Bota

SHBA heq “vijën e kuqe” kundër Putinit në Evropë

oba putin

Aleatët e NATO-s janë duke punuar shumë, për të penguar një agresion të mundshëm rus ndaj Balltikut

Nga Michael Crowley

Visbaden, Gjermani – E kritikuar shpesh se ka qenë naive dhe e vetëkënaqur, në raport me ambicjet e presidentit rus Vladimir Putin, administrata Obama dhe aleatët evropianë, kanë intensifikuar planifikimin dhe trajnimin e tyre për një konflikt të mundshëm në krahun lindor të NATO-s, duke shpresuar t’i dërgojnë mesazhin më të fortë të mundshëm, një agresioni të mundshëm nga ana e Moskës.

Përmbajtja e Putinit, ishte tema qëndrore e një konferencë të organizuar në qytetin gjerman nga ushtria e SHBA-së, ku morën pjesë gjeneralë nga 38 vende evropiane. Zyrtarët e përshkruan shkallëzimin e veprimtarisë së NATO-s – duke përfshirë trajnimet masive, që tashmë janë duke u zhvilluar – në termat që të kujtojnë vitet ‘80, kur aleanca konstestonte vendosjen e tankeve sovjetike në Evropën Qëndrore.

Stërvitja e NATO-s, e quajtur “Trident Juncture”, që është më i madhja në më shumë se një dekadë; filloi në mes të tetorit dhe përfundon në fund të javës së ardhshme. Ajo përfshin 36.000 trupa, që do të jenë në gatishmëri në rastin e pushtimit të një rajoni fiktiv të quajtur ‘Ceresia’ nga një fqinj armiqësor, që përdor të ashtuquajturat taktikat e luftës guerile hibride, të ngjashme me ato që Putini ka aplikuar në Ukrainë.

Duke vepruar në Spanjë, Portugali, Itali dhe përreth ujërave atlantike, kundër-forca përfshin nëndetëset, avionët luftarakë dhe marinën amerikane, që mësyn në plazhe. Trajnimi është dizejnuar pjesërisht për të rritur gatishmërinë ushtarake – një shenjë kjo e shqetësimit, se Putini mund të nisë një tjetër operacion të shpejtë ushtarak si ai i marsit të vitit 2014 me pushtimin dhe aneksimin e Krimesë, një akt që kapi gafil SHBA-në dhe Evropën.

Por përveç rëndësisë së saj, thonë udhëheqësit ushtarake, ajo ndihmon që Moska të kuptojë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, janë të gatshëm e të vullnetshëm për t’u kundërpërgjigjur në një mënyrë të tillë, që shefi i Kremlinit të mos provojë sërish diçka të ngjashme. “Për të përmbajtur një kundërshtar, ai duhet të kuptojë cilat janë aftësitë tuaja. Dhe Putini do të jetë në gjendje ta nuhasë këtë nga lajmet, stërvitjet apo edhe aktivitete të tilla si kjo konferencë”- tha për “Politico” shefi i shtabit të ushtrisë së SHBA-së në Evropë, gjeneralit Mark A. Milley.

Ndërsa fokusi i Uashingtonit është zhvendosur kohët e fundit tek ndërhyrja e Putinit Siri, strategët ushtarakë të SHBA-së në Evropë, po përgatiten për një tjetër goditje ruse në territorin e aleancës, ndoshta mbi shtetet balltike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Të pranishmit, thanë se skenari ishte një temë kyçe, mes shqetësimeve të tjera të vazhdueshme ndaj ISIS-it dhe krizës së refugjatëve.

Hija në rritje e Rusisë, ka bërë që gjeneralët dhe stafi në bazën e ushtrisë amerikane në Gjermani të punojnë më shumë orë sesa vitet e shkuara, për planifikimin në detaje të skenareve të luftës, në kushtet kur ato aktuale cilësohen të të vjetëruara, që nga shembja e Bashkimit Sovjetik. “Jemi me punë deri në fyt”- pohoi koloneli Bill Uilliams, zv.shef i stafit në bazën amerikane.

Jo më larg se 2 vite më parë, Rusia iu bashkua stërvitjeve ushtarake të udhëhequra nga SHBA në Evropë. Por aneksimi befasues i Krimesë, dhe sulmi i mëvonshëm në Ukrainën Lindore, i dha fund këtij bashkëpunimi. Gjithnjë e më tepër, stërvitjet e NATO-s janë të dizejnuara me një armikun rus në mendje. Për shembull, një nga operacinet e prezantuara në konferencë, ishte një ushtrim i vënë në jetë këtë vjeshtë nën pseudonimin “Dragoon Crossing”.

Ai përfshirë kalimin e shpejtë të lumenjve në Hungari dhe Rumani, nëpërmjet mekanizmit të hedhjes së urave, nën mbulimin e zjarrit të simuluar të artilerisë. Një skenar i tillë mund të jetë i nevojshëm, për të përshpejtuar mbërritjen e forcave të NATO-s në vendngjarje, në rastin e një inkursioni rus nga lindja. Ky ishte një nga gjashtë skenarët e luftës të planifikuar vetëm për muajin tetor dhe nëntor, me emra luftarakë si “Saber Strike”, Iron Sword” dhe të ”Fall Storm”.

Mes pompozitetit ushtarak, disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë thonë se mungesat në numër efektivësh të stërvitur – një pasojë kjo e shtrëngimit të buxhetit nga vendet perëndimore – mund të kufizojnë mesazhin e tyre parandalues dhe të provokojnë Putinin, për të patur pretendime të reja territoriale. Zyrtarë të lartë në bazën e ushtrisë amerikane në Evropë, thonë shpesh se puna e tyre është që me një forcë prej vetëm 30.000 trupash amerikane, të veprojnë në mënyrë të tillë që të duken si 300.000.

“Supozohet që ne të deshmojmë forcën”- tha një zyrtar ushtarak amerikan. “Por le të jemi të sinqertë – s’jemi shumë të fortë këtu”.  “Është e qartë, NATO-ja nuk është aq e fortë sa pretendon se është- ose duhet të jetë”- thotë Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO dhe aktualisht kryetar i Këshillit të Çikagos për Çështje Globale. Megjithatë ai nënvizon se NATO-ja është ende më e fortë se Rusia, dhe mund të mposhtë çdo sulm nga ana e Moskës në territorin e saj.

Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s, po debatojnë mbi mundësinë e dërgimit të më shumë trupave amerikane në shtetet balltike, që aktualisht kanë nga 150 ushtarë amerikanë secila. Çdo rritje ka gjasa të jetë modeste. Por prania e trupave amerikane në ato vende, shërben si një paralajmërim:çdo sulm rus, që me gjasë do të kërcënojë jetën e trupave amerikane, do të garantojë një përgjigje të ashpër nga Uashingtoni.

Gjatë një interviste, Milley tha se ushtria po “vlerëson” strukturën e forcës së saj, dhe do të paraqesë në një kohë të papërcaktuar rekomandime ndaj Pentagonit. Ky i fundit, njoftoi në qershor planin për të para-pozicionuar rreth 250 pjesë të pajisjeve të rënda, duke përfshirë tanket dhe automjetet luftarake “Bradley” në 6 vendet e Evropës Lindore, për të shkurtuar në kohë reagimin e Amerikës në rastin e një konflikti me Rusinë.

Milley tha se Rusia do të bënte gabim nëse e nënvlerëson guximin e Perëndimit. “Uniteti dhe forca e NATO-s  është e vërtetë”- tha ai. Por ndërkohë la të hapur mundësinë që të rekomandojë dërgimin e më shumë trupave dhe pajisjeve në Evropë. “Ne nuk kemi nevojë të dislokojmë në Evropë një numër trupash të përafërt me atë në kohën e Luftës së Ftohtë. Por në të njëjtën kohë, duam të bëjmë të qartë se kemi aftësinë e mjaftueshme, për të penguar agresionin e mëtejshëm nga ana e Rusisë”- tha Milley

Megjithatë, frenimi kërkon një ekuilibër të ndërlikuar. Zyrtarët pohuan se e kuptojnë nevojën për të demonstruar gatishmërinë për të luftuar – pa provokuar në mënyrë të panevojshme Putinin. Por këtu ata ballafaqohen me probleme më praktike. Njëri ka të bëjë me një lloj “fshikullimi” strategjik, në të cilën gjeneralët që kaluan vite me rradhë të fokusuar tek kryengritjeve islamike dhe gjuetinë ndaj terroristëve, duhet t’u fshijnë pluhurin doktrinave të vjetra të luftës, me manovrimin e mjetëve të mekanizuara.

Gjeneralët flokëthinjur kanë ndjesinë e një Déjà vu-je, meqenëse pas ngjarjeve të 11 Shtatorit, ata nuk kanë më asnjë kujtim të Luftës së Ftohtë. Rusia gëzon disa avantazhe, duke përfshirë edhe atë të në luftën sulmuese elektronike, por edhe lëvizjes së shpejtë, ndërsa vendet e Evropës janë duke debatuar se si të përshpejtojnë lëvizjet ushtarake jashtë kufijve të tyre. Trupat mund të mbeten të bllokuara për ditë me rradhë, veçanërisht në kufijtë e vendeve jo-anëtare të NATO-s.

As NATO, nuk është tërësisht e bashkuar. Vendet evropiano-jugore janë më pak të shqetësuara për fatin e Balltikut, sesa nga kriza në rritje e refugjatëve, e shkaktuar nga kaosi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Kombet e tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, shqetësohen se tregimi i tepruar i muskujve nga ana e Perëndimimit, mund të minojë përpjekjet e tyre për të ruajtur armëpushimin e brishtë në lindje të Ukrainës.

Këtë verë, Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se një stërvitje e NATO-s në Ukrainë ishte “një gabim”, që mund të ketë “pasoja shpërthyese”. Zyrtarët amerikanë thonë se separatistët pro-rusë, nxiten nga Moska për të vazhduar rebelimin e tyre. Ndërkohë ata shtojnë se Putini e ka ulur intensitetin e konfliktit gjatë muajve të fundit, ndoshta me shpresën e lehtësimit nga sanksionet e Bashkimit Evropian në fillim të vitit 2016.

Për më tepër, zyrtarë të lartë edhe këtu në Uashington, thonë se është e vështirë që të hyjnizosh synimet e Putinit. Disa dyshojnë se ai ka një strategji afatgjatë, duke e krahasuar me atë të një lojtari dame. Të tjerë kanë frikë se ai e ka futur Perëndimin në një lojë shahu – i mbështetur nga një oreks i madh për konfrontim ushtarak. Zyrtarët e ushtrisë amerikane, shqetësohen në veçanti rreth dy skenarëve.

I pari është përsëritja e luftës hibride së Rusisë në Ukrainë. Frika është se Putini mund të ndezë një kryengritje në mesin e popullatës etnike ruse në vendet balltike, por me taktika më pak të kritikueshme – propaganda, lufta kibernetike dhe aksionet e fshehta nga shërbimet inteligjente – që jo domosdoshmërisht mund të shkelin dispozitën e mbrojtjes kolektive të Traktatit të NATO-s.

Një tjetër skenar makthi, është një sulm i beftë i Rusisë në Balltikun Lindor, në një shkallë të tillë saqë t’i pamundësojë NATO-s për të reaguar si duhet. Ndërkohë sondazhet e opinionit, flasim për një skepticizëm të madh brenda vendeve kryesore evropiane, për luftën në vendet e vogla balltike.

“Politico” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button