Shkence

SHKENCE / Gjenialiteti, një dhunti hyjnore?

Gjeniu1Vizionar, i marrë, melankolik: mbi tiparet e gjeniut dhe esencën e gjenialitetit kanë ngritur pyetje nëpër shekuj mendimtarët më të mëdhenj. Një filozof i sotëm përshkon mendimin e filozofëve të djeshëm. Në origjinë të forcës krijuese që vërshon dhe shpik

Mendojmë fjalën gjeni, dhe menjëherë mendojmë për një mendje të jashtëzakonshme apo një person që ka një talent shumë të madh. Mendojmë për një qenie të jashtëzakonshme, por njerëzore. E megjithatë, në origjinë gjeniu ishte një Zot. Termi italian genio, francez genie, anglez genius, spanjoll genio, gjerman genie e ka burimin nga latini genius, që për romakët ishte hyu që mbikqyrte lindjen e njeriut. Gjurmë të këtij hyu gjenden edhe tek fjala ingenium, që në latinisht nënkupton si natyrën, karakterin e një personi, edhe gjeninë, inteligjencën e tij.

Historia e idesë së gjeniut e ka pra fillesën në Romën e lashtë, për t’u zhvilluar gjatë Rilindjes dhe duke mbërritur në një maturim të saj gjatë shtatëqindës. Në të vërtetë, romakët, duke qenë se kishin genius-in e tyre, nuk thelloheshin shumë në këtë argument. As nuk e bënë këtë grekët e lashtë, me përjashtimin e Aristotelit që reflektoi mbi raportin mes temperamentit melankolik dhe individët e spikatur.

Pas heshtjes së gjatë të Mesjetës, mendimi aristotelian u mor nga humanisti Marsilio Ficino, themelues në Firence i Akademisë Neoplatonike. Në librin e tij “De triplici vita” (1489) filozofi analizonte lidhjen mes melankolisë dhe gjeniut, duke arritur në konkluzionin që temperamenti melankolik është tipari dallues i krijuesve.

Gjak me cilësi të mirë

Në shekujt e mëvonshëm, termi “gjeni” nisi të përhapet dhe të tregojë krijueshmërinë njerëzore në fusha nga më të ndryshmet. Deri kur, më në fund, në Shtatëqindën, kish ardhur koha për të elaboruar teoritë e para.

Një prej teksteve më domethënës të epokës është “Refleksione kritike mbi poezinë dhe pikturën” (1719) i historianit dhe filozofit Jean-Baptiste Du Bos. Studiuesi e interpretonte gjeninë si faktor të lindur të krijueshmërisë të lidhur me një “dispozicion pozitiv të organeve të trurit, një simetri të mirë të tyre si dhe një gjak të një cilësie të mirë në gjendje t’i sigurojë mendjes fuqinë e nevojshme për imagjinatën”.

Për herë të parë pohohej qartësisht se mendja njerëzore tërheq aftësi, si imagjinata dhe fantazia, që kapërcejnë limitet e arsyes. Një njeri që ka vetëm një inteligjencë të lartë nuk do të jetë asnjëherë një gjeni (për këtë në fakt sot bie dakord edhe shkenca): për të qenë gjeni duhet të dish të imagjinosh apo të krijosh me mendje atë që arsyeja nuk është në gjendje ta konceptojë. Dhe cfarë bën një mendje e madhe me një imagjinatë të madhe? Shpik. Sic shkruante Alexander Gerard në librin e tij “En Essay on Genius” (1774): “Gjenia është ndoshta aftësia e shpikjes, përmes të cilës një njeri është i kualifikuar të realizojë zbulime të reja në shkencë apo të prodhojë në art vepra origjinale”.

Sipas Gerard, kjo aftësi natyrore dhe e lindur e shpikjes, që në fushën artistike merr formën e krijimit të një vepre origjinale dhe në atë shkencore ka tiparet e një zbulimi të ri, mund të kultivohet përmes kulturës, por mbetet në fund të fundit një dhunti apo një talent i lindur, që “dija” nuk mund ta krijojë. Gjenialiteti pra është dicka e lindur, një dhuratë e natyrës apo hyjnore, që nuk mund të përftohet dhe as transmetohet, dhe kjo siguri është ruajtur e pandryshuar edhe në teoritë e mëvonshme filozofike.

Me apo pa rregulla

Aty nga fundi i Shtatëqindës, mbi gjeninë u zhvilluan dy shkolla mendimi. E para vinte nga lëvizja kulturore gjermane Sturm und Drang (Stuhi dhe shtytje) dhe thoshte që gjenia është teprim, e parregullt dhe bie ndesh me gjithë ligjet. Gëte shkruante: “Duhet kohë para se të thuash që gjenia është ajo forcë e individit që ofron ligje dhe norma përmes veprimit dhe veprës. Në atë kohë perceptohej vetëm si forcë që kapërcen ligjet ekzistues, duke përmbysur rregullat dhe duke u shpallur e pakufi”.

Nga ana tjetër shfaqej gjithnjë e më autoritar zëri i një prej mendimtarëve që më shumë se të gjithë ka punuar për gjenialitetin, gjermani Immanuel Kant. Në vitin 1790, tek “Kritika e gjykimit” ai elaboroi idenë e gjenisë si talent për krijim që “i jep rregullat artit”. Sipas filozofit, vepra e artit (arti, asnjëherë shkenca. Për Kant gjenia ndeshet vetëm në krijimin artistik) është një produkt i ri, absolutisht origjinal, që nuk varet nga aplikimi i thjeshtë i rregullave ekzistues. Dhe duke qenë se talenti i përket pikësëpari natyrës, gjenia është një dhuratë që kjo ia bën njeriut. Kështu, kur gjeniu vepron me “gjeninë” e tij, është njësoj sikur natyra të veprojë përmes tij. Aq sa mendja gjeniale “nuk di” si vepron: është e frymëzuar nga dhuntia e saj, bën mrekullisht atë që bën, por nuk di të shpjegojë “si”.

Forcë krijuese hyjnore

Në Europën e tetëqindës rikthimi tek ndjenjat fetare reflektohet edhe në spekulimin filozofik mbi gjenialitetin. Filozofi dhe kritiku letrar gjerman Fridrih Shlegel është një prej teoricienëve më të mëdhenj të kësaj qasjeje të re: për të gjeniu është një figurë e spikatur dhe pothuajse hyjnore që bashkon përsosmërinë me botën, infinitin me finitin, hyjnoren me njerëzoren. Krijueshmëria e gjeniut, sipas Shlegelit nuk është më ajo e gjenisë, as e talentit. Eshtë më shumë një forcë krijuese hyjnore që kapërcen limitet e njeriut dhe racionalitetit të tij. Për këtë arsye gjenialiteti mund të jetë në kufijtë e marrëzisë. Artisti krijues nuk është më ai që “i jep rregullat artit”, por një individ i pazakontë në gjendje të rrokë një të vërtetë superiore, të hyjë në komunikim me absoluten.

Edhe në mendimin e Artur Shpenhauerit kthehet tema e ekscentricitetit: mendimtari i madh gjerman shihte gjeniun si një individ të jashtëzakonshëm, shumë i ndryshëm nga njeriu i zakonshëm dhe kaq i marrë sa të harronte fizikalitetin e tij, trupin e tij, nevojat e tij të vogla e të përditshme për t’u braktisur në një lloj deliri estetik dhe vizionar. Me Romanticizmin, rruga e gjeniut dhe ajo e njeriut me talent të madh u ndanë. Nikolaj Berdjaev në veprën e tij të 1916 “Sensi i krijimit” shkruante: “Natyra gjeniale mund të konsumohet pa mishëruar në botë asnjë vlerë. Ndërsa talenti zakonisht krijon vlera dhe cmohet në vetvete si një vlerë. Tek talenti ka masë dhe ritëm. Tek gjenialiteti ka gjithmonë një mungesë mase. Natyra e gjenialitetit është gjithmonë revolucionare”.

Sot, ajo që mbetet nga kjo histori e gjatë e mendimit janë dy mënyra të ndryshme për të interpretuar gjenialitetin: gjenia si talent natyror dhe krijon në mënyrë origjinale; gjenia si forcë krijuese e pamasë dhe e parregull. Në të dy rastet, ajo që dallon gjenine është aftësia krijuese. Pak rëndësi ka nëse ka origjinë hyjnore apo njerëzore: mbetet një dhuratë e vyer nga e cila vetëm pak qenie njerëzore mund të përfitojnë.

Shpjegime

Gottfried Mind ishte një djalosh i vogël dhe i vonuar. Nuk dinte të shkruante, nuk kishte as idenë më të vogël mbi matematikën dhe ishte në gjendje të shprehte vetëm koncepte bazë. Një ditë (jemi në fundin e 700), duke vëzhguar piktorin Sigmund Hendenberger teksa pikturonte një skenë fshati, u ndal në një detaj dhe tundi kokën: “Kjo nuk është mace”, tha. Piktori buzëqeshi dhe i dha në dorë lapsin. Djaloshi nuk u impresionua. Dhe bëri një kryevepër. Mind, që më vonë u bë për të gjithë Rafaelo i maceve, ishte një idiot savant, një term që do të futet një shekull më vonë nga mjeku John Landon Down (i njohur sepse i ka dhënë emrin sindromës që lidhet me trisominë e kromozomit 21) për ata individë që, përvec disa aftësive shumë të zhvilluara, kanë përgjithësisht aftësi mendore më të vogla se sa mesatarja. Savant (mbiemri idiot u braktis shumë shpejt) ishin edhe binjakët njujorkezë George dhe Charles Finn, që kanë jetuar në shekullin e kaluar dhe që janë mbiquajtur “kalendarët njerëzorë”: ishin në gjendje të thonin se në cilën ditë të javës qëllonte cfarëdolloj date në një hapësirë kohe prej tetëdhjetë mijë vitesh; arrinin vec të tjerash të kujtonin kushtet meteorologjike të cdo dite të jetës së tyre. Për nëse i pyesje “sa bëjnë dy edhe dy”, qëndronin të heshtur, dhe shihnin përreth të hutuar.

Savant ishte edhe “I verbëri Tom” Wiggins, një afro amerikan i verbër dhe i vonuar mendërisht që megjithatë i binte pianos si një virtuoz i pakrahasueshëm: i mjaftonte të dëgjonte një melodi vetëm një herë për ta riprodhuar pastaj në mënyrë të përsosur.

Superfuqia më e shpeshtë mes Savant-ëve, ka qenë gjithmonë kujtesa: që nga kujtimi deri në perfeksion i të gjithë rrjetit të autobusëve të një qyteti deri tek memorizimi i faqeve të tëra të listave telefonike, e deri në ripdohimin e itinerarëve të përshkuar gjatë udhëtimeve të ndryshëm, duke përfshirë edhe kthesat djathtas apo majtas. Më i famshmi ka qenë ndoshta Kim Peek (që ndërroi jetë në 2009), i cili ishte në gjendje të kujtonte fjalë për fjalë librat që lexonte (me një shpejtësi mbresëlënëse). Vec të tjerash kryente llogaritje komplekse në një kohë shumë të shkurtër. Ishte pikërisht historia e tij që frymëzoi personazhin e Raymond Babbit në filmin Njeriu i Shiut, i cili i dha një Oscar interpretuesit të tij, Dustin Hoffman.

Por prej nga vijnë këto superfuqi? Në të kaluarën mendohej që këto aftësi të jashtëzakonshme ndoshta ishin një dhuratë nga Perëndia që u jepte personave të lindur pa fat. Sot, hipotezat janë të tjera.

Aftësitë e kujtesës dhe ato matematikore në disa raste duket se janë të kushtëzuara nga aftësia për të shoqëruar ngjyra dhe emocione me informacione “të ftohtë” si numrat: është e ashtuquajtura sinestezia, një gjendje e rrallë që sjell kontaminimin e shqisave. Më në përgjithësi mendohet se kush lind me aftësinë e kujtesës së rrallë ka prirjen të zhvillojë edhe aftësi të tjera: tek shumë savant-ë është vërejtur një dëmtim në hemisferën e majtë, e cila lidhet me arsyetimin logjik dhe gjuhën, gjë që mund të kompensohet me një fuqizim të hemisferës së djathtë, më kreative, më muzikore dhe e pajisur me dhunti hapësinore.

Një pikë nisje për të tentuar një shpjegim është fakti që të paktën në gjysmën e rasteve, savant-ët vuajnë nga autizmi. Në themel të kësaj gjendjeje mendohet të jetë aftësia për të kuptuar përmes imitimit: pra, kush vuan nuk e ka prirjen natyrore për të nxënë si të tjerët dhe kështu është i detyruar të zhvillojë strategji alternative të të nxënit. Nuk është rastësi që “ishujt” e inteligjencës superiore duket se janë të përqëndruar në sektorët që mund të fuqizohen pa ndërvepruar me askënd (kujtesa, muzika, piktura, sensi i kohës…) Kjo vlen mbi të gjitha për sindromën e Asperger, ajo formë e autizmit në të cilën kompromentohen aftësitë sociale por jo aftësitë perceptuese dhe konjitive. “Asperger”-ët janë të tërhequr prej arsyetimit abstrakt, si ai matematik, dhe nga të gjithë veprimtaritë që synojnë të rendisin gjërat, si klasifikimet. Në të kundërt janë të painteresuar për ndërveprim me qenie të tjera nejrëzore, mesazhet e të cilëve, shpesh të bazyar në kuptime të dyfishtë dhe lojë fjalësh, janë të pakuptueshëm për ta. Eshtë e lehtë të nuihasësh që, me një botë mendore kaq të ndryshme, truri do të ndjekë një rrugë të paparashikueshme, deri në atë pikë sa të zhvillojë aftësi që mund të duken si superfuqi.

Sipas disa spekulimeve mendohet të kenë qenë të prekur nga sindroma e Asperger disa prej gjenive më të mëdhenj të të gjithë kohërave, mes të cilëve Isaac Newton në Shtatëqindën dhe Albert Einstein në Nëntëqindën, biografitë e të cilëve zbulojnë aftësi të jashtëzakonshme të lidhura me një prirje shumë të rrallë sociale. Pothuajse me siguri ka vuajtur prej saj kimisti skocez Henry Cavendish (1731-1810). Thuhet se hapte muret për të kaluar nga një dhomë e shtëpisë në tjetrën pa u vënë re./NS/

PERGATITI: www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button