Shtetet e Bashkuara dhe Republika Popullore e Kinës janë të përfshira në disa beteja të njëkohshme që shtrihen nga teknologjia tek tregtia, dhe rikthimi i Donald Trumpit në pushtet ka shtuar një dimension më të ashpër dhe konfrontues në këtë përballje. Në thelb, bëhet fjalë për një përplasje mes hegjemonisë ekzistuese dhe një fuqie rivale që tashmë nuk e fsheh më ambicien për t’u bërë udhëheqëse globale.
Kina është shfaqur me vetëbesim si një aktor ambicioz ndërkombëtar, që kërkon më shumë ndikim dhe prestigj në rendin global. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si një destabilizuese të sistemit ekzistues. Teknologjia, ekonomia, statusi global, normat ndërkombëtare dhe e ardhmja e Tajvanit janë disa prej fushave kryesore të kësaj gare të fuqishme.
Një moment domethënës i kësaj përballjeje ishte hedhja në treg e DeepSeek – një mjet i inteligjencës artificiale i zhvilluar në Kinë, i konsideruar më efikas dhe produktiv se ChatGPT, që ishte prodhuar në SHBA. Ky zhvillim është cilësuar nga analistët si një “moment i ngjashëm me Sputnikun dikur”.
Nxjerrja e palikacionit përkoi edhe me raportin 10-vjeçar të iniciativës “Made in China 2025”, ku u deklarua se Kina është shumë përpara objektivave të saj dhe, sipas fjalimit në Kongresin Popullor Kombëtar, është në rrugën e duhur për të udhëhequr botën në prodhimet inteligjente në vitet që vijnë.
Një strategji e kujdesshme
Historikisht, Kina ka ditur të përfitojë nga rrethanat gjeopolitike dhe ekonomike në momentin e duhur. Tani, përballë një Trump-i të vendosur për të çuar përpara luftën tregtare dhe strategjinë e deglobalizimit, Kina duket se do të reagojë në mënyrë të zgjedhur, jo simetrike. Retorika e saj do të fokusohet në kritikimin e SHBA për deglobalizimin, duke e paraqitur veten si zëri kryesor në mbrojtje të globalizimit.
Në këtë mënyrë, Kina synon të delegjitimojë fuqinë amerikane dhe vlerat që ajo përfaqëson. Ajo është ende në fazën e fillimit të ushtrimit të ndikimit të saj si fuqi e madhe globale, dhe tërheqja e SHBA nga disa prej përgjegjësive të saj ndërkombëtare përbën një mundësi të favorshme për Kinën.
Fronti ekonomik: Varësi reciproke, ndarje e kushtueshme
Së bashku, SHBA dhe Kina përbënin 43.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror në vitin 2024. Marrëdhëniet e tyre ekonomike përshkruhen nga teoria liberale e marrëdhënieve ndërkombëtare, si ndërvarësi komplekse. Tregtia dypalëshe në mallra arriti në 582.4 miliardë dollarë – me Kinën që eksportoi në SHBA 438.9 miliardë dhe SHBA që eksportoi 143.5 miliardë në Kinë.
Edhe pse nga tregtia kanë përfituar të dyja palët, ajo ka gjeneruar më shumë vende pune në Kinë dhe ka sjellë përfitime të mëdha për bizneset dhe konsumatorët amerikanë. Megjithatë, planet për shkëputje ekonomike (decoupling) pritet të kenë pasoja serioze për ekonominë botërore dhe për rendin liberal ndërkombëtar. Frika për një recesion ka filluar të ndikojë në tregjet e aksioneve në mbarë botën.
Pavarësisht diskursit zyrtar, Kina ende ka nevojë për tregjet amerikane dhe evropiane për të nxitur rritjen e saj të brendshme ekonomike. Iniciativa si “pasuria e përbashkët” dhe “qarkullimi i dyfishtë” kanë dhënë rezultate modeste. Kriza në sektorin e banesave dhe goditja ndaj kompanisë Ant Group të Jack Ma kanë lënë gjurmë në besimin e biznesit privat në Kinë – një situatë që presidenti Xi Jinping po përpiqet ta korrigjojë, duke dhënë sinjale mbështetëse për sipërmarrësit e teknologjisë.
Europa dhe ndikimi i luftës në Ukrainë
Kina ka përfituar nga kthimi i Trumpit në pushtet, siç u duk qartë nga hapja e Evropës drejt Kinës në vitin 2024. Kancelari gjerman Olaf Scholz udhëtoi drejt Pekinit i shoqëruar nga gati 70 drejtues kompanish, duke reflektuar interesin në rritje të biznesit evropian për tregun kinez. Lufta në Ukrainë ka dobësuar ekonominë e Evropës dhe Pekini shfaqet si një partner alternativ në një moment kur ekonomia kineze po jep sinjale rimëkëmbjeje.
Objektivat strategjikë të Kinës dhe beteja për rendin global
Ambicia përfundimtare e Kinës është zëvendësimi i Shteteve të Bashkuara si fuqia udhëheqëse globale. Politika e jashtme kineze përdor shpesh gjuhën e “rikthimit të Kinës në vendin që i takon”, duke nënkuptuar se kjo pozitë është legjitime dhe historikisht e justifikuar. Sot, Pekini e sheh veten në një moment historik të rëndësishëm, një dritare mundësie për të realizuar “Ëndrrën Kineze” të presidentit Xi Jinping – një botë ku fuqia ekonomike dhe politike e Kinës shoqërohet me statusin e saj ndërkombëtar.
Xi e ka përsëritur disa herë se “bota po përjeton ndryshime të mëdha që nuk janë parë prej një shekulli”, dhe se Partia Komuniste përballet me “mundësi dhe sfida të paprecedenta”.
Nga konfrontimi me Trumpin, tek përplasja me rendin liberal
Pas katër viteve turbulente me administratën Trump, Kina u ndje më komode për të bashkëpunuar me administratën Biden – por vendosi të ruajë një qasje konfrontuese. Në Samitin e Alaskës, diplomati i lartë Wang Yi deklaroi para kamerave se “SHBA nuk ka të drejtë t’i flasë Kinës nga pozita force”. Kjo deklaratë u bë në një klimë tensioni të thelluar për çështje si Xinjiang, siguria kibernetike, Tajvani dhe Hong Kongu – por edhe si pasojë e një konsensusi dypartiak në SHBA për frenimin e ngritjes së Kinës.
Që nga administrata Obama, Kina ka kërkuar barazi në përcaktimin e rregullave globale, përmes iniciativave si “G2” pas krizës financiare të vitit 2008. Por SHBA reagoi me strategjinë e “Pivot to Asia”, përforcoi praninë ushtarake në rajon dhe pranoi konceptin e “Indo-Paqësorit”, duke theksuar një “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla” – që Kina e konsideron si përpjekje për të kufizuar rolin dhe të drejtat e saj.
Sot, Kina nuk kërkon më vetëm reformë – por rishikim të rendit liberal ndërkombëtar. Me instrumente si Nisma e Brezit dhe Rrugës (BRI) dhe tri iniciativat e reja: Nisma Globale për Siguri (GSI), Zhvillim (GDI) dhe Civilizim (GCI), Pekini synon të zëvendësojë SHBA si përcaktues i normave ndërkombëtare dhe si ofrues i të mirave publike globale. Kërkesa për reformimin e sistemit të qeverisjes globale është bërë pjesë e strategjisë së vet, ndërsa tërheqja e SHBA nga roli udhëheqës dhe diskreditimi i OKB-së nga Trumpi, i ka dhënë Kinës terren.
Dokumentet e OKB-së kanë filluar të përfshijnë terminologji kineze si “siguri kolektive dhe e përbashkët”, që përfaqëson një kritikë të heshtur ndaj hegjemonisë dhe unilateralizmit amerikan. Nga këndvështrimi kinez, shumëpalësia mund të çojë drejt një botë multipolare, duke dobësuar ndikimin amerikan dhe duke krijuar një boshllëk që Kina është e gatshme ta mbushë.
Por çfarë Kina quan “reformë”, është në fakt rishikim i rendit liberal. Në një fjalim të fundit në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Wang Yi bëri thirrje për “qasje të drejtë ndaj të drejtave të njeriut”, duke e përkufizuar të drejtën për ekzistencë dhe zhvillim si më të rëndësishmen, dhe duke kërkuar balancim mes të drejtave individuale dhe atyre kolektive. Ky përfaqëson një largim thelbësor nga koncepti perëndimor i të drejtave të njeriut si të drejta individuale.
Tajvani – vijë e kuqe e qartë për Kinën
Tajvani mbetet një nga pikat më të nxehta të përplasjes SHBA-Kinë. Pekini ka deklaruar qartë se ribashkimi me Tajvanin është objektiv kombëtar, dhe ka vendosur kufij të qartë për çdo ndërhyrje të jashtme. Në vitin 2025, Kina njoftoi rritje të buxhetit të saj të mbrojtjes me 7.2%, që tejkalon objektivin e rritjes ekonomike prej 5%.
Stërvitjet ushtarake të viteve 2023 dhe 2024 janë fokusuar thuajse tërësisht tek Tajvani, me manovra që simulojnë zbarkime në breg, transport të shpejtë të trupave, dhe përdorim të taktikave të refuzimit të aksesit (A2/AD) – të njohura si strategjia kineze e “mbrojtjes aktive”.
Nëse mesazhi i Trumpit perceptohet si dobësi, Kina mund të zhvendosë manovrat luftarake edhe më pranë Tajvanit, duke testuar kufijtë e durimit amerikan.
Më shumë se një luftë tregtare
Rivaliteti SHBA-Kinë nuk është më thjesht një luftë tregtare. Tensionet kanë ushqyer ultranacionalizmin kinez, duke shtuar presionin mbi qeverinë e Xi për të treguar vendosmëri. Në të njëjtën kohë, Trump po rishikon garancitë e sigurisë për rajonin Azi-Paqësor, gjë që krijon një klimë pasigurie.
Kombinimi i nacionalizmit të brendshëm dhe ndryshimeve në ambientin gjeopolitik mund të shtyjë Kinën drejt marrjes së rreziqeve që deri më tani i ka shmangur. Pasojat e një përplasjeje të tillë mund të jenë shumë më të rënda sesa një luftë ekonomike – me ndikime të gjera në rendin global, sigurinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore. / Outlook – Bota.al