MagazineMAIN

Shekulli antisocial

Shekulli i vetmisë: Fenomeni shoqëror që po ndryshon shoqëritë moderne

Në një artikull të fundit të The Atlantic, gazetari Derek Thompson e quan epokën tonë “Shekulli Anti-Social”, duke e përshkruar vetminë si një nga fenomenet sociale më të rëndësishme të shekullit XXI. Thompson argumenton se një numër në rritje njerëzish po zgjedhin izolimin, duke krijuar një krizë të re sociale me pasoja të thella për shëndetin mendor dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.

Ky shqetësim nuk është i pabazuar. Në vitin 2023, Vivek Murthy, Kirurgu i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, publikoi një raport prej 81 faqesh, ku e cilësoi vetminë si një epidemi, efektet e së cilës janë të krahasueshme me ato të pirjes së duhanit dhe obezitetit. Raporti i tij ngriti alarmin mbi ndikimin e vetmisë në shëndetin publik, duke theksuar se mungesa e lidhjeve sociale mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe madje edhe vdekjes së parakohshme.

Fenomen global

Megjithëse ky problem është veçanërisht i theksuar në SHBA, ai nuk kufizohet vetëm aty. Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria ka marrë masa konkrete kundër vetmisë, duke krijuar një ministri të posaçme për këtë çështje. Kjo nismë u frymëzua nga Komisioni Jo Cox për Vetminë, i cili u formua në vitin 2016 për të studiuar dhe adresuar këtë fenomen në shoqërinë britanike. Puna e komisionit çoi në strategjinë e parë qeveritare në botë për reduktimin e vetmisë, e cila përfshin masa si financimi i organizatave komunitare dhe krijimi i programeve për të lidhur individët me aktivitetet sociale. Në vitin 2020, qeveria britanike ndau mbi 20 milionë paund për të luftuar vetminë, duke e trajtuar atë si një emergjencë sociale.

Edhe Japonia ka ndjekur një rrugë të ngjashme, duke krijuar një Ministri të Vetmisë, duke e konsideruar këtë çështje me të njëjtën seriozitet si një krizë sociale kombëtare.

Vetmia dhe kriza e shëndetit mendor

Ekspertët theksojnë se vetmia nuk është thjesht një ndjenjë, por një gjendje kronike me pasoja të rënda psikologjike dhe fizike. Studime të ndryshme tregojnë se njerëzit e izoluar kanë një probabilitet më të lartë për të zhvilluar depresion, ankth dhe varësi nga substancat. Një shembull i kësaj është fakti që përdorimi i opioideve në SHBA ka shpërthyer vitet e fundit dhe, sipas Richard Reeves, president i American Institute for Boys and Men, nëse shkalla e vdekjeve nga mbidoza e drogës do të kishte mbetur në nivelin e vitit 2001, 400.000 burra do të ishin ende gjallë sot. Reeves thekson se këto substanca nuk janë “drogë festash”, por më tepër ilaçe për izolimin, të cilat përkeqësojnë ndjenjën e vetmisë dhe e bëjnë atë një cikël të pafundëm.

Gjithashtu, psikologu dhe psikoterapeuti Giulio Costa vë në dukje një koncept të ri që ka filluar të fitojë terren: “klaustrofilia”, ose dëshira për izolim dhe siguri në hapësirat e mbyllura. Ai argumenton se kjo nuk është thjesht një formë e re e vetmisë, por një rebelim i heshtur kundër pritshmërive sociale, që shpesh na shtyjnë të jemi vazhdimisht të hapur dhe të angazhuar në marrëdhënie të përsosura. Sipas tij, pandemia e COVID-19 e ka përforcuar këtë tendencë, duke e bërë edhe më të vështirë rikthimin në një jetë aktive dhe sociale.

Një tjetër faktor që ndikon në këtë situatë është rritja e frikës për botën e jashtme, e përforcuar nga narrativat e vazhdueshme politike dhe mediatike që e përshkruajnë ambientin jashtë shtëpisë si të pasigurt dhe të rrezikshëm. Kjo ka ndikuar në shtimin e një tjetër fenomeni: mbështetja e tepruar e familjeve te fëmijët e tyre, një fenomen i njohur si “plus materno”, ku prindërit hezitojnë t’i lënë fëmijët të eksplorojnë botën, duke i mbajtur të mbështetur dhe të kufizuar në sferën familjare.

Për të trajtuar problemin, kërkohen masa të kombinuara nga politika, shoqëria dhe individët. Ekspertët sugjerojnë krijimin e hapësirave dhe iniciativave për lidhje sociale, organizimin e eventeve komunitare, grupeve të interesit dhe aktiviteteve që inkurajojnë bashkëveprimin.

“Social prescribing” është një model i përdorur në Mbretërinë e Bashkuar, ku mjekët i drejtojnë pacientët drejt aktiviteteve sociale, në vend që të mbështeten vetëm te ilaçet.

A jemi vërtet duke jetuar në shekullin e vetmisë? Statistikat dhe përpjekjet e vendeve të ndryshme për të luftuar këtë fenomen sugjerojnë se po. Por, ndërsa bota po bëhet më e ndërgjegjshme për këtë krizë, mbetet ende shumë për të bërë. Vetmia nuk është thjesht mungesa e shoqërisë, por një mungesë e lidhjes reale dhe kuptimplotë me të tjerët. / bota.al

Back to top button