Bota

BREXIT APO JO / Shkaqet dhe pasojat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian

Screen Shot 2016-02-11 at 09.07.47

nga Ana Palacio

Perspektiva e një daljeje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian është më se reale. Duket se ka gjithnjë e më shumë gjasa që takimi i radhës i Këshillit Europian do të përfundojë me një marrëveshje mbi kushtet e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE – një marrëveshje që më pas do të paraqitet në një referendum para votuesve britanikë, ndoshta në fillim të verës.

Por, teksa gjërat rendin me shpejtësi përpara, Britania dhe BE duhet të ndalen një moment dhe të mendojnë me kujdes. Në fund të fundit, pavarësisht sigurive të dhëna nga të dy palët, askush nuk e di si do të shkojë referendumi, aq më pak se si do të jenë gjërat, nëse votuesit britanikë do të votonin për të dalë nga BE.

Referendumi është e panjohura më e afërt. Eksperiencat e mëparshme tregojnë se, kur votuesit marrin vendime të tilla, ata rrallëherë fokusohen tek cështja në fjalë. Në referendumet që u mbajtën për kushtetutën e BE-së në vitin 2005, për shembull, holandezët u fokusuan tek Euro, ndërkohë që francezët kishin shqetësimin se hidraulikët polakë do u merrnin vendet e punës.

Deri tani, shenjat tregojnë se referendumi i ardhshëm në Britani do të ndjekë të njëjtin model, teksa votuesit do të fokusohen më shumë në idetë e thjeshtësuara, paragjykimet, dhe emocionet, se sa tek konsideratat pragmatiste. Dhe kampi i atyre që janë kundër BE-së ka qenë shumë më pasionant – dhe me një retorikë shumë më të ndezur.

Nga një këndvështrim europian, kjo është thellësisht shqetësuese. Dihet mirë se një largim i Britanisë së Madhe do të jepte një goditje shkatërrimtare për integrimin europian, duke shkaktuarndoshta edhe zhbërjen e një procesi delikat. Por edhe Britanikët duhet të jenë të shqetësuar për pasojat e tërheqjes, qoftë edhe për faktin se dihet shumë pak për atë që do të vijë.

Problemi është se shumica e britanikëve janë shumë pak të vetëdijshëm për turbulencat që do të shkaktonte Brexit. Përtej impaktit mbi lëvizjen për pavarësinë e Skocisë, Marrëveshjes së të Premtes së Mirë të Irlandës, dhe marëdhënies speciale të Mbretërisë së Bashkuar me SHBA, ka pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve Britani e Madhe – Bashkim Europian. Shumë prej mbrojtësve të largimit të Britanisë së Madhe përzgjedhin politika dhe rregullore, si për shembull kushtet e marrëveshjes së tregtisë së lirë të BE me Kanadanë dhe Singaporin, për të ilustruar se si do të ishte jeta me Mbretërinë e Bashkuar jashtë BE-së. Ata duan që britanikët të besojnë, jo vetëm se City në Londër do të mbetet qendra financiare kryesore e Europës, por edhe se Britania do të ruajë aksesin në tregun e përbashkët të BE, edhe pa lëvizjen e lirë të krahut të punës.

Kjo është fantazi e pastër. Ndonëse Mbretëria e Bashkuar do të ruante pozicionin e saj të fortë ndërkombëtar, sa i përket politikës së mbrojtjes dhe asaj të jashtme, fuqia e saj në negociiimin e marrëveshjevve për tregtinë dhe investimet – duke përfshirë edhe me vetë BE-në, e cila zë gjysmën e tregtisë së Britanisë – do të binte shumë. Kjo ka qenë përvoja e vendeve jo anëtare të BE si Zvicra dhe Norvegjia. në fakt, udhëheqësit e BE janë që tani të palumtur me aksesin e Zvicrës në tregun e përbashkët; ideja që ata do i jepnin Mbretërisë së Bashkuar një akses të tillë, sidomos pasi kanë marrë një shuplakë në fytyrë, nuk është bindëse.

Disa pretendojnë se një Brexit do i ngjante tërheqjes së negociuar në mënyrë të kollajtë, të Groenlandës nga komuniteti ekonomik europian në vitin 1985, e vetmja tërheqje e tillë që ka ndodhur ndonjëherë. Por rrethanat nuk mund të ishin më të ndryshme. Komuniteti Ekonomik Europian i 30 viteve më parë nuk mund të krahasohet me BE-në e sotme, ashtu sikurse Groenlanda nuk mund të krahasohet me Mbretërinë e Bashkuar, për nga përmasat ekonomike, apo rëndësia politike.

Po kështu, tërheqja e Groenlandës u lehtësua në mënyrë të konsiderueshme prej lidhjeve të saj kushtetuese me anëtaren e KEK, Danimarkën, e cila vazhdoi të përfaqësojë interesat e saj në organet europiane. Pa një “Danimarkë” për të lehtësuar rrugëdaljen për Britaninë, negociatat që do të pasonin një votim për tërheqjen do të ndërlikoheshin, duke u zvarritur për shumë vite. 

E gjithë kjo pasiguri do të kishte pasojat e veta, si tek bizneset, ashtu edhe tek qytetarët e zakonshëm. Kush do të bënte një investim afatgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, pa e ditur se cilat marrëveshje ligjore do të ishin në fuqi?

Për të shmangur këtë rezultat, Këshilli Europian duhet t’i mëshojë perspektivës shumë më të qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar si anëtare e BE-së, ndërkohë që duhet të demonstrojë fleksibilitetin themelor të Europës. Tashmë, Mbretëria e Bashkuar është lejuar të mos jetë pjesëtare e Shengenit, Euros, si dhe cështjeve të drejtësisë dhe atyre të brendshme. Tani BE ka treguar gatishmërinë e saj për të kërkuar kompromise të arsyeshme për kërkesat e kryeministrit, David Cameron.

Në disa fusha, si rritja e konkurueshmërisë dhe përbashkëzimi i rregulloreve, konsensusi do të jetë relativisht i lehtë për t’u arritur. Marrëveshja është gjithashtu e mundshme, për t’u dhënë parlamenteve një rol më të madh në orientimin e legjislacionit të BE.

Sa për kërkesën e Cameronit për t’i dhënë fund detyrimit që ka traktati për një “bashkim edhe më të madh”, kyci drejt kompromisit mund të jetë me nuanca. Në vend që të lëvizë për t’i integruar edhe më shumë shtetet anëtare, ndoshta BE duhet ta zhvendosë fokusin e vet tek bashkimi, gjithnjë e më i madh, i popujve të Europës. Cështja finale mund të jetë më e koklavitura: imigrimi dhe mirëqenia. Cameroni ka bërë thirrje për një pezullim 4-vjetor për përfitimet e fëmijëve për migrantët e BE që punojnë në Britani – një qasje që shumëkush thotë se është diskriminuese. Një ndryshim që mund të lehtësojë arritjen e një kompromisi do të ishte të bëhej një dallim i qartë mes këtij diskutimi, dhe debateve mbi krizën e refugjatëve. Fokusi duhet të mbetet tek polakët dhe letonezët, jo tek sirianët.

Në vitin 1953, uinston Churchilli deklaroi: “Ne jemi me Europën, por jo të Europës; ne jemi të lidhur, por jo të kompromentuar”. Nëse Këshilli Europian do të mund të arrijë një kompromis që reflekton këtë deklaratë të Churchillit, dalja e Britanisë mund të shmanget, gjë që do të ishte në dobi të të gjithëve. Por me referendumin pranë, edhe një marëveshje e mirë mund të mos mjaftojë. Me fantazinë dhe manipulimet që vazhdojnë të dominojnë debatin britanik, Mbretëria e Bashkuar – dhe Europa – mund të jenë duke shkuar drejt një surprize shumë të pakëndshme.PROJECT SYNDICATE – BOTA.AL

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Causes and Consequences of Brexit

Leave a Reply

Back to top button