Analiza

Sharmi i kalifatit  

Malise Ruthven

Dimensioni apokaliptik i Shtetit Islamik, i cili josh shumë të rinj perëndimorë në kërkim të një kuptimi të jetës së tyre. Historia e jashtëzakonshme e parizienes Adelë…

Screen Shot 2015-03-23 at 11.41.40

Eshtë një grup jashtëzakonisht shumë i armatosur, i cili ka në gjirin e vet ish oficerë të regjimit të Sadam Hysenit, çeçenë e ushtarakë të ushtrisë gjeorgjiane, apo veteranë të konfliktit libian. Por në ushtrinë e shtetit islamik tërhiqen një numër i madh rekrutësh të rinj perëndimorë, të indoktrinuar nga rrymat apokaliptike të kulturës dhe mendimit mysliman. Sipas shifrave të Europolit, aktualisht 5000 qytetarë evropianë i janë bashkuar grupit. Ata vijnë kryesisht nga vënde të pasura të veriut të Evropës, një mijë me origjinë nga Britania e Madhe dhe një mijë nga Franca. Ndërmjet tyre, qindra adoleshentë dhe adoleshente.

Sot, tentakulat e kalifatit janë shtrirë dhe në organizata të shumta sunite dhe grupe që përbetohen për shtetin islamik. Autoritetet amerikane pyesin përse Shteti Islamik tërheq kaq shumë luftëtarë: kemi të bëjmë me një mobilizim të luftëtarëve të huaj, më i shpejti, si asnjëherë më parë.

Kuptohet si shteti islamik, me ekzekutimet e tij barbare dhe kërcënimet kundër atyre që nuk ndajnë vlerat e tij, mund të joshë individë si Amedy Kulibali dhe vëllezërit Kuashii, autorët e atentatit të Parisit në fillim të muajit janar. (Vëllezërit Kuashi ishin shumë të influencuar nga Al-Qaida).

Këta janë kriminelë të vegjël, tipa “humbës”, të cilët bëjnë një jetë margjinale në një vend ku imigrantët myslimanë përballen me një përqindje të lartë papunësie, të pashkolluar dhe shpesh të përjashtuar nga shoqëria. Por një numër i mirë xhihadistësh evropianë duket se nuk bëjnë pjesë në këtë kategori.

Nga media mësuam se Xhon xhihadisti, xhelati i Shtetit Islamik me theks londinez, kishte bërë studime universitare për programim informatik dhe ishte me origjinë nga një periferi e këndshme e Londrës. Brutaliteti i videove të shpërndara në internet – ai i preu kokën pesë pengjeve perëndimorë dhe dy japonezëve, si dhe shumë ushtarëve sirianë, dhe pozoi me kokat e tyre – tregon se në çfarë pike ky brez i rritur në kohën e kibernetikës, e ka humbur lidhjen midis reales dhe përfaqësimit të saj.

Disa prej atyre që kanë shkuar në Siri, në nisje nuk kishin asnjë lidhje me islamin. Nga 250 qytetarë francezë që i janë bashkuar grupeve xhihadiste në Siri në muajin gusht 2013, 40 ishin konvertuar në besimin islam – ose 15 deri 20 %, një përqindje jo proporcionale në Francë, ku 1 % e myslimanëve janë të konvertuar.

Shtypi thekson se Shteti Islamik paraqet Sirinë si fushë beteje qëndrore e fundit midis islamit dhe armiqve të tij. Ajo që dinë më pak lexuesit, është se si shteti islamik i përdor idetë apokaliptike për të tërhequr deri në Siri adoleshentë evropianë. Në Francë, më të prekshmit përballë këtij indoktrinimi janë të rinjtë e moshës nga 16 deri në 21 vjeç – në prag të moshës së rritur.

Në librin e tij “Këta të rinj kërkojnë parajsën, por kanë gjetur ferrin”, një reportazh tronditës për prindërit të cilët kanë humbur fëmijët e tyre për kauzën xhihadiste, Dounia Bouzar tregon përse adoleshentët francezë të klasave të mesme shkollore dhe studentët e mjekësisë nga familje ateiste, i përgjigjen thirrjes së xhihadit. Libri përqëndrohet në historinë e Adelës, një vajzë 15 vjeçe e një çifti parizian, e cila i është bashkuar Frontit Al- Nusra, pasi është konvertuar nëpërmejt internetit. Në letrën e saj të lamtumirës drejtuar nënës së saj, ajo shpjegon se është zgjedhur që të niset për në Tokën e

premtuar, dhe se dëshiron të vdesë atje, për të shkuar në parajsë. Familja e Adelës nuk e di me saktësi si ka lindur interesi i saj për Islamin. Por, si tek shumë rekrutë të rinj evropianë, Interneti duket se ka luajtur një rol thelbësor.

Në kompjuterin e saj, prindërit kanë zbuluar fotografi të Adelës, e veshur me niqabin e zi. Ata kanë gjetur dhe gjurmët e konvertimit të saj në internet, si dhe indoktrimin e saj të shpejtë nga një farë “vëllai Mustafa”, në adresën sekrete të Facebookut. Vdekja e menjëherëshme e tezes së saj, në moshën 40 vjeçe, ka ndikuar patjetër për konvertimin e saj. Në Facebook, Mustafai e ngushëllon atë dhe i kërkon nëse ka reflektuar për atë që ai i kishte shpjeguar. Për të cilën ajo i përgjigjet se Zoti e ka thirrur tezen e saj për t’i dërguar asaj një shenjë që injorantët nuk e shohin dhe që Adela të afrohet me të.

Ndërkohë që angazhimi i Adelës forcohet, Mustafai e rrit presionin duke përdorur një ton urdhërues: ti duhet të jesh besnike dhe t’i nënshtrohesh vullnetit tim dhe atij të Allahut. Fundi i historisë është tragjik.

Në Siri, vajza e re u martua me Omarin, një xhihadist i zgjedhur nga emiri i grupit të tij. Më pas prindërit e saj marrin një mesazh të dërguar në telefonin e saj celular: vajza e tyre ka vdekur, e vrarë nga një plumb qorr, ajo nuk ishte zgjedhur nga Zoti për të vdekur si martire.

Samiu, një francez mysliman praktikant, kishte shkuar në Siri dhe në pëprjekjen e kotë për të shpëtuar vëllain e tij 14 vjeç, Hosinin, i cili ishte bashkuar me Al-Nusran. I rrëmbyer në veri të Sirisë, Samiun e çojnë përpara një shefi të divizionit francez të Al-Nusras – një qytet i tërë me rekrutë të rinj, të ardhur nga Franca. Atij i thanë se xhihadi sirian dhe vendosja e kalifatit janë një prelud i betejës së fundit të botës. Që Zoti i ka zgjedhur ata. Që ata ta ruajnë të vërtetën. Që ai të jetë me ata, ose ai është një tradhëtar.

Kjo ideologji e apokalipsit është mjaft e pranishme në mendimin islamik klasik. Ashtu si kristianizmi, islami mbështetet në një lëvizje mesianike në ditën e gjykimit të fundit. Syret e para të Kuranit përhapin predikime apokaliptike dhe një ide të larjes së borxheve të fundit. Figurë qëndrore e kësaj tradite, Dajjal, mesia mashtrues dhe me një sy, është ekuivalenti i “Antikrishtit të Testamentit të ri”. Përtej ndryshimeve të vogla, shumica e versioneve parashikojnë se beteja e fundit do të zhvillohet në Damask, kur Jezusi do të kthehet me tiparet e Mesisë, do të vrasë derrat, do të shkatërrojë Dajjal-in dhe do të thyejë kryqin në konvertimin e tij simbolik në Islam.

Në mendjen e xhihadistëve, të gjitha shenjat aktualisht janë të bashkuara në Lindjen e Mesme. Shteti islamik e ka titulluar revistën e tij në internet Dabiq, që i referohet qytetit të vogël sirian në afërsi të kufirit turk, që shumë hadite lidhen me Armagedonin e islamit, kur myslimanët e vërtetë do të kthehen në qytetin e Medinës dhe do të mundin “Romakët” (term i përdorur gjatë periudhës së perandorisë bizantine).

Janë të mëdha ngjashmëritë midis kësaj ideologjie dhe besimeve fondamentaliste kristiane të marra nga i njëjti rezervuar i miteve të Lindjes së Afërme antike. Por ka një rrymë të islamit mesianik që nuk ka ekuivalentin e tij kristian: vendosjen e rikthimit të kalifatit, apo të Shtetit islamik “të vërtetë”, i drejtuar nga sheriati dhe i udhëhequr nga një kalif.

Dhe idea që një kalifat i vërtetë do të shfaqet me bekimin e Zotit është e lidhur ngushtë me atë të betejës së fundit kundër së keqes. Me përjashtim të gjitha fillimeve të islamit dhe të një periudhë të shkurtër në Mesjetë, kalifati është një institucion i cili asnjëherë nuk ka funksionuar me të vërtetë. Por ai servir një model të fuqishëm qeverisjeje myslimane, e cila siç e shpjegon atë Wael Hallaq, specialist i të drejtës islamike, mbështetet në “themelet morale, ligjore, politike, sociale dhe metafizike jashtëzakonisht të ndryshme mbi ato që mbështetet shteti modern”. Në shekullin e XIX, sulltanët otomanë rinxorrën idenë e kalifatit, në përgjigje të të drejtave që carët e Rusisë dhe Habsburgët e Austrisë kishin për kristianët që jetonin në tokat otomane dhe për mbrojtjen e tyre. Nëse carët kishin të drejta mbi kristianët e Lindjes së afërme dhe në Ballkan, sulltani- kalif mundej dhe ai të pretendonte të njëjtat të drejta për shumë qytetarë myslimanë të carit. Por lufta e parë botërore dhe revolucionet ruse dhe turke e varrosën këtë ide. Vendimi i Ataturkut të shkatërronte kalifatin në vitin 1924 ndeshi pak rezistencë, madje aspak.

Në të njëjtën periudhë, shtetet-kombe evropiane i ndanë territoret otomane, duke i dhënë fund një perandorie myslimane transnacionale, e vjetër më tepër se pesë shekuj – një ndarje që shteti islamik e ka dënuar qysh me heqjen e kufirit midis Irakut dhe Sirisë, në vitin 2014. I rrënjosur në një kulturë apokaliptike që i jep atij kuptimin dhe qëllimin e tij të veçantë, ky tip islami transnacional duket se gjen një jehonë të fortë tek të rinjtë evropianë të kapur në konfliktet e identitetit.

Në librin e Bouzar, Samiu shpjegon se këta rekrutë të rinj nuk kanë nevojë të njohin gjuhën arabe: ata janë të rigrupuar nga gjuha dhe origjina e tyre – frankofonë, anglofonë, çeçenë, marokenë – dhe të bashkuar në të njëjtin flamur të xhihadit.

Historiani britanik, Norman Cohn e thekson atë në studimin e tij mbi milenarizmin “The Pursuit of the Millennium (1957)”: gjithmonë, lëvizjet apokaliptike të drejtuara nga një lider karizmatik joshin ata të cilët janë përjashtuar nga shoqëria, apo janë në kërkim të një kuptimi të ri të jetës së tyre. /The New York Review of Books/

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button