi: “Këtu do e bëjmë Italinë, ose do vdesim”. Grindja e tanishme rreth asaj se si BE do të paguajë për të ndalur koronavirusin mund të përmblidhet: “Këtu ne bëjmë Evropën, ose Evropa do të vdesë.”

Arsyeja është e thjeshtë. Një komb është më shumë se një grup traktatesh ekonomike: është një grup vlerash të përbashkëta dhe premtimi për të qëndruar përkrah njëri-tjetrit. Garibaldi e unifikoi politikisht Italinë, por kombi u krijua në llogoret e luftës së parë botërore. Në shpatet e Monte Grappës dhe brigjet e lumit Piave, nuk kishte siçilianë, milanezë ose napoletanë: ata ishin italianë që mbronin tokën e tyre të përbashkët dhe ia dolën, edhe përkundër shanseve. Eshtë solidariteti në momentet më të këqija, që e çimenton një komb.

Një union i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, si SHBA, ndihmon anëtarët e tij në nevojë. Kur Neë Orleansi u godit nga Uragani Katrina, përgjigja fillestare zhgënjyese e tronditi kombin. Kongresi më pas dërgoi 71 miliardë dollarë në ndihmë, ekuivalente me më shumë se një të tretën e produktit të brendshëm bruto të Luizianës. SHBA nuk u frenua duke tundur një klauzolë të balancimit të buxhetit, duke lejuar shtetin të zhytej në borxhe. Shtetet e tjera të Amerikës, nuk u ankuan se banorët e Louizianës ishin dembelë dhe të korruptuar, apo që prishnin paratë me me pije dhe femra, siç deklaroi për turpin e tij, ish-kreu i eurogrupit të ministrave të financave, Jeroen Dijsselbloem, për Evropianët e Jugut.

Ato 71 miliardë dollarë nuk ishte bamirësi, ishte solidaritet i bazuar në një sens të përbashkët të kombit. Një studim i fundit tregon se gatishmëria e amerikanëve për t’u bërë vullnetarë në luftën e dytë botërore ishte e lidhur drejtpërdrejt me ndihmën që familjet e tyre morën gjatë Depresionit të Madh. John F. Kennedy mundi të frymëzonte amerikanët duke pyetur se çfarë mund të bëjnë për vendin e tyre, sepse ata e dinin mirë se çfarë kishte bërë vendi i tyre për ta. Po çfarë ka bërë BE për Evropianët?

Nëse jeni pjesë e atyre pak fatlumëve, BE ka qenë një marrëveshje fantastike. Kursimet tuaja janë të sigurta në një monedhë të shëndoshë, ju mund të udhëtoni pa pasaportë, madje mund t’i dërgoni fëmijët tuaj në disa nga universitetet më të mirë në botë, me tarifat e ulëta që u ofrohen vendasve. Po punëtorët e Evropës Jugore, të cilët nuk kanë asnjë kursim, të cilët nuk mund të përballojnë të udhëtojnë jashtë vendit, fëmijët e të cilëve mezi mbarojnë shkollën e mesme? Çfarë ka bërë BE për ta?

Për momentin, BE-ja është vetëm pak më shumë sesa një shprehje gjeografike me një bankë qendrore të përbashkët. Një sens kombëtar pan-evropian mungon kaq shumë,. Dhe ne as nuk mund të pajtoheshim për heronjtë që do të vendosnim në kartëmonedhat tona. Në të ardhmen, monedhat e euros mund të kenë një portret të Mario Draghit, ish-guvernatori i bankës qendrore. Por, aktualisht këto kartëmonedha paraqesin ndërtesa joekzistente: ne nuk mundëm të biem dakord, as se cilat monumente të spikatura të kombeve duhet të përfaqësoheshin.

Gjashtë vjet më parë iu luta Kryeministrit të atëhershëm të Italisë Matteo Renzi që të përdorte fitoren e tij të madhe politike në zgjedhjet parlamentare evropiane, për të nxitur një program të siguracioneve për papunësinë në mbarë BE-në. Ndarja e rrezikut të tronditjeve të pazakonta ka kuptim të përsosur ekonomik dhe nuk është lloji i transfertave të cilave me të drejtë u frikësohen evropianët e veriut. Ai gjithashtu ka kuptim politik të përsosur. Të papunët që marrin një çek me simbolin e BE-së mbi të, do të fillojnë të vlerësojnë atë që bën BE për ta. Fatkeqësisht, z. Renzi nuk e çoi përpara idenë. Ndjenja anti-BE vetëm u rrit.

Jean Monnet, një nga baballarët themelues të BE, thoshte: “Evropa do të farkëtohet në kohë krizash”. Pandemia është kriza më e madhe që nga lufta e dytë botërore. Nëse BE nuk farkëtohet tani, nuk do ta bëjë kurrë. Lajmi i mirë është se kemi filluar të shohim ndonjë veprim. Brukseli ka propozuar një program të ri të siguracioneve të papunësisë për kohë të shkurtër, për të ndihmuar vendet e BE-së që janë më të prekura nga Covid-19. Lajmi i keq është se ai nuk është me të vërtetë sigurim por hua, e kufizuar në sasi dhe shtrirje.

BE po luan me zjarrin. Ky është shansi i fundit i Evropës. Ose BE e tregon veten të gatshme të ofrojë ndihmë substanciale për shtetet anëtare në vështirësi, ose nuk ka arsye të ekzistojë.

Shkrimtari është profesor në Booth School of Business, në Universitetin e Çikagos / FT – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close